BallinaEkonomiNë takimin me mediat guvernatori Sejko jep "Çmimin e Guvernatorit për Diplomën...

Në takimin me mediat guvernatori Sejko jep “Çmimin e Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2019”

Në datën 13 dhjetor 2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me publicistë të njohur, analistë të politikës dhe të ekonomisë, gazetarë të njohur dhe përfaqësues të shtypit të shkruar e medias elektronike në Shqipëri.

Takimi u çel me fjalën përshëndetëse të Guvernatorit Sejko, i cili fillimisht falënderoi përfaqësuesit e medias për solidaritetin dhe rolin e padiskutueshën të treguar në përçimin dhe amortizimin e dhimbjes njerëzore që përshkoi të gjithë popullin për shkak të fatkeqësisë natyrore që goditi vendin tonë.

Më tej, Guvernatori u shpreh se shkalla e profesionalizmit dhe e integritetit në mbulimin e lajmit mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend, ka njohur një rritje të dukshme gjatë këtij viti, duke konstatuar një seriozitet dhe profesionalizëm në analizat që media ka përcjellë lidhur me raportet e Bankës së Shqipërisë.

Guvernatori shtoi se gjatë vitit 2019, media ka ndihmuar që vendimet e institucionit që ai përfaqëson të përcillen më shpejt dhe të përshtatura në një gjuhë më të thjeshtë jo vetëm nga tregu, por dhe nga publiku i gjerë. Duke e vlerësuar median si një aleat të pazëvendësueshëm në rritjen e efikasitetit të vendimmarrjes, ai i falënderoi për punën gjithë pasion dhe përkushtim të bërë përgjatë këtij viti.

Guvernatori Sejko siguroi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë një institucion transparent, i gatshëm të japë opinionet dhe vlerësimet e rastit në të gjitha debatet publike, që lidhen me ecurinë e ekonomisë së vendit dhe tregjet financiare, edhe në vitin në vijim.

Në mbyllje të fjalës së tij, ai u shpreh se edukimi financiar dhe puna kërkimore janë pjesë integrale dhe mjaft e rëndësishme e aktivitetit të Bankës së Shqipërisë. Ato janë parakusht dhe burim i zhvillimit ekonomiko-social të vendit dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të tij.

Në vijim të këtij aktiviteti, siç është bërë tashmë traditë, u ndanë edhe tre çmimet e konkursit të hapur “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2019”. Ky konkurs organizohet çdo vit nga Banka e Shqipërisë dhe i dedikohet studentëve shqiptarë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, për punë kërkimore-shkencore në çështje të lidhura me integrimin dhe zhvillimin ekonomik, ekonomiksin monetar e ndërkombëtar, stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, edukimin financiar, etj.

Me çmimin e parë u vlerësua z. Olsi Pajo, student në Universitetin e Bonn-it, Gjermani, me temën “Transmetimi i informacionit të Bankës Qendrore”, çmim i cili iu dorëzua nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko.

Tema vlerëson komunikimin si një mjet thelbësor në zhvillimin e politikës monetare në ditët e sotme. Nga njëra anë, transparenca luan një rol të rëndësishëm në bankingun qendror modern, por nga ana tjetër ngre shumë pyetje në lidhje me nivelin e tij të optimitetit dhe ka shumë më pak marrëveshje mbi atë çfarë përbën një strategji optimale të komunikimit.

Me çmimin e dytë u vlerësua zj. Meril Canameri, studente në Universitetin e Tiranës, me temën “Niveli, rëndësia dhe përgjegjësia e edukimit financiar në Shqipëri”,  çmim i cili iu dorëzua nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi.

Edukimi financiar është një fushë që ka nisur të studiohet përgjatë viteve të fundit dhe gjithmonë e më shumë po tërheq vëmendjen e studiuesve të financës. Ai mund të përshkruhet si procesi përmes të cilit individët marrin njohuritë financiare. Rëndësia e këtij procesi dëshmohet nga fakti se sa më tepër njohuri financiare të zotërojnë individët, aq më shumë do të përfshihen financiarisht. Në këtë mënyrë, përfitojnë jo vetëm individët, por edhe tregjet financiare, si edhe ekonomia në tërësi. Qëllimi i këtij punimi është që përmes vlerësimit të gjendjes aktuale të edukimit financiar në Shqipëri, të përcaktohet se çfarë duhet bërë në të ardhmen për të përmirësuar situatën.

Me çmimin e tretë u vlerësua z. Isli Kola, student në Universitetin Bilkent, Ankara, Turqi,  me temën “Vlerësimi strukturor dhe statistikor i prodhimit potencial në Shqipëri”, çmim i cili iu dorëzua nga Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj.

Ky material kërkimor përqendrohet në vlerësimin e rezultatit të mundshëm dhe analizën e hendekut të prodhimit në ekonominë shqiptare për periudhën 1980-2017. Teknikat e vlerësimit përfshijnë si përshkrimin e funksionit të prodhimit Cobb-Douglas, ashtu dhe metodat strukturore të funksionit të prodhimit CES, si dhe metodat statistikore të filtrit Hodrick-Prescott dhe Hamilton.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular