BallinaKultureMirmëngjes trishtim/Cikël poetik nga Petrit Nika

Mirmëngjes trishtim/Cikël poetik nga Petrit Nika

Nga Petrit Nika

Nesër …

Kam frikë nga fjalët, fjalët më humbasin ndër fjalë,

kam frikë nga vegimet që rreken të marrin trajtë,

si kjo piano që bie me boritë e vjeshtës ngadalë,

si këta drurë që i rrëzojnë fletët në hapësirën e prajtë.

nesër harresa do na mbulojë me vello të bardhë.

 

Kam frikë nga ujërat që rrjedhin nga malet shpejt,

kam frikë kur bebet zënë t’i flakin shpërgejt,

si këto flokë të thinjura që po zbardhen krejt,

si këto këmbë që dridhen kur duan të ecin drejt,

nesër harresa do na mbulojë gjithësejt.

 

Digispring

Çelin rrugëve të rrymta lule sintetike

në amzën e smogut të përdalë;

pranverë dixhitale me limfë numerike,

me fëmijë dixhitalë.

Furet mes kaosit me britma histerike,

qenia e drobitur dhe e çalë;

 

ndanë udhe kullot njomishte toksike

mesditës një kalë.

 

Në fusha buis një florë ekzotike,

dallgëzohet në erë suvalë;

 

e djeshmja sajdiset në vrimën kozmike

e sotmja përpëlitet të dalë.

 

Një ditë si çdo ditë

Mbi pemë shtriqet mëngjes i brymtë,

nikotina e natës ka hyrë gjer në limfë,

fillon dita e re me ëndrrën e zymtë,

vullneti tkurret si rrobe e linjtë.

Çdo ditë epet drejt moteve të shkuar,

dilema luhatet si bollë në çengel,

në kremastar sakaq xhaketën xhepshpuar,

e merr me përtesë dhe del.

Mbrapa lë hijen dhe tymin e vrazhdë,

të cigares së dredhur pa mendje kuturu,

ca sy të lotuar të ndjekin në vazhdë,

gjersa në mbrëmje të kthehesh tevona tëhu.

E rëndë mbyllet porta, rruga më e rëndë,

rri heshtur njëtrajtshëm dhe të sheh në sy,

gjithçka pa lëvizur qëndron ku është lënë,

dhe vetë dita lodhet duke pritur ty.

Bie nostalgjia mbi orën e madhe,

si vesë dhe akrepat përpëliten në ngërç,

rreket qenieshkreta t’ia dalë kësaj radhe,

në lojën e fatit të mos luaj menç.

 

Mirmëngjes trishtim

Mëngjes i plogësht. Orët kalojnë shpejt.

Gjësendet zgjohen me përtesë. Në kllapi.

T’i llogarisësh domethëniet me gjithësejt,

në Golgotë do ngjitur sot ky kryq i ri.

 

Në limfë kumbon një zhaurimë me vrunduj;

zhurma ekspresi, pemësh që tunden në erë,

ca kurme ëngjëjsh të lëna në grumbuj,

në skaj të kujtesës. Si përherë.

 

Vetmia s’ka mëshirë. Këtë e dimë.

Cigarja e fundit përpëlitet në gishta,

një rrëke nikotine depërton në limfë,

rrjedhë e turbullt çan brigjeve të trishta.

 

Mëngjes, mirmëngjes! Mirmëngjes trishtim!

Në Groenlandë rrënojat mërdhijnë ende;

para shpresës u shua dhe i fundit viking,

me blerimin e jetës në mendje.

 

Fari

Rrafshinë e shkretuar me të kaftën që më gërryen deri në kafkë,

lëkundem përhumbur mes këtij deti të thatë si një far,

ajme nuk ka mol për ta ankoruar anijen fantazmë plot mall

gjarpërinj e akrepa  më qasen vërdallë.

 

E mjera rrafshinë e lirë në shkretimin pa kufi,

Këtu s’ka asgjë dhe liria është thjeshtë – ironi,

Si far lëkundem mes këtij deti mizor në vetmi,

Anija fantazmë përpëlitet mbi detin e kaftë në shkreti.

 

Fati u përcaktua, nuk mund ta lë askund më këtë barrë,

Gjersa gjarpërinj e akrepa ta pushtojnë përgjithmonë këte far,

Më duhet ta nxis ta gjejë molin këtë anije të marrë,

dhe ora e rrafshinës përjetë të ndalë.

 

 

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular