LDK thotë se i ka bërë ofertë lëvizjes Vetëvendosje

0

Lidhja Demokratike e Kosovës tha të enjten në mbrëmje se “në mirëbesim dhe me vullnet për të arritur marrëveshje, i ka paraqitur ofertën Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëqeverisje”.

Por, ajo nuk dha asnjë hollësi rreth ofertës dhe as lëvizja Vetëvendosje nuk ka bërë ndonjë koment se cila rreth ofertës.

Të dyja partitë u takuan të enjten pasdite dhe pas takimit as kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe as kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, nuk bënë komente duke nxitur debate nëpër mediet lokale dhe rrjetet sociale se bisedimet mund të kenë dështuar.

Më vonë Lidhja Demokratike shkroi në rrjetet sociale se “të gjitha supozimet dhe hipotezat që po qarkullojnë sonte nëpër medie rreth diskutimeve të sotme në mes të LDK dhe LVV janë të pavërteta. LDK, në mirëbesim dhe me vullnet për të arritur marrëveshje, i ka paraqitur ofertën LVV-së për bashkëqeverisje”.

Në lëvizjen Vetëvendosje thanë se “bisedimet janë bërë më të dendura dhe tashmë ka edhe mundësi të reja në tryezë, por ende nuk ka marrëveshje”, duke lënë të hapur mundësinë e takimeve të reja.

Bisedimet ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike rifilluan pas një pushimi të gjatë, që pasoi mbledhjen e parë të parlamentit që u mbajt me 26 dhjetor. Në krye të parlamentit u zgjodh Glauk Konjufca nga lëvizja Vetëvendosje, ndonëse përgjatë gjithë negociatave që nga zgjedhjet e 6 tetorit është thënë se ky post i takon Lidhjes Demokratike. Kjo thelloi hendekun ndërmjet dy partive që nuk po pajtoheshin rreth kërkesës së Lidhjes Demokratike që në kuadër të marrëveshjes për bashkëqeverisje të përfshihet edhe posti i presidentit të vendit.

LEXONI EDHE KËTË

Kosovë, zgjidhet kreu i parlamentit, i paqartë fati i qeverisë

Përgjatë negociatave janë hedhur ide nga më të ndryshmet lidhur me marrëveshjen ndërsa i vetmi qëndrim i pandryshueshëm deri tash është këmbëngulja e të dyja partive se nuk ka alternativë tjetër përveç koalicionit ndërmjet tyre, me kusht që kjo të nënkuptojë edhe zgjedhje të reja.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.