BallinaOP EDAgron Tufa është i lirë, ne jemi në koma

Agron Tufa është i lirë, ne jemi në koma

Nga Granit Zela

Kur në një deklaratë të Platformës Evropiane të Kujtesës dhe Ndërgjegjes (PEMC), organizatë e themeluar nga dymbëdhjetë vendeve të Bashkimit Evropian u shpreh shqetësimi i madh “për kërcënimet që i janë drejtuar z. Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit” dhe u bëri “thirrje autoriteteve përkatëse të garantojnë sigurinë e tij” asnjëreagim nuk pati. Pasi avokati Kujtim Cakrani bëri kallëzim në polici për kërcënimin e parë me vdekje ai nuk u pranua. U bë kallëzim në prokurori. Nuk u shqetësuan.

Kur  Agron Tufa bëri publik kërcënimin e dytë me vdekje,  një fantazmë që ka braktisur filmat e kohës së realizmit socialist dhe drejton në vitin 2019 Komisionin e Sigurisë Kombëtare, jo vetëm që nuk garantonin sigurinë e tij, por i shtuan në mënyrën më primitive edhe kërcënimet e tyre, edhe kërcënimet e megafonëve  partiakë mediatikë, frymëzuan një fushatë linçimi duke përdorur po atë gjuhë të vdekur që përdorej dikur në celulat komuniste për ata që mendonin ndryshe dhe luftonin për një shoqëri të lirë.

Agron Tufa e kreu në mënyrë tronditëse detyrën e tij në krye të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. I menduar gabimisht se do të ishte një organizatë hije, pa vepra, pa peshë në jetën publike, për fatin e mirë të të gjithëve ne, ishte kështjella e vetme që nuk morën dot pinjollët e komunizmit. Këta studiues, aktivistë publikë, hulumtues, njerëz me ndërgjegje të madhe historike nxorën nga harresa llahtarinë e një sistemi shfarosës që e deformoi qenien shqiptare për dyzetë e pesë vjet.

Tek “Poemat e ekzilit: Nata e fundit në Romë: gatitja” Ovidi shkruan se “Kur vetë pikëllimi m’i largoi retë e zeza të mendimit,/dhe më së fundi shqisat nisën të japin shenja jete,/Ua thashë dy fjalë miqve të trishtuar në prag të largimit,/S’ishin shumë si kaherë, atyre pak të mbeturve.”  Agron Tufa, si mjeshtër i gjuhës, i bëri më të përjetshëm zërat e të burgosurve, vuajtjet, drobitjet e drithërimat e tyre prej Hadi në librin më të fundit “Kur këndonin gjelat e tretë”, ku shkroi dhe parathënien e ekzilit.

Sot Angela Merkel vizitoi Aushvicin dhe tha: “Të kujtosh krimet, është përgjegjësi e cila kurrë nuk mbaron. Është pjesë e pandashme e vendit tonë. Ta kesh këtë vetëdije është pjesë e identitetit tonë kombëtar, e të kuptuarit të vetes si një shoqëri e iluminuar dhe e lirë…si demokraci.” Por ne nuk jemi demokraci. Ne jemi vend që cilësohet nga organizatat ndërkombëtare “me demokraci hibride” ose e thënë shqip, vend me demokraci as mish as peshk, gjysëm diktaturë e gjysëm katrahurë. Dhe Agron Tufa nuk mundej kurrsesi t’ua jepte kënaqësinë e vdekjes së vet atyre që kampi i përqendrimit u duket si banket.

Agron Tufa është i lirë, ne jemi në koma.

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular