BallinaKryesoreD(Ylberja) u vra duke sulmuar “qendrën e reaksionit kosovar”

D(Ylberja) u vra duke sulmuar “qendrën e reaksionit kosovar”

Nga Kastriot Dervishi

Në bulevard u vendos me vonesë edhe fotoja e një “heroine”, identiteti i së cilës shkruhet në disa variante. Emri shkruhet herë “Ylbere” e herë “Dylbere”, ndërsa mbiemri është një mishmash i vërtetë se herë shkruhet “Bilibashi”, “Belibashi”, “Bylykbashi”. Varianti i saktë nuk dihet. Në dekretin që e shpalli heroinë, nr.4600, datë 24.11.1969 të Presidiumit të Kuvendit Popullor, ajo është numri 60 i listës me emrin “Ylbere Bilibashi”, me motivacionin, “si agjitatore propagandiste e vijës së partisë dhe komuniste trime”.

Në librin “Yje të pashuar”, volumi I, faqe 429, shkruhet se e ka emrin Ylbere Bilibashi. Këtu jepen vitet ekstreme të jetës së saj 1928-1944, si dhe një përshkrim krejt fantastik me një gjerman të zemëruar që i kërkon të bërtasë fort: “poshtë komunizmi”, por që Ylberja nuk pranonte, megjithëse e plagosur. Madje kishte thënë “rrofshin komunistët”. Përveç një letërsie bajate komuniste, në këtë libër nuk bëhet e ditur asgjë se si ishte puna e Dylberes që është bërë edhe heroinë. Mbi këtë variant është mbështetur edhe dekreti. Pra dekorimi është bërë mbi një ngjarje të sajuar.

Në librin me dokumente për heronjtë, botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Tiranë 1986 në faqe 153-156, jepen pjesërisht dy trakte të Brigadës së 3-të komuniste, për luftën e saj në Junik të Kosovës më 20.10.1944, në të cilat përmendet edhe Dylberja. Këtu nuk del ndonjë gjerman që e ka kërcënuar, por që ka rënë në betejë së bashku me Kozma Papadhimën dhe Mihal Tasen. Madje ka edhe një trakt të datës së vrasjes ku thuhet se Dylberja luftoi me trimëri, etj. Pra libri “Yje të pashuar”, te i cili bazohen edhe sot këta të dekorit të komitetit, nuk ka shkruar gjë tjetër veçse gënjeshtra. T’i kundërvihemi këtyre gënjeshtrave e të themi të vërtetën, quhemi “neofashistë”.

Vrasja e Dylberes lidhet me brigadat komuniste nga Shqipëria që luftuan në Kosovë. Po kundër kujt luftuan? Sigurisht kundër shqiptarëve të Kosovës. Historiani kosovar Muhamet Shatri në librin “Kosova në Luftën e Dytë Botërore”, Prishtinë 1997, faqe 177, ndër të tjera thotë: “Operacionet për “çlirimin” e Kosovës u zhvilluan gjatë muajve tetor-nëntor 1944…Brigadat shqiptarë hynë në Kosovë në ditët e para të tetorit. Ato ndeshën kryesisht në forcat e armatosura nacionaliste, qëndresa e të cilave ishte mjaft e fortë, por që erdhi duke rënë derisa, nga fundi i tetorit, pothuajse pushoi”.

Po dokumentet e Brigadës së 3-të komuniste, çfarë na tregojnë? Le t’i shohim. Në dokumentin e datës 15.11.1944 të shtabit të kësaj brigade, për ngjarjet nga 18 tetori deri në 15 nëntor 1944, ndër të tjera thuhet: “Prej datës 20.10.1944 e gjer më sot, vazhdimisht, të gjitha forcat e Brigadës së 3-të, me përjashtim të  2-3 ditëve brenda këtij intervali, ndodhen në përpjekje. -20.10.1944. Batalioni i 1-rë sulmoi qendrën e reaksionit kosovar, Junikun. Më në fund partizanët hynë në Junik. U kapën 32 bashibozukë. Dy skuadra u shtrinë  përtej Junikut por u goditën me armikun që organizonte kundërsulmin. Forcat tona u tërhoqën në mbrëmje prej Junikut në Batush. Në këtë ditë, Batalioni 1-të pati 7 të vrarë dhe 2 të plagosur. Armiku pati shumë të vrarë.  (U kontrolluan gjer më 10 kufoma). Numri i armikut i kalonte 700, armatimi i tij ishte shumë i mirë”.

Siç edhe shihet, nuk raportohet asnjë prani naziste në luftime. “Reaksioni” në gjuhën e tyre quhej elementi nacionalist që nuk ishte në shërbim të serbëve. Në fletët e tjera të raportit, nuk del evidentimi i emrit të Dylberes. Në një listë të të vrarëve gjendet edhe ajo, por me vitlindjen 1927 dhe me shënimin se ishte “e re komuniste”. Si përfundim, nuk rezulton që heroina të ketë ndonjë meritë kundër pushtuesit, por kundër shqiptarit e në favor të serbit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular