BallinaAktualitetMeta dekreton me rezerva buxhetin: Ekonomia është në krizë

Meta dekreton me rezerva buxhetin: Ekonomia është në krizë

Kreu i shtetit, Ilir Meta, e dekretoi buxhetin e vitit që vjen, por me rezerva. “Presidenti i Republikës, Ilir Meta, për të mos penguar zbatimin e masave të menjëhershme që lidhen me riparimin e pasojave të shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, ka dekretuar pa vonesë ligjin nr. 88/2019 “Për buxhetin e shtetit për vitin 2020”,” thuhet në njoftim.

REZERVAT E METES

Nga shqyrtimi i ligjit, Presidenti Meta ka konstatuar shumë problematika dhe konkretisht:

Rritja ekonomike është ngadalësuar në vitin 2019, në një mesatare për 2.8% për nëntëmujorin, krahasuar dhe me rritjen e rishikuar nga Ministria e Financave prej 3.4%.

Ndikime negative kanë dhënë eksportet neto, për shkak të defiçitit në rritje gjatë tremujorit të dytë.

Bilanci tregtar është përkeqësuar dhe më tej gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019.

Investimet totale vijuan prirjen rënëse të filluar që nga tremujori i tretë i vitit 2018, duke u tkurrur me 0.9% në tremujorin e dytë të këtij viti.

Performanca e investimeve gjatë tremujorit të tretë pritet të jetë e ngjashme me atë të tremujorit të dytë.

Investimet e huaja direkte kanë treguar një tendencë në rënie në tremujorin e dytë të vitit 2019.

Ndërsa sektori i energjisë ka treguar në vijimësi dobësi financiare.

Mbledhja e të ardhurave të buxhetit deri në tremujorin e tretë, dhe në vijimësi në 10 mujorin dhe në 11 mujorin e vitit 2019 ka treguar një performancë të dobët të realizimit.

Në veçanti dinamika e të ardhurave nga TVSH-ja është përkeqësuar edhe më tej në 11 mujorin e vitit 2019.

Prodhimi i Përgjithshëm Bruto pritet të ketë një ulje të ndjeshme në tremujorin e katërt të vitit 2019, si pasojë e dëmeve të shkaktura nga tërmeti i muajit nëntor.

Klima e biznesit sipas raportit të “Doing Business 2020” është përkeqësuar dhe indeksi i perceptimit të korrupsionit në vend është rritur ndjeshëm.

Parashikimi i rritjes ekonomike në 4.1% për vitin 2020 mbetet jo realist sepse nuk reflekton dobësitë e rritjes ekonomike për vitin 2019, si dhe efektin e shtuar nga dëmet dhe humbjet nga tërmeti.

Efektet negative në ngadalësimin e rritjes ekonomike të vitit 2019, do të kenë pasoja të cilat do të transmetohen dhe gjatë tremujorit të parë dhe të dytë të vitit 2020.

Gjithashtu parashikimi i rritjes ekonomike duhet të konsiderojë ecurinë e rritjes ekonomike të vendeve europiane dhe veçanërisht të vendeve partnere për vitin 2020, për shkak të ndikimit të lartë që kanë këto vende në ekonominë tonë nëpërmjet investimeve të huaja, të shkëmbimeve tregëtare, si dhe të dërgesave të emigrantëve.

Rritja ekonomike e vendeve europiane dhe veçanërisht e vendeve partnere parashikohet në ulje, dhe këtë tendencë do ta kenë dhe çmimet e produkteve strategjike ndërkombëtare.

Buxheti i vitit 2020 nuk reflekton progres drejt një përmirësimi të politikës fiskale, që aktualisht karakterizohet nga një barrë fiskale e lartë, sistem tatimor i fragmentuar, me përjashtime, si dhe një sistem me një baze tatimore shumë të ulet.

Për më shumë, ndryshimet fiskale të propozuara zgjerojnë më tej përjashtimet si dhe diferencimin e normave tatimore.

Projekt buxheti nuk krijon më shumë hapësirë për shpenzimet publike të cilat mbështesin rritjen ekonomike, si investimet publike apo shpenzime, si rritja e pagave, pensioneve dhe pagesave të cilat nxisin konsumin.

Investimet publike në përqindje të PPB në vitin 2020 janë më të ulta se në vitin 2018 dhe në vitin 2019, si dhe nuk parashikohet rritje të pagave dhe rritjes reale të pensioneve dhe të pagesave të tjera.

Ulja e shpenzimeve publike për sektorin e arsimit në përqindje të PPB nuk ka adresuar shqetësimet e vazhdueshme në vite, të ngritura nga institucionet arsimore dhe studentët, pavarësisht angazhimeve të marra.

Projekt buxheti nuk thellon decentralizmin dhe rritjen e autonomisë financiare të pushtetit vendor përderisa ritmet e rritjes së transfertës për pushtetin vendor janë në vijimësi në ulje, të mos plotësimit faktik të detyrimit ligjor për ndarjen e të ardhurave nga taksimi mbi të ardhurat personale, të mbulimit të plotë financiar të funksioneve të transferuara, dhe mos shlyrjes së detyrime të prapambetura.

Një rrezik të shtuar fiskal për shpenzimet publike për vitin buxhetor 2020 paraqet rritja e vlerës së projekteve të PPP ekzistuese dhe numrit të projekteve të reja, i rrezikut të injektimit të kapitalit për Koorporatën e Investimeve, i financimit të humbjeve të sektorit të energjisë, si dhe rritja e kostos së borxhit publik.

Një rrezik potencial është dhe vetë rritja e stokut të borxhit publik për shkak të rritjes së kostos së tij, si dhe përfshirjes së plotë në llogaritje e detyrimeve të prapambetura ndaj kontraktorëve privatë për punimet e kryera, nga mosrimbursimi i TVSH, nga detyrimi i tepricës kreditore nga tatim fitimi, të vendimeve gjyqësore vendore dhe ndërkombetare, si dhe borxhit ndaj pushtetit vendor.

Mosrealizimi i rritjes ekonomike dhe i të ardhurave buxhetore, si dhe risqet fiskale në rritje për vitin 2020, në një kontekst të rritjes së detyrimeve ndaj rreziqeve të shumta fiskale, do të rezultojë në uljen e mëtejshme të shpenzimeve të planifikuara për investimet publike, të shpenzimeve të funksionimit, si dhe të shpenzimeve për paga e shpenzimeve sociale.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular