BallinaTe tjera“Ja pse ti Kadri, me sovjetikët dhe Mehmetin, krijuat Komplotin e Teme...

“Ja pse ti Kadri, me sovjetikët dhe Mehmetin, krijuat Komplotin e Teme Sejkos”, akuzat e Enverit në Pleniumin e ’82

Publikohen ngjarje, fakte, dëshmi dhe dokumente të panjohura, nga historia e të ashtuquajturit “Grupi komplotist çam”, i cili u inseknua nga Kadri Hazbiu me sugjerimin e këshilltarëve sovjetik dhe u miratua nga Enver Hoxha.

pjimage (3)

Ky i fundit, në Kongresin e IV-të të PPSH-së, në 13 shkurt 1961, tre muaj përpara gjyqit kundër tyre, u shpreh: “Unë mund t’i deklaroj Kongresit, popullit e Partisë, se këto dy fuqi fqinje, Jugosllavia e Greqia, në bashkëpunim me disa tradhëtarë brenda vendit dhe të arratisur në Jugosllavi, e në bashkëpunim me Flotën e VI-të Amerikane në Mesdhe, kishin organizuar disa muaj më parë komplotin kundër Shqipërisë, i cili kishte si qëllim likujdimin e Republikës së Shqipërisë, por që dështoi fund e krye dhe komplotistët e faktet janë në duart e drejtësisë popullore”.

Ndërsa më 13 tetor 1982, në Pleniumin ku po goditej Kadri Hazbiu, Enveri u shpreh: “Mbasi ne po përgatisnim sulmin për në Mbledhjen e Partive Komuniste Punëtore në Moskë, ata na kërcënuan, por duke parë vendosmërinë tonë ata organizuan me agjenturën e tyre, Mehmet Shehun e kompani, të ashtuquajturin komplot të Teme Sejkos se gjoja vendi ynë do të sulmohej nga Flota e VI-të amerikane me mbështetjen e jugosllavëve dhe grekëve. Me fjalë të tjera, sovjetikët na thoshin: Mos bëni shaka të na largoni bazën ushtarake nga Pashalimani, se sulmi është gati për të shkatëruar Shqipërinë dhe na e keni nevojën”. 

Në dy pjesët e kaluara të këtij shkrimi të botuar nga Memorie.al u njohëm me historinë se si dhe pse u inskenua “Grupi komplotist çam”, zhvillimin e procesit hetimor ndaj Taho Sejkos dhe gjithashtu zhvillimin e gjyqit ndaj “Komplotit çam” të kryesuar prej, Kundëradmiralit të Flotës Luftarake-Detare, gjeneral-major, Teme Sejkos. Gjatë zhvillimit të procesit hetimor ndaj grupit çam, i cili akuzohej për “lidhje me agjenturat e disa vëndeve perendimore, me qëllim përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri”, u përdorën lloj-lloj torturash ndaj të arrestuarëve që nuk pranoin akuzat. Një ndër ata të arrestuar që nuk u thye nga presionet dhe torturat që iu bënë në Hetuesi, ishte dhe Taho Sejko, i cili së bashku me vëllanë e tij, Temen, konsideroheshin si koka e grupit armiqësor. Si hetues i Tahos, në fillim u caktua nënkolonel Stavri Madhi, i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit të Tiranës, i cili pasi nuk mundi që ta detyronte dot atë të firmoste akt-akuzën që i bëhej, ai u hoq dhe në vënd të tij u caktua Ferhat Matohiti. Por edhe Matohiti nuk e zbërtheu dot Tahon, i cili nuk mund t’i duronte dot torturat, i ra murit të qelisë me kokë, duke humbur kujtesën përgjithmonë. Si rezultat i kësaj, Taho ishte i vetmi që nuk doli në gjyqin e “Komplotistëve çamë” dhe në relacionin që Kadri Hazbiu i dërgonte Enver Hoxhës, ai i shkruante, se: “mos paraqitja e Tahos në gjyq, e rrezikonte dorzimin e procesit hetimor në afatin e caktur e gjithashtu do të dobsonte në një farë mënyrë edhe procesin gjyqsor”. Pak kohë para përfundimit të procesit hetimor, pa asnjë lloj motivacioni, u shkarkua nga detyra e nënkryetarit të Gjykatës së Lartë, nënkolonel Mustafa Qilimi, të cilit, Rita Marko, i bëri presion për ta arrestuar duke i thënë se ishte shok i Tahir Demit. Gjyqi ndaj “Komplotistëve çamë” filloi më 18 maj të vitit 1961 në sallën e Kinemasë së Brigadave dhe ai drejtohej nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Shuaip Panariti dhe antarë të tij ishin: gjeneral-major Muharrem Kokomani, kolonel Bejto Isufi, kolonel Sotir Spiro dhe Hilmi Telegrafi.                                                      

Dënimi “Komplotistëve çamë” dhe pasojat e tyre

Ditën e dielë, më 18 majt të vitit 1961, pas pretencës së Prokurorit të Përgjithshëm të republikës, Arianit Çela, kryetari i gjyqit, Shuaip Panariti, që njokohëshisht ishte dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, shpalli vendimin duke dhënë dënimet përkatëse për 38 të pandehurit e atij procesi të bujshëm. Teme Sejko, Tahir Demi, Avdul Resuli e Hajri Mane, u dënuan me vdekje, me pushkatim, duke u cilësuar si koka e komplotit. Ndërsa gjashtë të pandehur të tjerë, që vinin pas tyre për nga rëndësia dhe roli që kishin luajtur në “komplot”, të cilët ishin kryesisht nga fshatrat e zonës kufitare të Sarandës e Konispolit, blektorë dhe bletërritës, u dënuan me 20 deri në 25 vite burg. Po kështu me disa vite burg më pak u dënuan edhe pjesa tjetër e atij grupi të madh të “komplotistëve çamë”, ku pjesa më e madhe e tyre vdiqën nëpër kampe e burgje duke u eleminuar fizikisht.

Ndërsa Kosta Fili, i cili pranoi lojën e Sigurimit të Shtetit duke pohuar se ishte agjent i zbulimit grek dhe ndërlidhës i tyre me Grupin e Teme Sejkos, vuajti 25 vjet nëpër kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, pa pëfituar asnjë lloj amnistie apo falje. Ai u lirua nga burgu i Burrelit në vitin 1986 dhe pasi u mbajt për gjashtë ditë i izoluar në Hotel-Turizmin e atij qyteti, u pais me një pashaportë nga Sigurimi dhe u dërgua në Greqi, gjoja si i riatdhesuar. Largimin e tij për në Greqi, Sigurimi e bëri për arsye se qëndrimi i mëtejshëm në Shqipëri, do të krijonte probleme, duke demaskuar apo dekonspiruar në një farë mase proçesin e “Komplotistëve-çamë”, pasi Kosta Fili ishte një fatkeq me probleme të shëndetit mendor, dhe pas lirimit nga burgu, shumkush që do binte në kontakte me të, do ta kuptonte fare mirë se çfar agjenti apo ndërlidhësi kishte qenë ai.

Deklarata e Haki Rrushitit nga SHBA: Nuk kam lëvizur asnjë ditë nga vëndi

Kosta Fili ka jetuar deri para pak vitesh diku në një nga lagjet periferike të qytetit të Janinës dhe pas viteve ’90-të ai pati refuzuar çdo takim me shtetas shqiptarë dhe gjithashtu bashkëatdhetarëve të tij grekë, nuk ju dha kurrë një përgjigje të saktë lidhur me arsyet se përse në Shqipëri e mbajtën për një çerek shekulli të mbyllur nëpër burgje?! Një nga të akuzuarit e atij gjyqi, si “ndërlidhës i komplotistëve me shërbimet sekrete greke, amerikane dhe me Panajot Plakun, ishte Haki Rushiti”, i cili banonte në SHBA. Rrushiti ishte arratisur për në Greqi që nga koha e Luftës, pasi kishte qenë komandanti i së parës çetë partizane të krahinës së Çamërisë, e më vonë kishte kaluar me forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar. I akuzuar në gjyq si agjent i disa shërbimeve sekrete, në 6 qershor të vitit 1961, Haki Rrushiti bëri një deklaratë në shtypin shqiptar të New Yorkut, ku ndërmjet të tjerash shprehej: ”Në zhvillimin e gjyqit jam akuzuar dhe unë si agjent i Greqisë dhe i shërbimeve sekrete të Flotës së 6-të amerikane, se gjoja paskam pasur kontakte me të dënuarit si çamër që ishin. Kam ardhur në SHBA më 25 dhjetor 1955 dhe që nga kjo kohë nuk jam larguar asnjë ditë nga ky vend. Këtë gjë e di mirë dhe delegacioni komunist (ambasada) që gjendet këtu në New York, i cili me siguri njoftohet dita ditës mbi aktivitetin e shqiptarëve dhe mërgatës antikomuniste nga agjentët e tyre të cilët më shohin dita ditës”.

Si u maskua vrasja e Taho Sejkos nga Gjykata e Lartë?

Një përfundim tepër tragjik pati familja Sejko, prej së cilës pati pesë viktima. Pas gjyqit të “Komplotistëve çamë” në drejtim të Byrosë Politike, u bënë shumë letra anonime në të cilët kërkohej se përse Taho Sejko u shpall armik dhe nuk doli në gjyq. Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë, pas kësaj bëri një deklaratë në shtyp (rasti i vetëm) ku njoftonte se “Taho Sejko doli në gjyq, u dënua me vdekje dhe u ekzekutua”. Për Tahon nuk rezulton të jetë bërë asnjë gjyq, dhe kjo sajesë e regjimit komunist të asaj kohe e cituar nga Gjykata e Lartë, ka qenë thjesht një justifikim për të kamufluar torturat ç’njerzore që u përdorën ndaj tij në qelitë e Sigurimit dhe Hetuesisë, të cilit pasi iu dëmtua truri, rezulton të jetë mbajtur për shumë vite nëpër spitale psiqiatrike, i izoluar si kavie laboratorike, ku bënin prova e mësim studentët dhe specialistët e mjekësisë ligjore.

Bashkëshortja e tij Irfane Sejko (Mane) para viteve ’90-të nuk la vënd pa e kërkuar dhe zyrë të shtetit pa trokitur, por nuk mori kurrë ndonjë përgjigjie të saktë. Po kështu dhe i biri i tyre, Hektor Sejko, të njëjtën gjë bëri pas viteve ’90-të, por ende dhe sot nuk ka asnjë lloj informacioni se sili ishte fati i babait të tij?! Si për Tahon dhe për Temen, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk ekziston asnjë lloj dokumentacioni ekzekutimi dhe vendvarrimi. Pas dënimit të Tahos e Temes, edhe vëllai i tyre i tretë, Sulo Sejko, i cili jetonte në Shkodër, nga presionet e mëdha që iu bënë si nga segmente të caktuara shtetërore ashtu dhe nga ambienti i ngushtë familjar ku jetonte, fillimisht tentoi të priste damarët dhe më pas u vetëvra duke u hedhur në pus.

Familja e Teme Sejkos u internua në qytetin e Beratit, ku në vitin 1974, djali i tij, Sokoli, (23 vjeçar) u dënua me vdekje me pushkatim, duke u akuzuar se: “kishte dashur të hidhte në erë Kombinatin e Tekstileve në Berat”. Atë ditë që e jëma e tij, (bashkëshortja e Temes) Shpresa, u lajmërua për ekzekutimin e të birit, u vetëvra duke u hedhur nga kati i pestë i apartamentit ku banonte. Por tragjedia e kësaj familje nuk mbaroi me kaq, sepse atë ditë që Shpresa Sejko bëri vetëvrasjen, u arrestua i biri, Raimond Sejko, duke u akuzuar se: “ai e kishte shtyrë nënën e tij dhe e kishte hedhur nga kati i pestë”. Pas kësaj, ai u nxorr në gjyq dhe u dënua me 15 vite burg, duke u akuzuar edhe sepse nuk e kishte denoncuar nënën e tij, që gjoja kishte shpërndarë trakte atë ditë që i kishin ekzekutuar vëllanë e tij, Sokolin.

Enveri në ’82-in: ”Komploti çam”, vepër e Kadri Hazbiut

Lidhur me “Komplotin e grupit çam” të Teme Sejkos, në të gjitha fjalimet që ka mbajtur Enver Hoxha, për 20 vite me rradhë, ka qenë tepër kontradiktor. Kështu në Kongresin e katërt të PPSH-së, në 13 shkurt të vitit 1961, tre muaj përpara se të zhvillohej gjyqi kundër tyre, në mes të tjerash ai u shpreh: ”Unë mund t’i deklaroj Kongresit, popullit e Partisë, se këto dy fuqi fqinje, Jugosllavia e Greqia, në bashkëpunim me disa tradhëtarë brenda vendit dhe të arratisur në Jugosllavi, e në bashkëpunim me Flotën e 6 amerikane në Mesdhe, kishin organizuar disa muaj më parë komplotin kundër Shqipërisë, i cili kishte si qëllim likujdimin e Republikës së Shqipërisë, por që dështoi fund e krye dhe komplotistët e faktet janë në duart e drejtësisë popullore”. Kjo fjalë e Enver Hoxhës është e filmuar nga ish-Kinostudio “Shqipëria e Re” dhe ajo është transmetuar pas viteve ’90-të nga disa kanale televizioni në emsione të ndryshme. Ndryshe sa kishte folur në Kongresin e IV-të, të PPSH-së, në mbledhjen e Pleniumit të Komitetit Qëndror të PPSH-së të mbajtur më 8 Nëntor të vitit 1982, kur Enver Hoxha po kryqëzonte Kadri Hazbiun, në mes të tjerash ai u shpreh: ”Vetë çështja e Teme Sejkos, është e mbushur me një mister. Në tablonë sinoptike për veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu, unë thashë se nuk e kam të qartë Komplotin e Teme Sejkos dhe ç’ rol ka luajtur Mehmet Shehu në të. Na ishte thënë se ky ishte një komplot i organizuar nga agjentura greko-amerikane e jugosllave e lidhur me Flotën e 6 Amerikane në Mesdhe. Kur folëm ne në Kongresin e katërt për këtë komplot, sovjetikët bënë sikur u alarmuan, madje Gomulka na propozoi që të na dërgonin një komision nga Traktati i Varshavës, gjë që ia hodhëm poshtë. Në letrën që më dërgoje ti, Kadri, u shpejtove të më shpjegoje problemin e Teme Sejkos, duke u përpjekur të bësh dhe provokacione. Kjo letër me të vërtetë ma sqaroi problemin, por jo në atë drejtim që doje ti. Tani unë e kam të qartë atë që fsheh ti. Ky komplot i Teme Sejkos ishte i organizuar nga sovjetikët, nga Mehmet Shehu, etj, që ti Kadri nuk i zë fare në gojë në këtë letër. Mbasi ne po përgatisnim sulmin për në Mbledhjen e Partive Komuniste Punëtore në Moskë, ata na kërcënuan, por duke parë vendosmërinë tonë ata organizuan me agjenturën e tyre, Mehmet Shehun e kompani, të ashtuquajturin komplot të Teme Sejkos se gjoja vendi ynë do të sulmohej nga Flota e 6 amerikane me mbështetjen e grekëve dhe jugosllavëve. Me fjalë të tjera sovjetikët na thoshin: Mos bëni shaka të na largoni bazën ushtarake nga Pashalimani, se sulmi është gati për të shkatëruar Shqipërinë dhe na e keni nevojën”.

Me këto fjalë iu drejtua Enver Hoxha, ish-Ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut, në Pleniumin e Komitetit Qëndror të 8 nëntorit të vitit 1982, ku në fund të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “E megjithatë, ata ishin armiq”. Kështu u shfaqësua Enver Hoxha lidhur me miratimin që kishte dhënë vite të shkuara për goditjen e “Grupit të Teme Sejkos”, duke folur në atë Plenium të cilin e kishte mbledhur enkas për të goditur Kadri Hazbiun, një nga njerëzit që e kishte përdorur për të eleminuar fizikisht të gjithë kundërshtarët e tij që nga viti 1954 kur e vuri në postin e Ministrit të Brendshëm, e që tashmë nuk i duhej më!

“Komploti çam”, në vazhdën e atyre të Evropës Lindore

Fjalët e Enver Hoxhës të thëna në drejtim të Kadri Hazbiut, duket se përbëjnë edhe versionin e vërtetë të ashtuquajturit “Komplotit të Teme Sejkos”. Ai komplot i montuar, ishte një sajesë e rradhës në rrjedhën e atyre që u inskenuan në shumicën e vendeve komuniste të Evropës Lindore, pas Luftës së Dytë Botërore, identik me ato që kishte sajuar Stalini në periudhëne e viteve 1935-1939-të, ku me proceset e bujshme të Moskës, ai eliminoi shumë nga bashkëpunëtorët e ngushtë të tij, anëtarë të Politbyrosë, ministra, etj., si: Kamenievin, Zinonievin, Tomskyn, Rikovin, Buharinin, Tukaçevskin, Ygerovin, Kedrovin, Blucherin, Yagodën dhe Yezhovin, ku dy të fundit ishin ministra të Brendshëm.

Enver Hoxha ishte ndër të parët nga vasalët e Stalinit në vëndet komuniste të Europës Lindore, i cili filloi spastrimet e kundërshtarëve të tij që në periudhën e Luftës, ende pa ardhur në pushtet, duke goditur dhe eliminuar Anastas Lulën, Sadik Premten, Mustafa Gjinishin, Zai Fundon etj. Gjë të cilën ai e vazhdoi menjëherë edhe pas ardhjes në pushtet, ku filloi të imitonte Stalinin pikë për pikë, duke eliminuar kundërshtarët e tij brenda rradhëve të Partisë, me anë të inskenimit të grupeve armiqësore, si me Koci Xoxen, Sejfulla Malëshovën, Bedri Spahiun, Tuk Jakovën, Pandi Kriston, Kristo Themelkon,  etj., etj. Po nën dirigjimin e Kremlinit, kishin filluar spastrimet edhe në të gjitha vëndet e tjera të Lindjes Komuniste (përjashto Gjermaninë Lindore dhe Poloninë, ku rustë ishin vetë prezent me shumë trupa ushtarake), si në Hungari në vitin 1949, ku sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste, Matias Rakosi, eliminoi ministrin e Brendshëm, Lazlo Rajk, duke e akuzuar si revisionist dhe trockisto-titist, etj. Po në vitin 1949, në Bullagri, Trajçe Kostov, sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Bullgare, u eleiminua nga Dimitrovi sipas udhëzimeve të Kremlinit, duke u akuzuar po si revizionist, trockisto-titistë, etj.

Proceset e bujshme të viteve 1935-’39, ku siç theksuam më lart, Josif Stalini eleminoi një pjesë të madhe të bashkëpunëtorëve të tij, rifilluan në vitin 1952-53 në me të ashtuquajturin “Komploti i Bluzave të Bardha”, të cilin Stalini e inskenoi për zhdukjen e mjekëve me prejardhje hebreje, me pretekstin se kishin dashur ta helmonin Stalinin.

Më pas, po me të njëjtën skemë, në vitin 1952 u organizua dhe u inskenua komploti tjetër në Çekosllavaki, me Ministrin e Jashtëm, Rudolf Stlanski, i cili ishte një komunist dhe luftëtar i vjetër me origjinë hebraike. Në atë komplot të montuar, atij dhe shumë të tjerëve, pasi iu premtua parajsa, i varën në mes të Pragës. Rrjedha e proceseve të montuara për spastrimin e bashkëpunëtorëve Brenda rradhëve të Partisë, do vazhdonte me Rumaninë në vitin 1954, me ministrin e Drejtësisë, Lukretiu Patrascanu, i cili u eliminua nga Sekretari i Përgjithshëm I Partisë Komuniste të Rumanisë, Georgie Dezhi.

Këto procese të bujshme spastrimesh me gjyqe të montura dhe inskenime grupesh armiqësore, pothuaj u ndërprenë në të gjithë Lindjen Komuniste në vitin 1956, pas ardhjes së Hrushovit në pushtet, i cili në Kongresin e XX-të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, goditi dhe denoncoi kultin dhe krimet e Stalinit, njeriut që i kishte ngritur në sistem, metodën e spastrimit të kundërshtarëve të tij, me anë të proceseve dhe gjyqeve të montuara që në fillimin e viteve ’30-të.

Por ndryshe nga të gjitha vëndet e Evropës Lindore që i ndërprenë këto spastrime me anë të procesve të montuara, Enver Hoxha i vazhdoi atë në mënyrë permanente deri në vitin 1982 me të ashtuquajturin “Grupi armiqësor” i Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Ziçishtit, Llambi Peçinit, etj., duke i akuzuar ata si armiq, revizionistë, etj./Memorie.al

maxresdefault

Processed with VSCO with kp6 preset
Processed with VSCO with kp6 preset

Admiral-Teme-Sejko220200109_00030320200109_00010020200108_23521520200108_23532920200108_23534620200108_23562320200109_00010020200109_00030320200109_00091320200109_01004320200109_010345

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular