BallinaUncategorizedRama ironizon dialektin kosovar dhe flet në emër të Vuçiç: Ja çfarë...

Rama ironizon dialektin kosovar dhe flet në emër të Vuçiç: Ja çfarë mendon ai

Pas kritikave të shumta të ditëve të fundit rreth idesë së mini-shengenit ballkanik, kryeministri Edi Rama këmbëngul tek ideja, duke theksuar se Kosova, duke mos marrë pjesë në tryezë, nuk flet dot dhe nuk ndikon fare në asgjë.

Sipas tij, akuzat nuk e bëjnë tradhtar dhe as Esat Pashë, ndërsa shton se Shqipëria dhe Kosova s’kishin asnjë shans që ta hapnin kufirin mes tyre. Sipas tij, kjo është një mundësi reale sepse edhe presidenti i Serbisë e ka pranuar lirinë e lëvizjes së njerëzve në rajon si një prej qëllimeve madhore të tryezës.

Por edhe këtu, Rama nuk kursen ngacmimet teksa ironizon me dialektin kosovar duke shkruar “Vuqiq” dhe jo Vuçiç.

POSTIMI I PLOTË:

ATYRE QË U BËNË BAJAT duke sharë e mallkuar pa hesap këtu këto ditë, në emër të Kosovës sipas tyre, dy fjalë po u them:

Më së pari, sinqerisht uroj edhe për ju gëzuar Krishtlindjet e Vitin e Ri!

Ju kam ndjekur me keqardhje në rrekjen tuaj, për të më kryqëzuar si “tradhëtar”, “të shitur”, “bërllog”, madje “qen i keq” e bile edhe “djall” dhe çfarëdo tjetër gjuhës suaj, lëshuar pa fre i ka ardhur për mbarë. Faleminderit!

Tani një pyetje po ju bëj, si “vëllau i Vuqiqit”, juve o “atdhetarë”, që atdheun e dini në këto raste thikë në majë të gjuhës, për të prerë dhe mundësisht për të vrarë:

Si mendoni Ju, “vëllaut tim” serb i pëlqen më shumë që Kosova të vijë në tryezë a të mos vijë?

Ju’a them unë që mos lodheni ta mendoni: Të mos vijë fare!

Sepse duke mos ardhur në tryezë Kosova nuk flet dot, nuk dëgjohet dot, nuk ndikon dot dhe as nuk fiton dot asgjë! Ndërsa piskamat Tuaja ndaj meje, i dëgjoj unë jo ai! Madje askush tjetër, as Shtetet e Bashkuara e as Bashkimi Europian, që e mbështesin pa rezervë atë tryezë dhe e duan Kosovën bashkë me të gjithë në tryezë, nuk i dëgjojnë ato piskama dhe hiç aspak mirë nuk mendojnë për mungesën e Kosovës.

Mua mallkimet e ofendimet Tuaja, sado Ju të hidheni përpjetë, nuk më bëjnë dot as tradhëtar e as Esat Pashë, ashtu sikundër lëvdatat e komplimentat në raste të tjera, nuk më bëjnë hiç asfare, as hero e as Ismail Qemal! Unë nuk isha hero kur shkova në Beograd dhe e thashë mu në Pallatin e Serbisë, shqip, atë që mendoja e që mendoj sot e gjithë ditën për Kosovën. Kosova është shtet sovran dhe Serbia duhet ta njohë si shtet, sepse është edhe në të mirën e saj të çlirohet nga fantazmat e të shkuarës. Pikë!

Kur u nisa atëherë për Beograd nuk latë fjalë të ulët pa më thënë. Kur u ktheva nga Beogradi, nuk latë lëvdatë të tepërt pa më dhënë. Po për mua ishte njësoj, sepse unë isha i njëjti edhe kur shkova edhe kur u ktheva, siç jam edhe sot. E njësoj si atëherë edhe sot, unë bëj atë që kam bindje se është e drejtë për vendin e për kombin tonë. Thjesht si shqiptar jo si hero, as si tradhëtar jo e jo!

Lëvdatat e sharjet e rastit, nga një vesh më hyjnë e nga tjetri më dalin të them të drejtën. Jam mësuar me to dhe e di mirë që koha dhe historia nuk lexojnë gazeta e portale, as nuk ndikohen nga analistë e nga rrjete sociale. Dhe koha e historia do të flasin nesër drejtë, e do t’u japin hakun të drejtëve dhe të shtrembërve të sotëm. Të tjerat janë llafe të sotme që i merr era e nesërme.

Deri dje, pa u hapur ky proces që sharjet, mallkimet e fabrikimet harrojeni se e ndalin, Shqipëria dhe Kosova s’kishin asnjë shans që ta hapnin kufirin mes tyre. Zero! Sot kjo është një mundësi reale pikërisht sepse edhe “vëllau serb”, siç e quani ju Presidentin e Serbisë, kur kujtoni se po më qëlloni për vdekje me gjuhën e bërë thikë, e ka pranuar lirinë e lëvizjes së njerëzve në rajon si një prej qëllimeve madhore të tryezës. Pa kushte! Që do të thotë se kur ne të hapim kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, nuk ngrihet dot as ai dhe as kushdoqoftë tjetër, të verë kujën për rrezikun e “Shqipërisë së madhe”.

Kur të krijohet qeveria e re e Kosovës dhe të ulemi në tryezë për të vijuar bashkëpunimin, tash po e shihni vetë çka sot po ju’a shpjegoj e rishpjegoj më kot, duke marrë mbrapsht ato që hidhni mbi mua kot më kot. Dhe kur Kosova, herët a vonë, të ulet nesër njësoj si Shqipëria në atë tryezë, se s’ka kah shkon tjetër përveçse nga e ardhmja, bashkë me Shqipërinë, tash e shohim kush ka të drejtë, unë apo ju.

Sot e lemë me kaq, se është ditë Krishtlindjesh dhe po e mbyll me një përqafim për të gjithë ju nga unë, që vëllazërisht ju uroj çdo të mirë me këdo ju do zemra, e sa më shumë dritë në shpirt e në mendje secilit prej jush, për veten e për Kosovën dhe krejt kombin tonë natyrisht

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular