BallinaAktualitet"Telefonata shantazhuese", zëdhënësi i Presidentit në Prokurori, Tedi Blushi jep detaje nga...

“Telefonata shantazhuese”, zëdhënësi i Presidentit në Prokurori, Tedi Blushi jep detaje nga dëshmia

Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi është thirrur në prokurorinë e Tiranës, pas telefonatës së  shumë përfolur kërcënuese në adresë të tij.

Pasditen e së enjtes, përmes një statusi në facebook, Presidenti Meta deklaroi se zëdhënësi i tij Tedi Blushi është shantazhuar nga një ambasadë e huaj në Tiranë. Meta theksoi se shtantazhi për shkak të detyrës ndaj Blushit ka ardhur pas një postimi që ky i fundit kishte bërë në rrjetet sociale, ku i kërkohej që të hiqej. Ndërkohë një ditë më pas, Presidenca iu drejtua me një shkresë organit të akuzës ku i kërkonte të verifikojë telefonatën shantazhuese ndaj zëdhënësit, Tedi Blushi.

Në shkresë thuhej që 30 minuta pas një statusi të hedhur në “Facebook”, “këshilltari i presidentit është telefonuar nga një person i cili është prezantuar si punonjës i një prej ambasadave në vend. Personi fliste gjuhën shqipe por pas disa minutash bisedë i ka kërkuar këshilltarit të bisedojë me një diplomat në gjuhë të huaj”.

Presidenca kërkoi nga ana e Prokurorisë të verifikohet se kujt i përket numri dhe nëse personat që kanë telefonuar dhe shantazhuar zëdhënësin janë ose jo diplomatë.

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës Tedi Blushi ka folur për mediat pas dëshmisë në Prokurori lidhur me shantazhin që pretendon se është bërë ndaj tij më 21 nëntor për shkak të një postimi në “Facebook”.

Blushi tha se kanë qenë dy shtetas të ndryshëm me të cilët ka komunikuar në shqip dhe në një gjuhë tjetër. Nuk ka preferuar të japë shumë detaje, por Blushi deklaroi se i ka vënë gjithçka në dispozicion prokurorisë.

“Ju përgjigja ftesës së prokurorisë për të dhënë më shumë sqarime lidhur me një telefonatë që kam për shkak të detyrës sime pasur mëngjesin e 21 nëntorit, pas një statusi që kam vendosur në rrjetin social ‘Facebook’. Kam pasur një telefonatë për të cilën nuk dua të flas tani por kam dhënë gjithë sqarimet e duhura dhe të nevojshme pranë organit të akuzës”, tha Blushi.

I pyetur se nga kush ka ardhur kjo gjë, zëdhënësi i Presidentit tha se e prek nga organi i akuzës përgjigjen.

“Këtë pres të ma thotë prokuroria. Telefonuesit se nuk ka qenë një, kanë qenë dy. Kam komunikuar me dy shtetas të ndryshëm në telefon, në gjuhën shqipe dhe në një gjuhë të huaj, të cilën nuk dua ta them për momentin. Më është kërkuar të ndryshoj qëndrimin tim publik, sigurisht për shkak të detyrës. Për të gjitha këto, kam vënë në dijeni organin e akuzës, i cili besoj se do ta zbardhë këtë çështje shumë shpejt”, deklaroi Blushi.

Mes të tjerash ai tha se i është drejtuar prokurorisë pak orë pasi kishte marrë telefonatat. Ndonëse u ngacmua me disa pyetje nga gazetarët për të dhënë detaje nga shantazhimi, zëdhënësi i kreut të shtetit tha se do të japë sqarime në një moment të dytë.

“Janë detaje që s’do doja t’i bëja publike përsa kohë kam besim të prokuroria, organi i akuzës, që do të nxjerrë në dritë të drejtën shumë shpejt. Prokuroria është njohur me të gjitha faktet. Sapo kam marrë këtë telefonatë, pas disa orësh i jam drejtuar organit të akuzës, ku i kam vënë në dijeni për çfarë ka ndodhur. Kam besim tek drejtësia. Janë çështje që i kam sqaruar shumë mirë në prokurori dhe besoj se do t’i sqaroj në një moment të dytë”, përfundoi Blushi.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular