BallinaKronikePrehet në banesën e fundit Sherif Dervishi. Një lamtumirë e paparë, dinjitoze...

Prehet në banesën e fundit Sherif Dervishi. Një lamtumirë e paparë, dinjitoze për mjeshtrin e këngës!

Sot, mijëra burra e gra i dhanë lamtumirën e fundit njeriut të tyre: familjarit, farefisit, shokut, mikut, kolegut, njeriut me shumë vlera shoqërore, artistike e intelektuale, bilbilit të këngës Sherif Dervishi.

Ishte një përcjellje lamtumire e paparë, dinjitoze vetëm për njerëz si ai. E tillë përcjellje ju rezervohet vetëm atyre të jashtëzakonshmëve, atyre që janë me hapa para të tjerëve. I tillë qe Sherif Dervishi.

U shemb Shqipëria  e ra në Tiranë, u ngrit Tirana në këmbë për të nderuar, ashtu si e meritonte, njeriun talent të Zall-Dardhës. Varg e varg njerëzit, pambarimisht drejt shtëpisë së tij, ku do t’i bëheshin nderimet e merituara. Varg i gjatë, i gjatë, i makinave.

Dervishet, familjarët dhe të afërmit e tij, në rresht, në këmbë, si e do zakoni, për të nderuar këdo që kishte ardhur për të nderuar të ndjerin dhe për të respektuar të gjallët. Në këmbë janë Mehdi Dervishi, Dogjan Dervishi, Dali Dervishi, Sefedin Dervishi, Shemsi Dervishi, Din Dervishi, Abas Dervishi, Shefki Dervishi, Besnik Dervishi, Lutfi Dervishi, Ilmi Dervishi, Kujtim Dervishi, Agim Dervishi, Xhelal Dervishi, Zenel Dervishi, Mevlan Dervishi, Enver Dervishi, Avni Dervishi, Xhavit Dervishi  etj. etj.

Kafe e madhe u poq. Ngushëllimet pa fund u bënë. Njerëz në heshtje e në dhimbje kalojnë si në roje nderi, si një kortezh gjigant e i heshtur mortor.

Kishte ardhur nga Kalaja e Dodës dhe bilbili tjetër Myfterim Kupa së bashku me Fatmir Dakun, me gjithë kushtet shëndetësore që, ai, dihet se ka. Donte t’i jepte lamtumirën, si e meritonte, bilbilit tjetër të këngës.

Ishte shembur e ra në Tiranë edhe Qendra Kulturore e Peshkopisë, me gjithë drejtorin e saj Arif Vladi, me ish drejtorin Veli Vraniçi, Faik Vojkën etj.

Nuk mund të mos ishin pjesë e kësaj dhimbje dhe këtij nderimi dhe tre kompozitorët e shquar të Dibrës, me të cilët, i ndjeri kishte bashkëpunuar në mënyrë të suksesshme për katër dekada, si: Edmond Zhulali, Xhelil Imeraj dhe Përparim Tomçini.

Ishin të pranishëm këngëtarë nga Hasi, nga Luma, të gjithë këngëtarët e Dardhës , si: Mjeshtrja e Madhe Lirie Rasha, Mjeshtri i Madh Skënder Cala,  Shaban Mziu, Dritan Jashari,  Caje Poleshi e të gjithë më të rinjtë, ansambli i Lurës në rresht, ansambli ”Kuvendi i Dardhës në rresht, këngëtarë e këngëtare të shquara nga Jugu e nga Veriu, qytetarë e intelektualë nga Tiranë e rrethet, nga Kalisi, Vila, Buzëmadhja, Reçi, Lura, Çidhna, Zall-Dardha, gazetarë e njerëz të botës së medies e të artit.  Lugjet për dere, burra e gra!

Te varrezat e Tufinës, ku do të prehet në përjetësi artisti Sherif Dervishi, për të pranishmit, në emër të familjes, fjalën e rastit e mbajti gazetari i njohur Dëfrim Methasani, ndërsa në emër të familjes ju shprehu falënderimet djali i vetëm i Sherifit, Fatjon Dervishi, i cili, sapo kishte bërë dhe një videoklip së bashku me babanë e tij të paharruar, kushtuar njeriut të respektuar e me vlera të fisit Dervishi, oficerit të Mbretërisë dhe të viteve të pushtimit, xhaxhait të tij, Sali Dervishit.

Një kurorë me lule, mbi varrin e  të ndjerit u vu nga z.Neshat Ndreu, president i ansamblit “Kuvendi” të Zall-Dardhës.

Ishte vërtetë një lamtumirë e pa paparë, dinjitoze  vetëm për njerëz si Sherif Dervishi, që kanë hyrë në zemrat dhe në mendjet e njerëzve, për atë çfarë ai kishte bërë për artin e kulturën e Zall-Dardhës, të Dibrës dhe të Shqipërisë.

Dhe të gjithë, në dhimbje e në heshtje largohen nga atje, ku do të prehet bilbili i këngës jo vetëm dibrane, Sherif Dervishi, sigurisht për ta ruajtur, ashtu si ishte, në mendjet e në zemrat e tyre.

Por, sa keqardhje ndjejmë për faktin se asnjë nga pushtetarët dhe deputetët nuk gjeti kohë t’i jepte lamtumirën e fundit dhe respektin e merituar këtij burri artist!  Sa keq,, që këta njerëz kanë degraduar deri në këtë derexhe e s’duan t’i a dinë jo më për të vdekurit, por as për të gjallët!…Si nuk erdhi këmbë njeriu nga Bashkia, Qarku dhe Prefektura e Dibrës! Si nuk u pa një deputet, për be! Si nuk pati asnjë person, më e pakta, nga ministria e Kulturës apo bashkia e Tiranës, si qytetar i saj që ishte!

I përjetshëm qoftë kujtimi i Sherif Dervishit! Fatos DACI

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular