BallinaKryesore“Pas tërmetit, ka spikatur sjellja e qytetëruar e Bashës dhe e opozitës”-...

“Pas tërmetit, ka spikatur sjellja e qytetëruar e Bashës dhe e opozitës”- Zogaj: Si mund të vijë PD në pushtet

Nga Preç Zogaj

Tërmeti  i tmerrshëm i 26 nëntorit  i gjeti drejtuesit politikë të vendit  të idhnuar politikisht me njëri tjetrin, por edhe të hutuar e disi pa busull në boshllëkun ku po vërtiteshin: qeveria në konsumimin e qeverisjes  së tipit “puna  diçka, propaganda gjithçka”, opozita në konsumimin e përpjekjes për të realizuar  mosbindjen civile, presidenti i Republikës në konsumimin e dekreteve dhe nismave që kanë rezultuar shterpë për zgjedhjet e çështje të tjera. Pasi kishte bërë pa sukses edhe paqen, edhe luftën me qeverinë, opozita demokratike  ishte kthyer në bazë me idenë e mirë për të rritur mbështetjen  popullore rreth programit dhe për të përgatitur marrjen e kalasë së pushtetit me votë popullore, e gjithë kjo duke  mbajtur  distancën e  nevojshme të idhnimit dhe evitimit të  shfaqjeve qesharake të paqes për paqe me qeverinë.

Ndërkaq, të gjithë palët po shikonin të ngriheshin në horizontin e afërt krijesat e ftohta të ndëshkueshmërisë  në sferat e larta- SPAK, BKH dhe Gjykata Speciale- të votuara prej tyre, por që nuk janë e nuk do të jenë më në duart e tyre  gjatë punës. Në pritshmërinë  e shumicës së shqiptarëve, ushqyer edhe nga premtimet e aleatëve perëndimorë, SHBA dhe BE, drejtësia sipas Kushtetutës së re po afrohej për të ndarë në dysh kohën politike të vendit sipas diktonit: Kush kalon, vazhdon.

Tërmeti i 26 nëntorit ia behu  papritur si një  fatkeqësi  natyrore. Ai u bë për tridhjetë sekonda një fatkeqësi kombëtare. Pasojat e tij shumë të rënda diktuan  një agjendë të re të emergjencës  dhe impenjimit të përgjithshëm. Dhe një sjellje të ndryshme të faktorëve politikë  shoqërorë të karakterizuar nga solidariteti në fatkeqësi.

Kështu ka ndodhur e po ndodh në përgjithësi. Megjithëse lë shijen e një gjëje të kërkuar, pra i mungon  lirshmëria dhe siguria e vërtetësisë, solidariteti në fatkeqësi ka ndryshuar gjuhën e komunikimit publik të qeverisë dhe opozitës. Ka spikatur këtu  sjellja e qytetëruar e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha dhe e opozitës  në tërësi. Disa e shohin këtë si një përshtatje dhe në fakt e tillë duket në kontekstin e konfliktit të konsumuar përgjatë vitit të fundit mes palëve. Është logjike që tërmeti ka ndikuar për një ligjërim më të zbutur, më etik dhe me të arsyeshëm se më parë nga ana e opozitës. Në të vërtetë sjellja e qytetëruar, e cila nuk është kurrë një tregues i pajtimit me të keqen siç mendojnë ngushtë disa njerëz, madje i ka të gjitha shigjetat brenda kur lipsen shigjeta, tregohet të  jetë një konstante e qendrës së djathtë. Sipas bindjes sime, PD mund të vijë në pushtet vetëm si një fisnike pa komplekse, që e dëshmon epërsinë  në thjeshtësi dhe përulësi. Kjo është një temë me vete, e rrahur disa herë, që duhet rrahur përsëri, por jo tani. Kthehemi të sjelljet që modeloi fatkeqësia. Është njerëzore, është shqiptare të jetë kështu. Dhe kështu duhet vazhduar.

Thënë këtë, Gjendja  e Jashtëzakonshme dikton edhe dy gjëra të tjera. Më saktë njërën e dikton, tjetrën e sugjeron.

Gjëja që dikton është kjo: gjithsekush,  individ, institucion, komunitet, shoqatë apo parti qoftë duhet të bëje punën që i takon. Solidariteti funksionon dhe është efikas vetëm kur bën sekush të vetën brenda një koordinimi dhe vetkoordinimi inteligjent. Nëse në emër të solidaritetit, protagonizmit apo marrëzisë  të gjithë turren të  bëjnë punën e të gjithëve do të bëhej  një zallamahi që s’do ta merrte vesh i pari të dytin.  Dhe rezultatet do të qanin. Emergjencën duhet ta përballojë para së gjithash qeveria, bashkitë,  institucionet shtetërore e publike. Pushteti ka përgjegjësinë kryesore. Gjithë të tjerët janë pak a shumë vullnetarë në  ketë ndërmarrje, qofshin vullnetarë të pavarur, qofshin kundërshtarë të qeverisë nga pikëpamja politike. Emergjenca nuk është skena për të dëshmuar këto lloj diferencash.

Individët dhe grupet që duan të kontribuojnë duhet të ndjekin mastërplanin e madh. Që nuk mund ta ketë kush tjetër veç qeverisë. Cilado qoftë ajo. Qeveria  ka barrën të bëjë bilancin e saktë të dëmeve, të sigurojë fondet e rindërtimit, të vendosë për mënyrën e kompensimit të familjeve të dëmtuara, të organizojë hartimin e projekteve, të ndjekë zbatimin e tyre. Kështu janë ndarë punët. Kjo nuk përjashton asnjë lloj nisme private të individëve, grupeve, shoqatave e me radhë. Opozita ka rolin e vet të patjetërsueshëm që duhet ta përshtatë, siç po e përshtat ç ‘është e drejta, me rrethanat e jashtëzakonshme. Ajo mban shënim afatet që ka vendosur qeveria, kontrollon, denoncon, aty ku ka vend për të denoncuar, me fakte konkrete, jo me akuza parafabrikate  dhe me opinione  që riciklojnë një sjellje të papëlqyeshme nga elektorati i gjerë.

Në peshoren e simpative popullore një fakt konkret peshon me shumë se qindra mijëra hamendje. Opozita  ka bërë e po bën të vetën për t’u gjendur  pranë njerëzve të dëmtuar nga tërmeti. Bastin dhe përgjegjesinë për  eliminimin e pasojave e ka autoriteti publik. Po doli mirë, qeveria e ndan suksesin me opozitën që ka ditur të mbajë vendin që i takon në ketë fatkeqësi. Po doli  keq, domethënë nëse qeveria dështon të japë zgjidhjet e premtuara në afatin e premtuar, opozita ka mundësi ta kapitalizojë në favorin e vet këtë dështim. Është shpejt për të  folur për këtë. Dhe urojmë të mos jetë nevoja të flasim asnjëherë, sepse kjo do të nënkuptonte  zgjatje të dramës së të pastrehëve. Në këtë periudhë emergjenca e kërkon opozitën të tregohet shumë e pjekur dhe artiste, që edhe të mos mungojë asnjë çast aty ku duhet të jetë, edhe të mos japë përshtypjen se po bën “ish pa pasur pula”, siç thotë një shprehje e popullit.

Bashkë me nevojën  që sekush të bëjë punën e vet brenda një koordinimi dhe vet koordinimi inteligjent, emergjenca sugjeron të hidhet pas krahëve fiksimi gjithashtu i kërkuar, sipas mendimit tim, i zotit Rama për  t’u ulur me Bashën. Në ftesat e përsëritura të kryeministrit për kreun e PD-së vibron vetvetiu një notë humori që në kontekstin e fatkeqësive nga tërmeti tingëllon keq. Përse të ulen? Cila është tema? Për  të bërë foto? Për mua mjafton të kenë një komunikim sa më të qytetëruar në distancë, siç ka ndodhur këto ditë kur kreu i qeverisë ka marrë parasysh, duke i gjetur të drejta, dy propozime me peshë të  shefit të opozitës, siç janë  vendosja e gjendjes së emergjencës në Kurbin dhe Lezhë si dhe mënyra e shpërndarjes së fondeve për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara në fshat. Më mirë të jenë solidarë si kundërshtarë se sa të takohen pa ndonjë arsye të përligjur politike.

Tërmetit mbolli zi në shumë familje shqiptare dhe tronditi mijëra e mijëra syresh. Por bëri edhe  tjetrën që i dha punë Ramës e qeverisë së tij që po vërvitej në boshllëkun e retorikës, sikurse i dha një justifikim opozitës për të vijuar me politikën e moderimit.

Por tërmeti,- le çfarë thuhet,- nuk ka anuluar asgjë në agjendën kombëtare që lidhet me fillimin nga puna të  organeve  të reja të drejtësisë. Të enjten Kuvendi zgjodhi Prokurorin e Përgjithshëm, sipas Kushtetutës. Tetë anëtarë të SPAK janë në pritje të bëjnë betimi para Presidentit të Republikës, një anëtar tjetër kaloi vettingun, BKH është në kantier tashmë. Reformën që u konceptua dhe u votua për të  shkaktuar “tërmet” në ngrehinën shumëvjeçare të pandëshkuershmërisë në sferat e larta nuk e devijon asnjë tërmet. Edhe drejtësia punën e saj./Gazeta Liberale

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular