BallinaKryesoreInxhinieri italian që ndërtoi pallatin e financave dhe u burgos nga regjimi...

Inxhinieri italian që ndërtoi pallatin e financave dhe u burgos nga regjimi komunist

Nga Kastriot Dervishi

Në arrestimet e shkurtit 1951 me rastin e dinamitit të hedhur në legatën sovjetike në Tiranë, figurojnë edhe disa të huaj. Ndër ta, i arrestuar më 20.2.1951 figuron edhe italiani Aldo Bozzi. Sigurimi e kujtonte agjent.

Elementë informativë spiunazhi sipas Sigurimit ishin planimetritë e hartuara nga inxhinieri italian si depo bulmeti, baxho djathi, fabrikë vozash dhe punishte rakie, për të cilat “interesohej” legata italiane në Tiranë. Inxhinieri u akuzua se projektet që hartoi i ishin dorëzuar legatës italiane në Tiranë. Të gjitha projektet kishin të bënin me objekte të vogla të ekonomisë, të cilat nuk kishin kurrfarë rëndësie agjenturore për shtetet e tjera. Bozzi  përfaqësoi zërin e italianëve të mbetur në Shqipëri. Në letrën që një grup italianësh i drejtonin Kryesisë së Këshillit të Ministrave të Republikës së Italisë, kërkonin riatdhesimin e tyre të menjëhershëm.

Në letër thoshin se po mbaheshin me forcë “me fjalë të bukura” dhe po kalonin një gjendje “të padurueshme”. “Jemi të gjithë larg shtëpive tona prej 6 vjetësh, disa edhe prej 10 vjetësh. Forca jonë e durimit tashmë ka mbaruar. Mjaft herë na kanë bërë premtime e lajka për një rregullim të shpejtë dhe të drejtë. Vërejmë se flitet për taktikë kalimi kohe dhe jo për zgjidhje në interesin tonë” – shkruhej në letër. Ai u pyet në Burgun e Armiqve të Popullit, më 8.6.1951 nga oficeri i Sigurimit, nëntoger Haki Mezini.

Më 18.7.1951 prokurori ushtarak i Tiranës kërkoi të gjykohej e të dënohej inxhinieri pasi jepte informata me karakter sekret punonte. Përderisa aktiviteti “informativ” qenka zhvilluar në vitet 1942-1943, pse duhej të ndodhte arrestime në shkurt 1951. Këto vetëm komunistët mund ta dinin pse. Në përfundim të hetimit, me një shënim që mban datën 23.7.1951, italiani hedh poshtë gjithë hetuesinë. Ai akuzohej në hetuesi se i dha legatës italiane kopjet e projekteve: depo bulmeti, baxho, fabrikë vozash, punishte rakie. Këto projekte cilësoheshin me “karakter sekret”. Pra shtetet e fuqishme si Italia, interesoheshin për mënyrën e trajtimit të qumështit në Shqipëri. Sipas kësaj ideje që kanë zhvilluar hetuesit e prokurorët injorantë të komunizmit, te vozat, djathi dhe rakia fshiheshin çështje të rëndësishme të ndërtimit të socializmit.

Pasi i është lexuar kjo, inxhinier Aldo refuzoi nënshkrimin e procesit. Fillimisht Gjykata Ushtarake e Tiranës me vendimin nr.254, datë 6.9.1952 e dënoi me 6 muaj e 15 ditë heqje lirie. Kundër këtij vendimi paraqiti protestë prokurori i përgjithshëm duke shtuar dy fakte kryesore: informatat sekrete dhe një letrën e sipërcituar të italianëve.

Si rrjedhojë, më 24.11.1952 çështja i shtrohet për rigjykim gjykatës së shkallës më të ulët. Gjykata Ushtarake e Tiranës me vendimin nr.5, datë 9.1.1953 e dënoi me 6 vjet heqje lirie. Ky vendim u la në fuqi nga Gjykata e Lartë, e cila doli në përfundimin se vendimi i gjykatës më të ulët ishte i drejtë sepse armiqësinë ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë i pandehuri e shfaqi “jo vetëm me informatat e projektet e disa godinave që i ka dorëzuar legatës italiane, por edhe me shpifjet e gënjeshtrat që ka shkruar në grup me disa shokë”.

Në rekursin shtojcë, i pandehuri pohon se për punën e tij të mirë nga autoritetet kompetente shqiptare i janë dhënë atij fletë lavdërimi dhe shpërblime. Pikërisht për këto arsye dhe pse në përgjithësi siç pranon edhe ai vetë, këtu është trajtuar mirë, nuk i lejohej atij që kundrejt Republikës Popullore të Shqipërisë të tregohej armik, të zhvillonte aktivitet spiunazhi dhe të shpifë e gënjente kundrejt kësaj republike” – thuhej në vendimin e gjykatës.

Biografia e italianit Aldo Bozzi

Lindur në Milano në vitin 1900, banues përkohësisht në Shqipëri, inxhinier, i martuar me një shqiptare, kishte një fëmijë. Në vitin 1929 u diplomua inxhinier në Milano. Në  vitet 1929-1942 punoi në Francë dhe Itali. Në vitin 1942 vjen në Shqipëri.

Ndërtoi pallatin e financës në Tiranës, godinë ku u vendos më pas shtypshkronja “Mihal Duri”. Me drejtimin e punimeve të ndërtimit është marrë deri në mars 1944. Në fillim të vitit 1945 u mor në punë nga Komiteti Ekzekutiv i Prefekturës së Durrës së bashku me 60 italianë të tjerë me të cilët bënë ndërtimin apo meremetimin e hotel “Vollgës”. Në vitin 1946 erdhi në Tiranë, rregullon selinë e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, si dhe depo të ndryshme. Në vitin 1947 ndërtoi në Peshkopi liceun e atyshëm. Në nëntor 1947 u kthye në Tiranë në ndërmarrjen shtetërore të ndërtimeve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular