BallinaTe tjeraNata luksoze e Vitit të Ri në Klubin e Lidhjes, artistja: Si...

Nata luksoze e Vitit të Ri në Klubin e Lidhjes, artistja: Si konkurronin gratë VIP me veshjet

UVIL ZAJMI/ Ai nuk ka qenë një klub si të tjerët. Intelektualët e kohës e kishin pikëqendrimin e tyre. Aty rriheshin idetë për artin dhe kulturën dhe shumëkush, kur kalonte atypari, do të kishte dashur të ishte pjesë e atij ambienti ose të mësonte se ç’thuhej në ato tavolina. Por edhe një tjetër arsye e bënte të famshëm atë klub: Mbrëmja e Vitit të Ri.margarita kristidhi

Ishte atmosfera që krijohej, festimet spektakolare, vallëzimet, ballot, këngëtarët, orkestra, të ftuar deri te të pranishmit: intelektualë, shkrimtarë, artistë, aktorë, kompozitorë, regjisorë, kineastë, poetë, piktorë, skulptorë, gazetarë, personalitete të kulturës së bashku me familjet e tyre. Por edhe të huaj, kryesisht rusë, ata me rezidencë apo të ardhur e të akredituar në Tiranë, deri edhe trupi diplomatik. Një mjedis mondan, nga pijet e huaja, te Rum-i kubanez, dhuratat, veshjet elegante, gjithçka e stilizuar vetëm për një natë. Mbrëmjen e Vitit të Ri, në një sallë të madhe, moderne, elita e artit kombëtar është dëfryer e argëtuar pa kufi. Janë vitet kur të gjithë studentët sapo janë kthyer nga vendet e Lindjes pas prishjes së marrëdhënieve me to. Midis tyre edhe familja Milkani, Bebi dhe Pirro. Miq të prindërve të mi, e pritën me kënaqësi interesimin dhe dëshirën time për të shkruar e kujtuar Klubin e Lidhjes, atë të viteve ‘60- ’70. Në veçanti Bebi do të tregohej shumë e gatshme për të rrëfyer, pasi iu duk e veçantë kjo temë, e patrajtuar. Artiste e njohur, pianiste me formim dhe edukatë perëndimore, pedagoge, protagoniste në mjaft koncerte, shfaqje, intervista, biseda televizive, edhe sot ka mbetur ajo grua, vitale, me energji që mund t’i përcjellë vetëm një shpirt artisteje. “Ai klub i harruar, ka parë shumë histori, njerëz, breza, që karrierën artistike, deri edhe atë familjare, shumë prej tyre e krijuan aty. Pikërisht në atë klub, artistë, poetë, shkrimtarë, regjisorë, piktorë, në dekada u miqësuan, u njohën dhe janë dashuruar”, thotë artistja. Ulur pranë pianos, tek apartamenti i tyre në pallatin në Rrugën e Durrësit, në një mjedis sa artistik edhe familjar, falë mikpritjes që më ofruan, u ndjeva mjaft komod. Biseda midis nesh, shumë herë devijonte nga një kah në tjetrin, pa e kuptuar se koha kalonte, pasi e tillë ishte atmosfera e këndshme që të krijonin bashkëshortët Milkani. Rrëfime, rikthime me kujtime emocionuese, pasi e tillë është edhe bota e pafund artistike e tyre: Tema interesante, ngjarje, një pafundësi. Deri edhe biçikletën e famshme të Bebit e kujtuam. Kur kalonte, të gjithë kthenim kokën për ta parë atë grua moderne, krejt ndryshe. Pastaj libri surprizë i Pirros “E pabesueshme por e vërtetë”, që më ka befasuar jashtë mase. “Znj. Bebi, ju kujtohet Klubi i Lidhjes, ai pranë teatrit”, e pyeta si fillim? “Gjithçka”, m’u përgjigj, ndërsa qëndronte pranë pianos. “Edhe njohjen me Pirron, nisur pikërisht në atë klub artistësh, në njërën nga netët argëtuese të asaj kohe. Ishte më i vogli, nuk fliste”, e nis intervistën artistja e njohur për gazetën “Panorama”. Flet ngadalë, është e përqendruar, nuk do të harrojë asgjë. Edhe pse ka shumë dekada e vite të panumërta që janë lënë pas, pianistja ruan ende nostalgji, nga frekuentimi i atij klubi të admiruar nga artistë, kolegë, miq, me dëshirën për t’i kujtuar të gjithë, por është e pamundur. Madje shumë prej tyre janë ndarë edhe nga jeta.

Pirro Milkani dhe Margarita (Bebi) Kristidhi në ditën e dasmës
Pirro Milkani dhe Margarita (Bebi) Kristidhi në ditën e dasmës

Znj. Kristidhi, si e kujtoni Klubin e Lidhjes?

Për shumë vite, ajo sallë e bukur ka shërbyer, për t’u takuar e qëndruar shkrimtarë, artistë, jo vetëm ata kryeqytetas, por edhe nga qytete e tjera, që vinin me kënaqësi aty, të paktën deri rreth viteve ‘70. Për t’u transferuar më pas tek Ish-Shtëpia Qendrore e Oficerëve, e bashkuar në një ndërtesë të vetme Lidhje-Klub. Selia e Lidhjes së Shkrimtarëve ka qenë më parë te Vila e Musa Jukës, te rrugica ngjitur me ish-shkollën e muzikës “Kongresi i Përmetit”, në Rrugën e Dibrës.

Si i kujtoni ato mjedise?

Ishte një ndërtesë, që së bashku me atë të Teatrit Kombëtar, kanë qenë pjesë e kompleksit “Dopo Lavoro”, të ndërtuar nga italianët. Një hyrje ballore, me dy dyer, por njëra përdorej, ajo majtas. Pastaj një holl, e pas atij të hapej një sallë gjigante e lartë, me hapësira, kolltukë të gjerë të mëdhenj, shumë komodë për t’u ulur e qëndruar. Me piktura të formateve të mëdha, të vendosura nëpër mure, realizuar nga artistët shqiptarë. Edhe sot e tillë ka mbetur, të paktën nga pamja ballore.

Jeta juaj nuk kuptohet pa piano, a ka pasur në atë godinë?

Po, ka qenë një piano në një kënd për të shoqëruar recitalet, këngëtarë, violinistë, instrumentistë, pra evenimentet artistike që organizoheshin aty. Një ndër interpretuesit kam qenë edhe unë. Nuk mund të largohesha pa hapur kapakun, prekur tastierën. Në mbrëmje sidomos, ulesha dhe tingujt e saj, ishin një frymëzim më shumë për të ngacmuar idetë, fantazitë e shoqëruar bisedat, diskutimet pasionante deri në orët e vona.

Gjatë festimeve të Vitit të Ri, në ambientet e Klubit të Lidhjes
Gjatë festimeve të
Vitit të Ri, në ambientet e Klubit të Lidhjes

Ku ka qenë kulmi i frekuentimit?

Si një mjedis në qendër të Tiranës, ishte shumë komod, dhe edhe sikur pak kohë të kishim, shkonin aty, qoftë edhe për një kafe apo takim pune. Vinin intelektualë, shkrimtarë dhe artistë të kohës, por jo vetëm. Ajo sallë ka shërbyer për mbledhje, hapjen e ekspozitave figurative, promovimeve, diplomave, recitimeve letrare etj. Më kujtohet mjaft mirë, kur në 1961-shin erdhën qindra studentë, që u kthyen nga Hungaria, Çekia, Rusia, Polonia, pas prishjes me bllokun e shteteve të Lindjes. Pjesa më e madhe e tyre, sidomos artistët vinin aty, i jepnin gjallëri klubit. Por edhe artistë, ata që kishin mbaruar në shkollat perëndimore, Italia, Franca…

Klubi i Lidhjes kujtohet edhe për festën e Vitit të Ri, si e mbani mend?

E vërtetë, ajo sallë më shumë se çdo gjë tjetër kishte kulmin me natën e Vitit të Ri. Më 31 dhjetor, të gjithë ishin në Klubin e Lidhjes, ku organizohej festimi tradicional, që ishte shumë i veçantë. Hidhej shorti, shpërndaheshin dhurata për familjarët dhe festohej deri në orët e para të mëngjesit. Vinin personalitete të njohura të artit, deri edhe të huaj, që ndodheshin në Shqipëri në atë fund viti, apo trupi diplomatik, ambasadorë bashkë me familjet, që prenotonin aty. Bëhej bukur, vallëzohej, këndohej, kërcehej, vinin këngëtarë, instrumentistë të njohur.

Gjatë festimeve të Vitit të Ri, në ambientet e Klubit të Lidhjes
Gjatë festimeve të Vitit të Ri, në ambientet e Klubit të Lidhjes

Si ishin veshjet?

Detyrimisht duhej veshje elegante. Ai ka qenë edhe një klub që përcillte modën e kohës. Të gjithë përgatiteshin për atë natë, kryesisht vajzat, gratë që do të shkonin me fustane luksi. Burrat me kostume elegante, papionë, të gjitha të modeluara për atë natë, atë mbrëmje, ballon e asaj nate festive. Deri edhe dorezat elegante nuk duhet të mungonin.

Por jo vetëm veshja, edhe përkujdesja për pamjen e jashtme ishte e rëndësishme. Për gratë sidomos. Në Rrugën e Dibrës, ishte një permanent, ku shërbente një parukiere franceze e njohur, tek e cila shkonin gratë. Veçanërisht artistet ishin klientet e saj. Mendoni natën e Vitit të Ri, çfarë fluksi kishte në lokalin e saj.
Nga sa thoni, duhet të ketë qenë e paimagjinueshme për pjesën tjetër

 

te shqiptarëve…hqdefault

Ai ishte një klub luksoz me çifte të njohura, ku spikasnin gratë e bukura. Larmi fustanesh, me tafta, najlon, kadife, sipas modës, preferencave të kohës, sigurisht të qepura bukur në rrobaqepës me traditë, privatë, me eksperiencë, të ardhur apo të specializuar gjatë kohës së Italisë dhe shumë të frekuentuar ato vite. Jo të gjithë qepnin tek ato. Kishte nga ato që veshja i vinte nga jashtë, apo i blinin në dyqanin e valutës, me porosi në atë të modës, pasi nuk gjendeshin në dyqane të tjera.

Po gjatë vitit, si frekuentohej?

Sigurisht gjatë javës, më shumë të shtunave, mblidheshin në mbrëmje. Dhe interesant është fakti se jo vetëm artistë, por aty vinin edhe inxhinierë, arkitektë, mjekë, juristë, avokatë, gazetarë të njohur me familjet e tyre. Të pranishme si gjithmonë pianoja, por edhe një formacion i vogël orkestral. Edhe në fundjavë, nuk mungonte e veshura elegante. Vinin shumë studentë të Arteve. Breza studentësh, djem, vajza, që më vonë u bënë artistë të njohur, pedagogët e tyre dëshironin të vinin në atë klub, të argëtoheshin, të jepnin koncerte etj. Bashkë me ta, edhe unë si pedagogia e tyre, i shoqëroja me shumë kënaqësi. Mbrëmjet në atë mjedis ishim vërtet tërheqëse.bebi

Të bëje një koncert në Lidhje ishte një ngjarje, apo jo?

Të jepje koncert në Klubin e Lidhjes përbënte eveniment të madh, sidomos për ata që kërkonin të promovoheshin, të afirmoheshin, veçanërisht studentët. “Ka dhënë koncert në Klubin e Lidhjes”, thuhej për këngëtarët, si të muzikës së lehtë, ata lirikë, instrumentistë, si një vlerësim për artistin në rrethin artistik kryeqytetas.

Çfarë shërbehej, përveç kafesë?

Në Klubin e Lidhjes, servireshin pije të zgjedhura, si të huaja, por edhe të vendit. Shërbehej në sallë me kamerier. Në të djathtë ishte një banak i madh, ku qëndronte xha Koçoja, banakieri i paharruar. Kujtoj se ofrohej edhe Rum-i i njohur kubanes, që vinte nga Kuba, falë miqësisë dhe marrëdhëniet e mira me Fidel Kastron. Si dhe pije të tjera, nga ato të vendit, të kualiteteve të mira. Për ne nuk kishte rëndësi bufeja, por qëndrimi, bisedat, miqësitë.

A vinin politikanë?

E bukura ishte se në atë lokal nuk flitej për politikë dhe politikanët nuk vinin. Mund të përjashtoj disa evenimente të rralla, që zhvilloheshin aty. Në përgjithësi, aty krijohej një atmosferë shumë e ngrohtë. Ishim miq, njiheshim dhe as mund të mendohej e flitej për tjetër gjë, veçse biseda arti. Politika qëndronte shumë larg atij mjedisi, atyre njerëzve.

Ju thatë se bëheshin koncerte, po aktivitete të tjera kulturore?

Mjaft të tilla, kryesisht ekspozita në pikturë. Por e rrallë ishte kur erdhi ekspozita e qilimave francezë. Ka qenë e mrekullueshme, një gjini artistike shumë interesante, me punime dore. Interesimi ishte i madh, por edhe kujdesja nga muratorët francezë e tillë, deri në detaje të vogla.

Ju kujtohen gratë elegante të natës së Vitit të Ri?

Jo vetëm njëra, por ishin disa, midis tyre Ganimet Vendresha, femër shumë elegante. Para një mbrëmjeje, kur bashkëshorti po i hiqte pallton, kujtoj nuk mbaronte dekolteja e saj. Pastaj Helena Kadare, shumë e bukur, Luiza Konda, Luiza Papa, Shpresa Nishani, Hamide Stringa etj., etj. Në mjaft raste në atë mbrëmje vinin me taksi, pajton, si një formë që shoqëronte pjesën mondane, sentimentale të asaj kohe, mentalitetin dhe pasionet e atij brezi.

Ç’muzikë dëgjohej?

Të preferuara sigurisht dhe pa asnjë diskutim ishin këngët shqiptare mjaft të bukura të asaj periudhe, që këndoheshin edhe në festival, rubrika, emisione të radios. Por edhe të huaja, ato italiane dhe deri para se të largoheshin, këngë të famshme ruse. Klubi në ato mbrëmje kishte një rregull: Nëse dikush dëshironte të këndonte, të luante në instrument, të recitonte, ishte i lirë. Të gjithë këngëtarët e njohur të atyre viteve, pa përjashtim, vinin aty. Dhe jo vetëm për natën e Vitit të Ri, por edhe në raste të tjera.

Çfarë kërcehej?

Nga të gjitha, twist, tango, vals, muzikë ritmike. Të pranishëm aty ishin edhe ata të Operës e Baletit, si dhe valltarë të Ansamblit etj. Xhoni Athanas me gruan Sekine, po kështu Edi Luarasi me Mihallaqin, këngëtare të njohura, regjisori Viktor Gjika, shkrimtarë, piktorë, skulptorë, kompozitorë, pa fund. Nga Odhise Paskali, Fuat Dushku me Irenën, arkitekti Koço Çomo, piktori Danish Jukniu me gruan Damuta, doktoreshë polake etj.

A vinte ndonjë artist i huaj?

Nuk e harroj një grua ruse baletmaestër me familjen e saj, çfarë mrekullie ishte kur kërcente. E ftuar aty bashkë me balerinin Agron Alia, ajo zotëronte dhe shprehte një linjë elegante të jashtëzakonshme. Shoqëruar në piano, kur ajo kërcente ndërpriteshin bisedat, heshtje absolute në sallë dhe bashkë me tingujt e pianos, të pranishmit e kishin vëmendjen tek ajo…

Kam dëgjuar për një “matine”, në Hotel ‘Dajti’?

Ajo është tjetër gjë. Në Hotel ‘Dajti’, lokalin-bar, shërbehej “matine”, shumë e famshme për kohën dhe e preferuar nga intelektualët, artistët e asaj periudhe. Por nuk ishte kjo që përbënte të veçantën: Në “matine”, që organizohej vetëm të dielën paradite, bashkë me një kafe e diçka për të pirë, edhe vallëzohej shoqëruar nga një orkestër e vogël.

Kur nisi të braktisej Klubi?

Pas viteve ‘70, largimi nga ai ambient mondan, ardhja tek ish-Shtëpia e Oficerëve, duke u bashkuar në një ndërtesë Lidhje-Klub, ndryshoi gjithçka. Mbas ‘70-ës, shumë gjëra u kufizuan edhe për arsyet që dihen, lidhur me ashpërsimet e situatave politike, ku pa dyshim në qendër ishin edhe artistët, shkrimtarët, të gjithë

Ju thatë se ishit frekuentuese e rregullt e Klubit…

Pikërisht në atë klub, midis të tjerave kam dhënë një koncert me valse për piano, të kompozitorëve klasikë dhe ata shqiptarë, i veçantë për kohën, mjedisin. U ndoq me mjaft interes, pati shumë sukses, si një surprizë e këndshme. E kujtoj me shumë nostalgji edhe sot. Klubi kishte gjithashtu edhe tri dhoma, si anekse ku punohej me këngëtarë.

Por nuk ka qenë vetëm pianoja dhe miqësitë që e bënin të veçantë për ju atë Klub, apo jo?

Një natë, kur ishim të ulur në kolltukë, me studentë të kthyer nga shkollimet në vendet e Lindjes, të gjithë tregonin me pasion histori, ngjarje nga jeta e tyre studentore, dashuritë. Përveç njërit që rrinte në fund, i ndrojtur e nuk fliste: “Ti i vogli, – iu drejtova unë, – pse nuk flet?”. Ky djalë 22-vjeçar quhej Pirro Milkani. Ka qenë viti 1961. Një kujtim i paharrueshëm.

I çuditshëm si komunikim i parë…

Po, sigurisht. Më pas, më 11 janar, organizuam një mbrëmje në klinikën e babait tim me shokët e kursit. Bashkë me ta erdhi edhe Pirro me skulptorin Thoma Thomai, e kishte shumë shok, që nga Çekia. Pastaj martesa erdhi në prill të ’68-ës dhe për muaj mjalti u nisëm për në Fier me grupin e xhirimit, që përgatitej për filmin “Përse bie kjo daulle”.

Një histori dashurie e dy artistëve e nisur pikërisht nga Klubi i Artistëve?

Po, kjo është e vërtetë. Më pas rrodhi një jetë e gjatë e shoqëruar me aktivitet intensiv, sa familjare aq artistike për të dy. Erdhi në jetë djali, Eno, dhe sot jemi gjyshër, me nipin Marti dhe mbesën Pati. Një jetë si një film, me një histori dashurie të dy artistëve, e nisur pikërisht nga një klub i famshëm i artistëve. Kështu e kujtoj, pasi e tillë është edhe sot pas kaq vitesh.

Znj. Bebi, një kuriozitet: emri juaj është Margarita, por përse ju mbeti ky emër përkëdhelës?

Ka një histori të veçantë. Kur linda, më erdhi nga Selaniku gjyshja, mamaja e mamasë. Quhej Vasiliqi, kishte mbaruar Liceun Francez dhe qëndroi një vit këtu. Dëshironte që të më vinin emrin e saj, por mamaja nuk e pëlqente. “Bebja, bebi”, kështu më thërrisnin deri sa ajo u largua. Pasi iku, më vënë emrin Margaritë. Por, në mjedisin e familjar më mbeti “Bebi, Bebi”. Edhe sot, më shumë me këtë emër më njohin.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular