BallinaAktualitetSulmi mbi ambasadë/Këshilli i Ambasadorëve: Të lëvizë diplomacia

Sulmi mbi ambasadë/Këshilli i Ambasadorëve: Të lëvizë diplomacia

Këshilli i Ambasadorëve të Shqipërisë reagoi pas sulmit ndaj Ambasadës së Malit të Zi në Serbi. KASH kërkon që diplomacia shqiptare të lëvizë më intensivisht. Ata i kërkojnë qeverisë së Shqipërisë, që në rolin e drejtueses së OSBE, të ndikojë në uljen e tensioneve.

DEKLARATA

Sulmet që kanë ndodhur ditët e fundit ndaj Ambasadës së Malit të Zi në Beograd nuk janë vetëm një akt vandalizmi, por edhe shprehje e një urrejtjeje të verbër nga qarqe nacionaliste e radikale serbe ndaj legjitimitetit dhe të drejtës për vendimmarrje të parlamentit të Malit të Zi.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dënon dhunën mbi selinë diplomatike të Malit të Zi, një institucion i paprekshëm dhe i garantuar nga konventat ndërkombëtare, si dhe shpreh shqetësim për frymën e konfliktit dhe të tensionit që sjellin veprime të tilla.

Rajoni ka nevojë për mirëkuptim e komunikim miqësor për të çuar më përpara aspiratat e popujve ballkanikë në rrugëtimin e tyre për në Bashkimin Evropian.

Fqinjësia e mirë dhe respektimi i të drejtave themelore të pavarësisë së vetvendosjes, duhen të karakterizojnë raportet midis vendeve të rajonit tonë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë inkurajon Qeverinë e Shqipërisë, e cila sapo ka marrë kryesimin e OSBE-së, të luajë një rol të fuqishëm në uljen e tensionit që është ndezur në Beograd dhe të jetë aktiv përmes veprimeve e komunikimeve diplomatike në tejkalimin e situatës së krijuar.

Është momenti që diplomacia shqiptare duhet të lëvizë intensivisht dhe të shprehet hapur në mbrojtje të legjitimitetit e vendimmarrjes sovrane të parlamentit Malazez lidhur me të drejtat e liritë fetare, si një nga ato drejtime që OSBE e ka pjesë të mandatit të saj.

Shpërdorimi i fesë për agjenda nacionaliste dhe politika hegjemoniste ndaj popujve fqinje na kthen në kohën e Milosheviçit.

Popujt e rajonit kanë vuajtur shumë nga politika të tilla. Beogradi zyrtar duhet një herë e përgjithmonë të ndahet nga trashëgimia politike e viteve 90′ dhe të respektojë pavarësine dhe të drejtat sovrane të shteteve fqinje.

Vetëm kjo i kontribuon aspiratës Euro-Atlantike të rajonit tonë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular