BallinaKryesoreRelacioni sekret për Enverin/ Në mbledhjen e RTSH u tha se “Todi...

Relacioni sekret për Enverin/ Në mbledhjen e RTSH u tha se “Todi Lubonja ua futi kontrabandë Festivalin e 11-të, Partisë, popullit dhe punonjësve”

Publikohet dokumenti arkivor i nxjerrë nga Fondi i ish–Komitetit Qëndror të PPSH-së, i cila i përket datës 9 prill të vitit 1973, ku i deleguari i Komiteti i Partisë së Tiranës Xhafer Spahiu, me anë të një relacioni dërguar Enver Hoxhës, e informon atë me detaje e hollësira lidhur me mbledhjen e komunistëve të Radio-Televizionit Shqiptarë, ku u bënë diskutime të shumta dhe u morr në analizë Festivali i 11-të i Këngës në Radio-Televizion. Sipas relacionit të Xhafer Spahiut, i cili e ka hartuar atë relacion në bashkëpunim me një grup pune i përbërë nga disa funksionarë të tjerë të aparatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, si: Sadik Bocaj, Hasan Selenica, Pipi Mitrojorgji dhe Vita Adhami, që kanë qenë prezent në atë mbledhje, ku janë kritikuar dhe akuzuar ashpër drejtuesit kryesorë të Radio-Televizionit, Todi Lubonja dhe Nefo Myftiu, si dhe ekipi drejtues i Festivalit të 11-të, me në krye Mihallaq Luarasin si regjizor, dhe Nikolla Zoraqin si udhëheqës artistik.

RELACION MBI ZHVILLIMIN E MBLEDHJES SË PËRGJITHËSHME TË RADIO-TELEVIZIONIT

I

Prej 23-25 mars 1973 u zhvillua mbledhja e përgjithshme e komunistëve të Radio-Televizionit për dhënien llogari e zgjedhje, në të cilën si temë diskutimi kishte “ngritjen e nivelit të punës ideo-politike të partisë në luftë kundër ndikimeve të ideologjisë borgjezo-revizioniste”. Para mbledhjes së përgjithshme, u bë një analizë e thellë e punës edhe në byronë e partisë të institucionit, e cila u zhvillua më 17-18 mars 1973.

Raporti i byrosë së partisë i mbajtur nga shoku Sotir Peçi i bënte një analizë të drejtë problemeve dhe përcaktonte mirë përgjegjësitë. Mbledhja, në të cilën diskutuan 24 veta, u zhvillua e gjallë, luftarake, me frymë të shëndoshë partie. Komunistët me ndjenjën e përgjegjësisë së thellë ndaj partisë, në frym kritike e autokritike të shëndoshë, dënuan rreptë dëmin e madh që iu shkaktuan partisë me devijimet liberal-moderniste që u manifestuan në disa programe të Radio-Televizionit, sidomos në muzikë e që arritën kulmin në kompleksin e tyre (muzikë, veshje, dekor e tjerë), në Festivalin e 11-të në dhjetor 1972. Ata kritikuan rreptësisht dhe kërkuan llogari gjer në një ndaj drejtorit të përgjithshëm të radio-televizionit shokut Todi Lubonja, i cili mban përgjegjësinë kryesore për devijimet liberale-oportuniste nga vija e drejtë e partisë, si dhe ndaj drejtoreshës së Radios së brëndëshme – shoqes Nefo Myftiu, e cila ka gjithashtu përgjegjësi të madhe në këtë drejtim.

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri foto galeri

foto galeri

Mbledhja vlerësoi lart dhe u solidarizua plotësisht me fjalimet e shokut Enver mbajtur në Presidiumin e Kuvendit Popullor, në Pleniumin e tretë të Komitetit Qendror dhe në mbledhjen e përgjithëshme të komunistëve të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë. Mbledhja shërbeu si një shkollë e madhe edukimi politik e ideologjik për komunistët prej nga u nxorën mësime të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm politik, ideologjik e organizativ të organizatës të partisë, të rinisë, të bashkimeve profesionale, të Drejtorisë së Përgjithëshme dhe kolegjumeve të Radio-Televizionit, për të bërë sa më parë kthesën e nevojshme e për ta çuar më përpara gjithë punën e këtij institucioni kaq të rëndësishëm të propagandës së partisë.

Siç dolli në mbledhje, qysh para festivalit, gjatë vitit 1972 u futën në programet muzikore pa kriter politik e ideo-estetik këngë të huaja perëndimore (angleze, francze, italiane, etj.). U ndryshua programi i transmetimeve muzikore dhe proporcionet e më parëshme. Në qershor – korrik 1972 programet e muzikës popullore u reduktuan nga 2 orë e gjysëm në 50 minuta. U fut muzikë e lehtë qysh në orët e para të mëngjesit duke hequr muzikën popullore dhe këngët qytetare, të punës etj. Kjo krijoi shqetësime në ndëgjuesit, të cilët filluan të reagojnë. Është shumë sinjifikative për këtë një letër që iu dërgua Radios në fillim të korrikut 1972 nga tre arsimtare të fshatit Velabisht të Beratit. Në këtë letër midis të tjerave thuhet:”Jemi të pakënaqur lidhur me programin muzikor të Radios…Siç duket duhet të ketë ardhur ndonjë reformist i zgjuar se janë spostuar të gjitha emisionet e programet me orë të ndryshme, pa stabilitet, që nuk merren vesh. Konkretisht në mëngjes ka patur gjithmonë muzikë nga krahinat, valle e këngë popullore (nga ora 5.30-6.45). Kjo ishte mjaft e përshtatshme sepse zgjonte e mobilizonte për punë, njerëzit ishin të gjithë në shtëpi, radioja buçiste në çdo vend, repart ushtarak e ndërmarrje. Tani nuk e hap dot se është muzikë gjumi, i ngjet muzikës së varrimit. Në orën 12.10 ka pasë muzikë të mirë, kohë e përshtatëshme si për punëtorët që bëjnë pushim ashtu dhe për kooperativistët. Kjo u hoq, përse vallë….? A e mendoni ju se disa herë e kemi të zorshme të dallojmë Radio Tiranën nga stacioni i Italisë….”?

Reagime të tilla ka pasë përgjithësisht nga opinion publik. Por këtyre sinjalizimeve nuk ua vinin veshin sepse sipas tyre “kjo është radio kombëtare dhe nuk mund të fillojmë me muzikë popullore”.

Orientimi i drejtë për të dhënë çdo të shtunë muzikë vallëzimi për rininë, u shtrembërua sepse ky emision prej 4 orësh (!?) u mbush me muzikë perëndimore të çfardolloj dhe s’kish pothuajse fare muzikë kombëtare (popullore ose vallzimi).

Shoku Todi Lubonja tentoi të fuste muzikë të lehtë “moderne” shqiptare edhe në emisionet e propagandës së jashtme në dëm të muzikës revolucionare. Këtë ua sugjeroi disa redaktorëve të jashtëm. Por ata i kundërshtuan duke i thënë: ”Komiteti Qendror i Partisë na ka orientuar që popujt t’i ngremë në revolucion e jo t’u japim muzikë për të bërë mbrëmje dëfrimi”. Edhe pas këtij kundërshtimi ai u tha: ”shikojeni këtë çështje”.

Në Televizion me porosi të shokut Todi u organizua dhe u transmetua (vetëm një herë) një koncert me këngë të muzikës së lehtë angleze. E inkurajuar nga kjo frymë liberale në muzikë, këngëtarja Justina Alija kërkoi të bënte një koncert ku të këndonte vetëm këngë të huaja angleze në gjuhë angleze.

Përveç këtyre janë lejuar të dalin në ekranin e Televizionit njerëz me flokë të gjata e favorite, vajza e gra me veshje të papërshtatëshme e tjerë.

Por kulmi i këtij shtrembërimi të vijës së Partisë në muzikë e në skenë dhe në gjithë kompleksin e tij u arrit në Festivalin e 11-të. Mbi këtë ngjarje, që u cilësua si një “njollë e zezë” në veprimtarinë e Radio-Televizionit, u ndalën të gjithë diskutantët. Duke bërë autokritik të sinqertë për indiferentizmin që treguan, për mungesën e vigjilencës revolucionare dhe për çfaqjet liberale etj., kritikuan shumë ashpër, me frymë të lartë partishmërie e nga pozita parimore organizatorët kryesor të këtij festivali në radhë të parë shokun Todi Lubonja si dhe shoqen Nafo Myftiu. Shoku Todi u muarr vetë personalisht me këtë festival.

Orientimi që i paraqiti Komitetit Qendror të Partisë për këtë festival, të cilat ashtu siç ishin radhitur në vija të përgjithshme, qenë të drejta, në praktikë ai i shtëmbëroi, duke kristalizuar një platform krejt të huaj me tendenca liberal-moderniste. Ata kompozitor, poetë, muzikantë që morën pjesë në festival, në vënd që të orientoheshin praktikisht në vijën e Partisë gjetën tek shoku Todi një mbështetje të hapët dhe nxitje për kopjime, për imitime, për shartime, për futjen e ndikimeve dekadente që vinin në opozicion me vijën e Partisë në muzikë. Më tepër se sa besimi i tepruar tek specialistët – u tha në mbledhje – ishte besimi i tepruar në vet-vete, mëndjemadhësia e përgjegjsave, prirja drejt modernizmit dhe të huajës, ishte koncepti se Radio – Televizioni kishte mbetur prapa, ishte bërë anakronik, konservator, arkaik e folklorizant që i shtyu në këto devijime të rënda. Flitesh se po pregatitej një festival “I jashtëzakonëshëm” se ky do të ishte “Festivali i parë i vërtetë i Këngës së lehtë” etj.

Gjithë pregatitjet e festivalit u bënë jashtë kontrollit të organizatës së partisë, bile u shkel dhe tradita që nuk u shqyrtua në mënyrë kolegjiale në mbledhjen e Drejtorisë së Përgjithshme dhe as, siç e kanë pasur rregull, nuk njoftuan as Ministrinë e Arsimit e Kulturës, as Lidhjen e Shkrimtarëve e Artistëve, as u njoftua aparati i Komitetit Qendror dhe Komiteti i Partisë së Rrethit e Rajonit për të asistuar në provën e përgjithëshme të festivalit. Kur shoku Todi Lubonja u sinjalizua një herë për këtë, u përgjigj: ”S’ka nevojë, vetë e organizojmë, vetë përgjigjemi”. Festivali u drejtua nga një “drejtori” e jashtme ku tonin e jepte shoku Todi, dhe nën udhëheqjen e tij shoqja Nefo, Mihallaq Luarasi e Nikolla Zoraqi. Gjithë regjizorët dhe kuadrot e tjera të brëndëshëm të Radio-Televizionit nuk pyeteshin. Kështu siç tha një diskutant: “Todi ja futi festivalin kontrabandë Partisë, popullit, punonjësve të Radio-Televizionit” në emër të luftës kundër konservatorizmit e për të renë, në emër të “kërkesave të kohës”, “të kërkesave të rinisë”, në emër të “novatorizmit e të modernes”, të luftimit të “traditave të vjetëruara” e të “ folklorizmit” etj.

Për një kohë të gjatë shoku Todi Lubonja u muar me përgatitjen e një strukture të re të Radio-Televizionit, e cila synonte t’i jepte Radio-Televizionit tonë drejtim të këtillë: ”Informacion-kulturë-argëtim”. Ky drejtim është i njëllojtë me atë që i japin Radio-Televizionit, shtetet perëndimore. Edhe në ndërtimin e kësaj strukture të re u shfaqën pikëpamjet liberale të shokut Todi, prirjet e tij për kopjim e imitim nga Perëndimi, dhe që ishin një largim nga orientimi politik, ideologjik, e kulturalo-edukativ që Komiteti Qendror i Partisë i ka caktuar Radio-Televizionit tonë. Kjo strukturë nuk u vu në zbatim, veçse pjesërisht me eksperimentimin e Drejtorisë së përbashkët të Informacionit për Radion dhe Televizionin. Në informacionin e Televizionit (emisionin e lajmeve), gjatë kësaj kohe ndodhi që disa lajme të jashtme të shoqërohen në ekran me kronika televizive të pa lejueshme siç ishte rasti i pritjes së Pompidusë nga Brezhnjevi në aeroportin e Minskut, vizita e Kisingerit, pritje të Niksonit më Shtëpinë e Bardhë, etj. Argumentimi që sillesh se “këto i shohin njerëzit në ekranin e televizionit italian” ishte përsëri një argument liberal, sepse tjetër është kur e shef në televizionin italian, e tjetër kur ritransmetohet nga televizioni ynë.

Argumentime të njëllojta bëheshin dhe për futjen në programet tona të muzikës së huaj dekadente. Me krijimin e drejtorisë së veçantë për Informacionin, Televizionit praktikisht, do t’i mbetej edhe emërimi i Mihallq Luarasit (regjizor teatri), si Drejtor i Televizionit. Përgatitja e strukturës së re bazohej në konceptin e tij se: Radio-Televizioni kishte mbetur prapa kohës dhe kish nevojë për “modernizim”. Raporti dhe diskutantët dënuan edhe qëndrimin indifferent e mikroborgjez që kanë mbajtur mjaft komunistë ndaj ndikimeve të huaja që manifestoheshin në programet muzikore e sidomos në festival. Por ky indiferentizëm është shfaqur dhe në drejtime të tjera. Para syve të komunistëve shkelesh disiplina e punës, disiplina teknike, disiplina e Partisë, ata shikonin që në jetën e organziatës së partisë e të kolektivit kish përçarje, kishin hyrë ndikime të huaja, që manifetsoheshin në modën e huaj, në marrjen padrejtësisht të honorareve, në vjedhje të vogla xhepash, në dëmtimet e aparaturës, në shpërdorimin e mjeteve material e financiare, vinin re mjaft shfaqje të subjektivizmit, konformizmit, familjaritetit të sëmurë, të përçarjes së kolektivit në të rinj e të vjetër, në të aftë e të pa aftë, në konservatorë e novatorë, shikonin që shtrembëroheshin direktivat e Partisë në lidhje me qarkullimin dhe trajtimin e kuadrit, pranoheshin në punë njerëz me përbërje jo të mirë politike, etj.

Por ndaj këtyre shfaqjeve të huaja komunistët disa herë qëndronin indifferent ose flisnin koridoreve me gjysmë zëri. Megjithëse ka pasur edhe komunistë që kanë reaguar drejtë, janë ndeshur me pikëpamjet liberale të Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramin në rastin e çështjes së Klimi Mises, një çështje që kishte të bënte me zbatimin e drejtë të normave të Partisë mbi kuadrin e ri dhe në rastin e Emin Klosit të cilit Todi, në kundërshtim me vlerësimin e organziatës, i bëri një karakteristikë krejt subjektive të pamerituar. Duke dënuar indiferentizmin komunistët theksuan drejt nevojën e një lufte të vazhdueshme në veten e tyre e ndaj të tjerëve për të krijuar në çdo qelizë të këtij institucioni një frymë të lartë luftarake Partie, qëndrim parimor ndaj vijës së partisë pa lëshime e kompromentime reciproke. Në lidhje me këto shfaqje të huaja të liberalizmit e indiferentizmit mbledhja e organziatës u ndal e kritikoi nivelin e ulët në disa raste të punës ideologjike e politike dhe caktoi detyra për të ardhmen. Siç doli edhe nga raporti e mjaft diskutantë puna ideopolitike në këtë institucion ishte e dobët për të mos thënë se disa herë ishte lënë pothuajse pas dore. Ajo pak që bëhej karakterizohej nga formalizmi dhe shabllonizmi.

Në këto kushte u përhapën dhe një sërë konceptesh të huaja ideo-artistike. Në disa raste e shëmtuara teorizohej si e bukur, dekadentja si e re, e huaja si kombëtare e modernizuar! Parimet tona letrare artistike nga disa përdoreshin si slogane, nga të tjerë interpretohehsin sipas pikëpamjeve të tjera liberale, duke u hapur kështu rrugën teorizimeve boregjeze revizioniste në kulturë e art. Për forcimin e punës ideologjike u theksua që të studjohen thellë e vazhdimisht, dokumentat e partisë dhe fjalimet e shokut Enver, të bëhet një jetë e gjallë, luftarake, revolucionare nëpërmjet diskutimeve, debateve, ballafaqimeve etj. Për problem të ndryshme ideo-estetike e politikës në mënyrë që të luftohet kurdoherë me sukses presioni i ideologjisë së huaj që ushtrohet në mënyrë të veçantë mbi këtë institucion si nga jashtë ashtu dhe nga brënda. Të ndërtohet nga çdo organizatë bazë partie një program i tillë i punës ideo-politike që ti përgjigjesh kërkesave reale të jetës së çdo kolektivi sipas specifikave të tij të veçanta.

I DELEGUARI I K.P. TE RRETHIT TE TIRANES
(XHAFER SPAHIU)
Tiranë, më 9. 4. 1973

Shënim: Ky material informativ u pa bashkërisht me shokun Sadik Bocaj, Hasan Selenica, Pipi Mitrojorgji e Vita Adhami që asistuan në mbledhje.

*(Ky dokument është marrë nga libri “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”, i autorit Dashnor Kaloçi, që pritet të botohet së shpejti, ky dokument publikohet pa komentet e autorit që shoqërojnë çdo dokument të librit)/ Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular