BallinaEkonomi200 kompanitë: Si u nda torta e fitimeve në ekonominë shqiptare në...

200 kompanitë: Si u nda torta e fitimeve në ekonominë shqiptare në 2018

Si u nda torta e fitimeve në ekonominë shqiptare në vitin 2018. Pjesa më e madhe e kompanive qarkullojnë shumë para, por kanë norma fitimi minimale, një tregues i vlerës së shtuar të ulët dhe orientimit të ekonomisë drejt tregtisë. Më të fituarit mbeten koncesionarët, që kanë një kthim të garantuar në kurriz të taksapaguesve, së bashku me subjektet që punojnë me tenderë publikë. Sa janë normat e fitimit sipas sektorëve kryesorë dhe cilat janë 10 subjektet me përfitueshmërinë më të lartë, që marrin mbrapsht si fitim, më shumë se gjysmën e të ardhurave të realizuara gjatë vitit?

Lexoni renditjen e “Monitor 200 sipas fitimeve”

Nga Ornela Liperi, Monitor

Në Shqipëri qarkullojnë shumë para për shitje e blerje, por në pjesën më të madhe, ato financojnë importet, përmes naftës apo mallrave të tjera të përdorimit të përditshëm. Shumica e VIP-ave në vend, që kanë të ardhura mbi 13 milionë euro, raportojnë norma minimale fitimi në vit (për të qenë në Listën e kompanive “Monitor 200”, në renditjen sipas “Të ardhurave” vjetore duhet të kesh realizuar minimalisht 13.0 mln Eur qarkullim vjetor).

Gjysma e kompanive në renditjen e mëparshme të “Monitor 200”, sipas të ardhurave, kanë një normë fitimi para taksave më të ulët sesa 3%, ose janë me humbje, duke bërë që shumë prej tyre të mos klasifikohen në renditjen tjetër, në atë të 200 sipërmarrjeve më të mëdha, të konsideruara sipas fitimeve të realizuara. Sektorë të tillë si nafta dhe tregtia e mallrave, që lëvizin shpejt nga rafti (FMCG), të lidhur direkt me konsumin, panë rënie të normave të fitimit në 2018-n, si një dëshmi e shtimit të konkurrencës dhe uljes së fuqisë blerëse.

Në një ekonomi, që importon pothuajse gjithçka, ky është një tregues i vlerës së shtuar të ulët dhe orientimit drejt tregtisë, që punon me marzhe të ulëta shitblerjeje. Më pak fitime, do të thotë më pak investime, që në afat të mesëm e fut ekonominë në një rreth vicioz të mungesës së produktivitetit, ndërsa konkurrenca nga jashtë sa vjen e shtohet edhe për shkak të hapjes së tregjeve. Kosto e lirë e fuqisë punëtore vijon të jetë avantazhi kryesor konkurrues i Shqipërisë dhe ende pas 30 vitesh, sipërmarrjet po e shohin të vështirë të dalin nga ky rreth.

Ndryshe nga fitimet e mundimshme të bizneseve në përgjithësi, koncesionarët po bëhen gjithnjë e më të privilegjuar dhe lista e tyre po shtohet. Ata pak fatlumë që arrijnë të sigurojnë një koncesion kanë fitim të garantuar, dhe ndryshe nga filozofia e përgjithshme ndërkombëtare e Partneriteteve Publike-Private (PPP), te ne të gjithë rrezikun e merr përsipër shteti, kuptohet me paratë e tatimpaguesve. https://www.monitor.al/fitimet-qe-po-vrasin-ekonomine-2/

Por, ndonëse risku është i ulët, paradoksalisht fitimet e koncesionarëve janë të larta. Këtë vit janë shtuar disa koncesionarë të rinj në listën e “Monitor 200 sipas fitimeve”, si “Albanian Highway Concession”, “SaniService”, “3P Life logistik”, ndërsa të tjerët vijojnë t’u gëzohen normave të kthimit dyshifrore, duke mos pasur aspak nevojë të lodhen si të tjerët, në një vend me konsum të ndrydhur dhe konkurrencë të fortë.

Edhe sipërmarrjet që janë të përqendruara në punët publike (si rrugë, apo ndërtime të tjera) i janë gëzuar rritjes së normave të fitimit, që i kanë kaluar mbi 30%, teksa gara në tenderë sa vjen e po bëhet gjithnjë e më shumë fiktive.

Kompanitë shtetërore, nga ana tjetër, janë të përqendruara në fushën e energjisë dhe aktiviteti i tyre është tepër i varur nga moti, siç e tregoi dhe ecuria e vitit 2018, ku energjia kontribuoi në më shumë se gjysmën e rritjes prej 4% nga reshjet e bollshme dhe rënia e shpejtë e 2019, ku performanca ekonomike u përgjysmua, e ndikuar nga thatësira.

Në listën e 10 më të mëdhenjve të “Monitor 200 sipas fitimeve” janë tre sipërmarrje shtetërore në fushën e energjisë, që indirekt tregon për madhësinë e vogël të kompanive private, dy banka, një operator celular, një kompani ndërtimi, ndërsa për të dytin vit radhazi vijojnë të jenë nënkontraktorë të gazsjellësit TAP, projekt që po shkon drejt fundit.

Nga lista kanë dalë kompanitë e lojërave të fatit, pas ndalimit të aktivitetit të tyre nga qeveria. Këto sipërmarrje, historikisht kishin normat e fitimit ndër më të lartat në ekonomi, duke i kaluar edhe 50%.

Sipas të dhënave nga bilancet e kompanive, të përpunuara nga “Monitor”, 100 subjektet e para fituan në total rreth 82 miliardë lekë, ose rreth 640 milionë euro, me një rritje prej 17% në krahasim me 100 sipërmarrjet me fitime më të larta në vitin 2017. Efektin kryesor në këtë përmirësim e dha performanca e mirë e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, e ndikuar nga moti i favorshëm me reshje.

Kjo shumë përbën 36% të të gjitha fitimeve të deklaruara në Shqipëri në vitin 2018. (bazuar në tatimfitimin e paguar në 2018-n, fitimet totale të biznesit arrijnë në rreth 230 miliardë lekë). Fitimet e 100 subjekteve janë sa rreth 5% e asaj që prodhon ekonomia në një vit (Prodhimi i Brendshëm Bruto).

Që të hysh në renditjen e 100 më të mëdhave sipas fitimeve, subjekti duhet të ketë një fitim minimal prej 2.3 milionë eurosh, para taksave (një vit më parë, kufiri ishte 2 milionë euro).

Dy grupet me fitimet më të mëdha në vend për vitin 2018 janë Balfin, me 5.4 miliardë lekë dhe Kastrati me 2.9 miliardë lekë. Ashtu siç rezulton dhe në renditjen e “Monitor 200” të kompanive më të mëdha sipas qarkullimit vjetor, këto dy grupe po vijojnë rritjen me shpejtësi, duke shtuar fitimet me ritme dyshifrore.

DHJETË KOMPANITË ME FITIMET MË TË LARTA NË VLERË ABSOLUTE

1.KESH

Operatori shtetëror i prodhimit të energjisë elektrike, “Korporata Elektroenergjetike Shqiptare” (KESH) renditet në vend të parë, si kompania që ka realizuar më shumë fitime për vitin 2018.

KESH raportoi një fitim para taksave prej 10 miliardë lekësh, me një rritje të ndjeshme prej gati 20 herësh në raport me vitin e mëparshëm. Rritja e të ardhurave nga shitja e energjisë dhe ulja e shpenzimeve për blerje energjie, për shkak të motit të favorshëm, kanë dhënë ndikimin kryesor në këtë performancë pozitive. Norma e fitimit të operatorit ishte 55% (fitimi para taksave/totali i të ardhurave).

“Aktiviteti i shoqërisë KESH sh.a., për vitin 2018, u karakterizua nga zhvillime pozitive në pjesën më të madhe të vitit, nga ku si rezultat i kushteve të favorshme klimatike, në pjesën e parë të vitit, u arrit që në fund të 2018, të prodhoheshin 5,851 GWh, ndryshe 68.4% e prodhimit vendas, apo rreth 76% e konsumit.

Të ardhurat totale të realizuara nga shoqëria rezultuan në vlerën 16.35 miliardë lekë, nga ku 5.77 miliardë lekë janë siguruar nga shitja e 3,840 GWh energji për klientët tariforë, 9.49 miliardë lekë nga shitja e 2,200 GWh energji në tregun e parregulluar dhe diferenca, nga ofrimi i shërbimeve të balancimit dhe transaksionet energjetike për qëllime të optimizimit ekonomik. Fitimi neto i vitit 2018 ka rezultuar në 7.624 miliardë lekë”, pohoi administratori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), z. Benet Beci.

Por ai shton se situata ka ndryshuar në pjesën e parë të vitit 2019, për shkak të thatësirës së tejzgjatur. “Në afat pak më të gjatë, ecuria e reformave të liberalizimit të tregut të energjisë dhe diversifikimi i aseteve të prodhimit duhet të jenë prioritet absolut, në mënyrë që vendi të mos jetë kaq i varur nga kushtet meteorologjike që po bëhen, vit pas viti, gjithnjë e më të paparashikueshme”, thotë z. Beci.

Një vit më parë, KESH renditej në vend të 32 në renditjen e “Monitor” sipas fitimit të realizuar dhe aktiviteti i saj është shumë i ndjeshëm ndaj prodhimit të energjisë hidrike që, në vetvete, është totalisht e lidhur me prurjet e shiut në vend.

2.BKT

Në vend të dytë është “Banka Kombëtare Tregtare” (BKT), e cila vitin e kaluar ishte e para në renditjen e “Monitor 200 sipas fitimeve”. Fitimi para taksave i bankës më të madhe në vend ishte 8.7 miliardë lekë (pothuajse sa vitin e mëparshëm), me një normë prej rreth 19%.

“E mbyllëm vitin 2018 me një fitim rekord, ndërsa treguesit tanë financiarë vazhduan të përmirësohen”, pohon z. Seyhan Pencabligil, CEO & Anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT).

3.Raiffeisen Bank

“Raiffesien Bank”, e dyta më e madhja në vend sipas aktiveve, renditet e treta në listën e “Monitor 200 sipas fitimeve”, nga e dyta që ishte vitin e mëparshëm. Fitimi para taksave ishte gati 4 miliardë lekë, me një tkurrje prej 18% në raport me vitin e mëparshëm. Norma e fitimit ishte gati 36%. “Për ‘Raiffeisen Bank’, 2018 ishte një vit i shkëlqyer, patëm një prirje pozitive në kreditë për biznes dhe individë”, pohoi z. Christian Canacaris, CEO i “Raiffeisen Bank Albania”.

4.Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike

“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike” (OSHEE) raportoi fitime prej 3.2 miliardë lekësh, me një rënie prej rreth 10% në krahasim me vitin e mëparshëm, e ndikuar kryesisht nga tkurrja e lehtë e të ardhurave. “Viti 2018, për OSHEE, konsiderohet normal sa i përket aktivitetit të saj, ku shoqëria ka vijuar progresin në treguesit kryesorë, siç janë reduktimi i Humbjeve dhe rritja e Arkëtimeve”, pohoi administratori i OSHEE-së, z. Adrian Çela. Por, ai paralajmëron se në vitin 2019, ashtu si në vitin 2017, kompania po përballet me të njëjtin presion si dhe KESH, për shkak të thatësirës së theksuar hidrike, që rezulton në një kosto të rritur të blerjes së energjisë në treg, duke rrezikuar të dalë me humbje. “Viti 2019, sipas parashikimeve të prodhimit të energjisë nga ana e KESH-it, pritet të jetë viti i parë që OSHEE-ja do të përballet me një rezultat me humbje. Shkak është rritja drastike e kostos së energjisë, e cila po blihet, në pjesën më të madhe, nga importi me çmime shumë të larta të tregut ndërkombëtar”, thotë Çela.

5.Tirana International Airport

“Tirana International Airport” (TIA), kompania që operon me koncesion aeroportin e vetëm në vend, atë të “Nënë Terezës”, është ngjitur në vendin e katërt në renditje, nga i pesti një vit më parë. Fitimi para taksave i kompanisë ishte 3.1 miliardë lekë, me një rritje prej 11% në raport me vitin e mëparshëm. Teksa shpenzimet janë zgjeruar me ritme më të ulëta se të ardhurat, norma e fitimit ka arritur në 49%, pothuajse gjysmën e të ardhurave, me rritje dy pikë përqindje në raport me vitin e mëparshëm. Rritja e vazhdueshme e trafikut të pasagjerëve, si nga shtetasit shqiptarë ashtu dhe të huajt, që gjithnjë e më shumë po e vizitojnë vendin tonë, ka ndikuar në performancën pozitive të aeroportit. Gjatë vitit 2018, trafiku në Aeroportin e Rinasit shënoi nivel rekord prej 2.95 milionë pasagjerësh, sipas të dhënave nga Tirana International Airport (TIA). Në raport me vitin e mëparshëm, numri i pasagjerëve është rritur me rreth 12%.

Më se një vit më parë, Autoriteti i Aviacionit Civil kërkoi një kompani konsulence ndërkombëtare me qëllim auditimin e bilanceve të TIA-s, nga i cili më pas rezultoi se për periudhën 2004-2017, kompania kishte pasur fitime më të larta sesa plani i biznesit (150 milionë euro neto nga 66 milionë euro që ishte plani fillestar), ndonëse rezultatet nuk janë publikuar ende dhe aq më pak është marrë ndonjë veprim në vijim të këtij vëzhgimi të situatës.

6.Gjoka Konstruksion

Sipërmarrja në fushën e ndërtimit, “Gjoka Konstruksion”, është renditur për herë të parë në listën e më të mëdhenjve. Kompania ka raportuar fitime prej 2.2 miliardë lekësh, me një zgjerim të fortë prej 61%. Rritja e të ardhurave me ritme më të larta se ajo e shpenzimeve ka ndikuar në këtë performancë pozitive. Norma e fitimit para taksave arriti në 33%.

Gjoka Konstruksion renditet e katërta mes kompanive të ndërtimit, sipas të ardhurave në vitin 2018, pas “LIMAK INSAAT SANAYI”, “Alb-Star” e “Gener 2” dhe raportoi një qarkullim vjetor prej 6.7 miliardë lekësh. Në vitin 2018 u krijua dhe “Gjoka 87”, me aksioner “Gjoka Konstruksion”, e cila zbaton kontratën koncesionare/PPP “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit”. “Gjoka 87” raportoi të ardhura prej 5.8 miliardë lekësh, por fitimi ishte minimal (vetëm 1.5 milionë lekë).

7.Vodafone Albania

Operatori më i madh i telefonisë celulare, “Vodafone”, është kthyer sërish në renditjen e 10 më të mëdhenjve. Fitimi i kompanisë para taksave ishte 1.7 miliardë lekë, në 2018, pas humbjeve prej 792 milionë lekësh vitin e kaluar, me një normë prej 10.5%.

Teksa të ardhurat u rritën lehtë me 7.4%, mbajtja nën kontroll e shpenzimeve dhe sidomos ulja e atyre administrative e të tjera, ndikuan në përmirësimin e performancës së kompanisë.

8.OST

“Operatori i Sistemit të Transmetimit” (OST) është sipërmarrja e dytë me kapital shtetëror, në listën e 10 më të mëdhenjve. Kompania raportoi rritje me 20% të fitimeve, në 1.5 miliardë lekë. Rritja e të ardhurave me ritme më të larta se e shpenzimeve ka ndikuar në përmirësimin e fitimeve të kompanisë.

9.Energji Ashta

“Energji Ashta”, operatori që ka ndërtuar me koncesion hidrocentralin në Ashtë, raportoi fitime të larta prej 1.5 miliardë lekësh, pas humbjes së vitit të kaluar, duke u renditur për herë të parë ndër 10 më të mëdhenjtë. “Energji Ashta”, me fuqi të instaluar prej 48.2 MW, ka rritur të ardhurat me 60%, në 2.3 miliardë lekë në vitin 2018, pas rënies së fortë vitin e mëparshëm. Dietmar Reiner, Drejtor Ekzekutiv i Energji Ashta, pohon se “prodhimi i energjisë për vitin 2018 ka qenë 298,106 GWh dhe për vitin 2019, deri tani është 122,138 GWh, çka fatkeqësisht është nën mesataren statistikore të prodhimit vjetor”. Ai shton se prodhimi varet nga prurjet hidrike të rajonit, nëse moti është me reshje, ose i thatë, prodhimi është ose i lartë, ose i ulët, në raport me planin e biznesit.

10.Spiecapag Transadriatica

“Spiecapag Transadriatica”, e krijuar në vitin 2016, renditet për të dytin vit radhazi ndër 10 më të mëdhenjtë. Kompania franceze, që kryen punime për gazsjellësin TAP dhe ka ekspertizë në ndërtimin e tubacioneve në terrene të vështira, me profile sfiduese dhe me afate të përcaktuara, raportoi një fitim prej gati 1.48 miliardë lekësh, me një normë prej 9.6%. Së bashku me subjektin tjetër “Spiecapag Shqipëria”, ato ishin në renditjen e 10 më të mëdhave “Monitor 200”, edhe sipas qarkullimit vjetor.

Projekti i TAP, investimi më i madh i realizuar ndonjëherë në Shqipëri, me vlerë prej 1.5 miliardë eurosh, është tashmë drejt fundit. Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri, ka pohuar se në terma afatshkurtër, parashikimet e një sërë institucionesh financiare për rritjen ekonomike në Shqipëri për vitet 2017 dhe 2018, vlerësuan se rritja vjetore e ekonomisë shqiptare ishte pjesërisht rrjedhojë e pranisë së TAP. “Në vitin 2019, volumi i punimeve të ndërtimit ishte më i vogël krahasuar me dy vitet e mëparshme, si pasojë e përfundimit gradual të punimeve të ndërtimit, kështu që ndikimi në ekonominë shqiptare pritet të jetë më i ulët”, shton ai.

“Bessac”, po franceze, është një tjetër nënkontraktor i TAP në listën e më të mëdhenjve, duke u renditur në vend të 16, me 1 miliard lekë fitime. Ai ka ndërtuar mikrotunelin e Çorovodës.

Nënkontraktorët e TAP vitet e fundit janë rreshtuar në dhjetëshen e kompanive më të mëdha, si për fitime, ashtu dhe për të ardhura, duke treguar se sipërmarrjet në Shqipëri kanë përmasë të vogël në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit. Nga ana tjetër, TAP nuk u shfrytëzua si në Greqi apo Turqi për të dhënë punë për subjekte lokale, por u angazhuan kontraktorë të huaj që, jo vetëm tani marrin mbrapsht fitimin e realizuar nga kontratat, por edhe “know-how” e ndërtimit të një vepre të tillë… duke lënë pas pak ose aspak nga 1.5 miliardë euro investime të TAP.

Ndikimi i TAP në ekonominë e vogël dhe të paqëndrueshme vendase u duk qartë, teksa me përfundimin e aktivitetit të nënkontraktorëve, të ardhurat nga TVSH e brendshme ranë me 48% në shtator dhe 22% për 9-mujorin.

Daljet nga dhjetëshja

“Spiecapag Shqipëria”, operatori tjetër i francezes Spiecapag, që punon si nënkontraktor i gazsjellësit TAP, ka kaluar në vend të 12, nga vendi i katërt në renditjen e një viti më parë, kur fitimet ranë me 42%, në 1.4 miliardë lekë.

“Albchrome” është një dalje tjetër, me fitimet që zbritën në 36%, në 1.3 miliardë lekë. Në renditjen e një viti më parë, kompania ishte në vend të gjashtë.

“Intesa Sanpaolo”, që në 2017-n ishte në vend të shtatë, ka përgjysmuar fitimet një vit më vonë, në 813 milionë lekë, si rrjedhojë e kostove nga përthithja e Veneto Bank.

Lojërat e fatit historikisht kanë qenë ndër kompanitë me fitim më të lartë në vlerë absolute, por edhe si normë. “APEX-Al” ishte në vitin 2017, në vend të nëntë me fitime prej 1.7 miliardë lekësh dhe normë prej 70%. Nga 1 janari i këtij viti, këto biznese kanë pushuar së funksionuari.

Operatori i tregtimit të energjisë, “GSA”, nga vendi i dhjetë në 2017-n, ka zbritur në të 17-n, pas rënies së fitimeve me 30%, në 1 miliard lekë.

SEKTORËT ME FITIME MË TË LARTA

Nëse bëjmë një renditje të sektorëve më fitimprurës në vend nuk ka asnjë surprizë.

-Koncesionet janë në krye. Norma mesatare për subjektet që kanë kohë në treg arrijnë dhe në 50%. Mesataren ua “prishin” pak koncesionarët e rinj, që gjithsesi kanë norma dyshifrore, por luhaten në rreth 10-15%, që në vitin e parë të aktivitetit.

-Të dytët janë bizneset që arrijnë të marrin tenderë (me garën e kufizuar, këtë privilegj sa vijnë dhe e kanë më pak sipërmarrje). Kthimi zyrtar shpesh arrin dhe mbi 30%.

-Ndërtimet rezidenciale, të preferuara për kthimin e shpejtë, ndonjëherë edhe pa mbaruar investimi, kanë norma të luhatshme, në varësi të ciklit të shitjeve, por mesatarja llogaritet në rreth 15%.

-Energjia është një sektor në rritje, por me luhatje të mëdha fitimesh, në varësi të motit. Në vite të mbara me reshje, kthimi mund të arrijë dhe mbi 30%, ndërsa moti i thatë i kthen menjëherë më pak fitime, ose dhe humbje.

-Tregtia me shumicë e produkteve, sërish nuk zhgënjen, ndonëse me norma fitimi të ulëta në rreth 7%, por që në vlerë absolute janë të larta, për shkak të qarkullimit të konsiderueshëm vjetor.

-Industria përpunuese, në pjesën më të madhe, po i zhgënjen ata që i kanë hyrë kësaj rruge të mundimshme. Eksportuesit raportojnë dhe norma fitimi prej 2%, ndërsa mesatarja mbetet njëshifrore.

-Në një vend, ku rreth 95% e automjeteve janë të përdorura dhe ku informaliteti është shumë i lartë, distributorët e automjeteve të reja duhet të kënaqen me një normë prej 5%.

-Sektori më i “lodhshëm” rezulton ai i naftës, me qarkullim të lartë dhe norma prej më pak se 2%.

“Bankers Petroleum”, me fitim kontabël 3 miliardë lekë, por nuk paguan taksa

“Bankers Petroleum”, eksportuesi më i madh në vend, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, atë të Patos Marinzës, ka rezultuar me një fitim kontabël prej gati 3 miliardë lekësh, sipas të dhënave të publikuara nga Tatimet. Ky fitim do ta rendiste atë në vend të katërt ndër 10 më të mëdhenjtë. Por kompania nuk deklaron fitimin fiskal dhe si rrjedhojë, ajo nuk paguan tatimfitim.

Burime nga Bankers pohuan se, bazuar në standardet e kontabilitetit, fitimet kontabël janë të ndryshme nga fitimet fiskale. Në bazë të marrëveshjes me qeverinë, shpenzimet kapitale llogariten brenda vitit dhe nuk shtrihen në disa vite, siç ndodh me kompanitë e tjera, çka bën që operatori të rezultojë me humbje fiskale.

Burime nga kompania thanë se dalja me fitim fiskal do të varet nga ecuria e shpenzimeve dhe të ardhurave, që janë të lidhura me çmimet në tregjet ndërkombëtare.

Që prej fillimit të aktivitetit, kompania nuk ka dalë asnjëherë me fitim sipas konceptit fiskal të aplikuar për kompanitë komerciale që kanë përfituar koncesione për shfrytëzimin e burimeve të naftës e gazit, që sipas marrëveshjes koncesionare do të duhet të tatohej me 50%. Rezultati tatimor i shoqërisë nuk llogaritet sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, por bazuar në Marrëveshjen e Hidrokarbureve lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe Bankers miratuar në 2004-n, sipas së cilës, rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative, por edhe ato kapitale të bëra nga subjekti përfitues i koncesionit.

Kompania vazhdimisht i ka shtyrë planet për të dalë me fitim, fillimisht si rrjedhojë e rritjes së rentës minerare në vitin 2010, në nivelin e 10% të prodhimit, më pas nga rënia e çmimeve të naftës.

Bankers ka qenë vazhdimisht në konflikt me institucionet shtetërore, si Tatime e Dogana dhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve të Natyrës (AKBN), të cilët e kanë hetuar për evazion fiskal dhe fryrje të shpenzimeve kapitale, me qëllim mospagimin e tatimfitimit. Në vitin 2015, AKBN auditoi bilancet e viteve të mëparshme të Bankers dhe doli në konkluzionin se kompania kishte rritur artificialisht shpenzimet me 300 milionë dollarë, për të paguar më pak taksa në shtet. Në fund të vitit 2015, duke u bazuar te raporti i Agjencisë së Burimeve Natyrore, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bllokoi llogaritë e Bankers, duke i kërkuar të paguajë 75 milionë dollarë së bashku me gjobat. Bankers e ankimoi Shqipërinë në Arbitrazh Ndërkombëtar, ndërkohë filloi të paguante gradualisht gjobën. Por, në vitin 2018, Arbitrazhi vendosi pro Bankers duke e detyruar qeverinë shqiptare t’i kthejë kompanisë 57 milionë dollarë, plus interesat dhe shpenzimet e gjyqit, në një total prej 60 milionë dollarësh.

Së fundmi, një tjetër konflikt mes Bankers dhe qeverisë ishte për dyshimet për shmangien e të paktën 30 milionë euro detyrime akcizë për lëndën e parë (holluesin), që përdoret në prodhimin e naftës bruto. Një gjobë prej 104 milionë lekësh u pezullua në gusht 2019 nga ministrja e Financave, Anila Denaj, me argumentin se po shqyrtohet dosja për këtë kompani dhe ka ende problematika.

Ndryshe nga Bankers, nënkontraktorët e tij kanë raportuar historikisht norma të larta fitimi. “Summer Drilling Services” (ish-SIMMONS EDECO) kishte një normë kthimi prej 12%, ndërsa vitet e mëparshme ky tregues arrinte deri në 50%. “CROSCO, naftni servisi d.o.o. – Dega Tiranë”, kishte një normë prej 36%.

Një vit më parë, qeveria miratoi një projektligj për ndryshime për regjimin fiskal në sektorin e hidrokarbureve, i cili parashikonte dy ndryshime të rëndësishme fiskale. I pari, që edhe nënkontraktorët të tatoheshin me 50%, pasi Bankers kalonte një pjesë të shpenzimeve përmes tyre, meqë këto kompani tatoheshin me 15%. Së dyti, kompanitë e prodhimit të naftës do të paguajnë tatimfitim menjëherë sapo realizojnë të ardhura dhe jo deri sa të kompensojnë investimet e tyre. Por këto ndryshime ligjore kanë mbetur pezull dhe nuk dihet se kur do të miratohen.

FITIMI I SIGURT I KONCESIONARËVE

Koncesionet kanë qenë historikisht biznese “të dhuruara”, me treg të sigurt, mungesë konkurrence e fitime të larta. Edhe për këto biznese mungon një analizë e qartë kosto-përfitime, llogaridhënia është e ulët dhe kontratat vetëm ndryshojnë formë, por nuk prishen asnjëherë dhe rrallë arrihet që publiku të përfitojë më shumë nga ky rinegocim, përkundrazi në disa raste, termat e koncesionit janë ndryshuar në favor të koncesionarit.

Përjashtim për fitime të larta bën vetëm “Bankers Petroleum”, por siç u shpjegua dhe më lart, nëse do të operonte normalisht, kompania do të kishte raportuar rreth 3 miliardë lekë fitime në 2018.

Koncesionari i Aeroportit të Rinasit, “Tirana International Airport”, është një nga bizneset më fitimprurëse në Shqipëri. Norma e fitimit e raportuar për 2018, prej 49%, është më e larta që kompania ka arritur ndonjëherë që kur ka nisur aktivitetin në vitin 2004. Në vitin 2015, norma bruto e fitimit ishte 41% dhe në vitin 2013, ishte 35.5%.

Në mars të vitit 2016, qeveria shqiptare njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me kompaninë që menaxhonte aeroportin, duke hequr kështu ekskluzivitetin, ngërçin që pengonte hapjen e aeroporteve të tjerë.

Heqja e ekskluzivitetit i dha TIA-s dy vite shtesë nga koncesioni, duke çuar afatin e ri në 2027 për përfundimin e kontratës, në këmbim të hapjes së Aeroportit të Kukësit, i cili edhe sot është jo funksional, por së fundmi është miratuar koncesioni për të bërë të mundur vënien në punë të tij.

“Albchrome”, që shfrytëzon me koncesion minierën e Bulqizës, raportoi fitime prej 1.3 miliardë lekësh, me një normë prej 12%.

“Durrës Container Terminal”, që ka me koncesion terminalin e pasagjerëve, ka hyrë sërish në listën e më të mëdhenjve, pasi ka pesëfishuar fitimet në vitin 2018, në 510 milionë lekë. Norma e fitimit të këtij koncesionari, arriti në 42% në vitin 2018.

“Aleat”, që ka me koncesion prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave, me 506 milionë lekë fitime, është me tkurrje për të dytin vit radhazi. Norma e fitimit ishte 23%.

“SICPA Security Solutions Albania”, koncesionari i pullave, raportoi fitime prej 152 milionë lekësh, me një normë rreth 32%.

Të rinjtë

Vrulli i koncesioneve të reja vetëm sa është “përmirësuar” për sipërmarrësit, ndërsa të gjithë rreziqet po i merr shteti (lexo taksapaguesi). Marrëveshjet e viteve të fundit, si ajo për check-up, dializën, apo Rrugën e Kombit, parashikojnë kompensim për shërbimet e munguara në rastin e shëndetësisë, apo të trafikut te rrugët. Ndërsa koncesionarë të tjerë, si “Integrated Technology Services”, që po ndërton inceneratorët e plehrave, vijojnë të marrin pagesa nga shteti, ndonëse janë në ndjekje nga Prokuroria për skemë evazioni, përmes mashtrimit të faturave të TVSH-së.

“Albanian Highway Concession” ka fituar koncesionin për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës Milot – Morinë, me afat 30 vjet, e miratuar në vitin 2016, por zbatimi i saj filloi vetëm në shtator të 2018. Ajo është një konsorcium mes dy sipërmarrjeve të mëdha, “Kastrati” dhe “Salillari” (me nga 50% secila). Ndonëse koncesionari do t’i marrë pjesën më të madhe të të ardhurave nga tarifat e kalimit prej 5 eurosh për autoveturë dhe 22 euro për kamion, buxheti parashikon t’i paguajë nga fondet e taksapaguesve edhe 12.4 miliardë lekë për periudhën 2019-2032, si kompensim për trafikun e munguar.

Ky ishte koncesioni më fitimprurës ndër të rinjtë. Në vitin 2018, kompania raportoi të ardhura 2.8 miliardë lekësh dhe fitime 908 milionë lekë para taksave, me një normë prej 32%. Burime nga kompania pohuan se norma e lartë e fitimit shpjegohet me faktin se, në fazën e parë të projektit, nuk pritet të ketë shpenzime të mëdha, pasi kryesisht ka mirëmbajtje, por po gjenerohet likuiditet, pasi kostot pritet të rriten ndjeshëm më vonë. Ndërsa pas 18-20 vitesh, asfalti do të duhet të ndërrohet tërësisht.

Sipas burimeve nga Ministria e Financave, në vitin 2018, koncesionari mori 308 milionë lekë pagesa nga buxheti, nga të cilat 250 milionë lekë janë defekte të fshehura të kontratës (qeveria u detyrua të paguajë kompensimin për uljen e tarifës për banorët e Kukësit dhe dëmet në prishjen e traut pas protestave në pranverë 2018), dhe 60 milionë lekë do të paguhen për supervizionin e kontratës.

“SaniService” fitoi në vitin 2015, koncesionin për “Ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, për një afat 10-vjeçar. Deri në vitin 2025, buxheti duhet t’i paguajë kompanisë edhe 12.3 miliardë lekë, sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave. Në vitin 2018, kompania dyfishoi të ardhurat në 1.73 miliardë lekë, ndërsa katërfishoi fitimet në 265 milionë lekë, me një normë prej 15% (para taksave).

Faturat e sterilizimit e kanë kaluar planin e financimeve në buxhet me 461 milionë lekë, ose 3.6 milionë euro. Sipas burimeve zyrtare nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, shpenzimet për shërbimet e sterilizimit të personalizuar të pajisjeve kirurgjikale të kryera nga Partneriteti Publik-Privat (PPP) ishin 2 miliardë lekë në vitin 2018, ose 28.3% më shumë se plani prej 1 miliardë e 560 milionë lekësh që ishte programuar në buxhetin e vitit 2018. Sipas FDSKSH janë kryer rreth 90 mijë ndërhyrje, sipas kompleksiteteve, pa përfshirë paketimet me avull. Burimet nga QSUT pohuan se, për këtë shkak, është ndaluar kryerja e disa operacioneve të lehta.

“3P Life Logistic”, koncesionari i Ofrimit të Shërbimit të Kontrollit Bazë (Check-Up), merr rreth 876 milionë lekë pagesa për shërbimet që kryen. Kompania ka fituar koncesionin i cili është nënshkruar në vitin 2015 dhe afati i saj është 10 vjet. Fitimet ishin 90 milionë lekë, me një normë prej 11%. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) konstatoi në raportin e buxhetit faktik 2018 se, në periudhën 2015-2018, koncesionari ka marrë një pagesë prej 801 milionë lekësh (rreth 6.5 milionë euro) për punën e pakryer. Sipas kontratës Check-up duhet të kryejë rreth 475 mijë kontrolle bazë në vit. Në rast se nuk i plotëson, diferenca paguhet nga shteti.

Kompania tjetër “DiaVita”, e cila ofron shërbimin e dializës nëpërmjet një koncesioni realizoi rreth 47 milionë lekë, ose 381 mijë euro fitime vitin e kaluar, me një normë prej 7.3%. Sipas të dhënave zyrtare nga bilanci i vitit 2018, kompania realizoi të ardhura rreth 643 milionë lekë, të cilat janë financime nga buxheti i shtetit për shërbimin e dializës që kompania ofron prej dy vitesh në disa qytete të vendit. Edhe pse të ardhurat më 2018 ishin më të larta se një vit më parë, kompania raportoi rënie të fitimeve me 36% në raport me vitin 2017.

“Integrated Technology Services”, që po zbaton projektet e inceneratorëve, raportoi të ardhura prej rreth 1 miliard lekësh në 2018-n, nga aktiviteti i inceneratorit të Elbasanit. Fitimet ishin 84 milionë lekë, me një normë minimale prej 7.7%. Kompania është nën hetim, pasi figuron e para në listën e subjekteve që kanë marrë fatura fiktive blerjeje dhe janë përfshirë në hetimin e Prokurorisë për një skemë të mashtrimit me TVSH. Kompania ka bërë blerje fiktive përmes 164 faturave, që arrijnë në 987 milionë lekë. Këto blerje janë të lidhura me kompaninë tjetër “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, që është 100% në pronësi të Integrated Technology Services, raportoi të 2018-n të ardhura prej 955 milionë lekësh dhe po kaq dhe shpenzimet për lëndë të parë dhe të konsumueshme, duke deklaruar një fitim zero. Kompania ka deklaruar zero shpenzime të tjera, si për punonjës ashtu dhe të tjera. Shpenzimet për lëndë të parë dhe të konsumueshme të këtij inceneratori janë të përafërta me blerjet fiktive të bëra nga kompania mëmë, Integrated Technology Services.

Për të tre inceneratorët, atij të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, buxheti pritet të paguajë edhe 46 miliardë lekë deri në 2046. Projekti më afatgjatë është inceneratori i Tiranës, që është i shtrirë deri në vitin 2046 dhe do të marrë pagesa nga buxheti në total prej gati 40 miliardë lekësh (314 milionë euro) për periudhën 2019-2046.

BIZNESI I MIRË I NDËRTIMIT E TENDERËVE

Norma e lartë e fitimit dhe kthimi i shpejtë janë arsyet kryesore se pse kompanitë rendin pas ndërtimit, si atyre inxhinierike (rrugëve përmes tenderëve) ashtu dhe rezidenciale. Ato raportojnë një panoramë të kënaqshme financiare dhe norma fitimi dyshifrore.

Ndonëse ritmet e rritjes së këtij sektori u ngadalësuan në vitin 2018, fitimet kanë mbetur të qëndrueshme për pjesën më të madhe të kompanive kryesisht në punimet inxhinierike. Në të kundërt, sektori rezidencial ka raportuar rënie të normave.

Kompanitë me aktivitet në ndërtimin e rrugëve dhe punëve publike, që vitet e kaluara nuk arrinin më shumë se 25% normë fitimi, tashmë e kanë rritur marzhin dhe, në disa raste, deklarojnë më shumë se 30%, në një tregues indirekt të uljes së konkurrencës reale në garat publike.

“Gjoka Konstruksion”, kryesisht në fushën e ndërtimeve inxhinierike, ka kaluar në operatorin me fitime më të mëdha në këtë sektor në 2018-n, me 2.1 miliardë lekë, më se dyfishim dhe arriti një normë rekord prej 33%.

“ManeTCI”, pjesë e grupit Balfin, është e dyta në renditje sa u përket fitimeve në vlerë absolute, që arritën në 1.1 miliardë lekë, me një normë prej gati 18%. Teksa grupi është larguar nga ndërtimet në kryeqytet, “ManeTCi” po zhvillon kryesisht projekte në bregdet.

“Alb Building”, në fushën e ndërtimeve inxhinierike dhe rezidenciale, që vitin e kaluar ishte me fitimet më të larta në vlerë absolute, ka kaluar e treta, kur pa një rënie të lehtë të rezultatit financiar, me 10%, në 966 milionë lekë. Por, norma e fitimit u rrit me katër pikë përqindje në 33%, duke e renditur ndër sipërmarrjet me kthyeshmëri më të lartë në këtë segment. Grupi është diversifikuar dhe në prodhimin e energjisë, nëpërmjet ndërtimit të hidrocentraleve, me Alb-Energy, që raportoi një normë fitimi rekord prej rreth 77%.

“Alb-Star” pesëfishoi fitimet në 506 milionë lekë.

“Albanian Highway Concession”, koncesionari i rrugës Durrës-Kukës, është një hyrje e re te kompanitë e ndërtimit, duke raportuar që në vitin e parë jo të plotë të aktiviteti, një normë prej 32%.

Për ndërtesat rezidenciale, normat e fitimit janë shumë të luhatshme. Në varësi të ciklit të shitjes së apartamenteve mund të arrijnë edhe në mbi 50%.

Operatorët që panë ngadalësim të të ardhurave në 2018-n, pas lulëzimit një vit më parë, raportuan dhe një rënie të lehtë të normave të fitimit, ose një përmirësim të lehtë të tyre. Në 2018, normat e fitimit të subjekteve të përqendruara në sektorin rezidencial, luhaten mes 6% dhe deri mbi 40%, në varësi të ciklit të shitjes së apartamenteve. Më fitimprurëset në vitin 2018 janë “Fratari Construction 1990” (45%); “Erjoni” (23.1); “Kika” (19.2%); “Homeplan”, (18%), etj.

Rënie të formave të fitimit panë “Agi Kons”, në 6%, “Rafaelo 2002”, prej 4.3%, “2 T”, në 12.7%. “Parc Construction” kishte normën më të ulët të kthimit nga ndërtuesit VIP, në 3.1%./MONITOR

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular