BallinaPolitikeAfrim Krasniqi: Viti 2020 duhet të ketë një prioritet, zgjedhjet e parakohëshme

Afrim Krasniqi: Viti 2020 duhet të ketë një prioritet, zgjedhjet e parakohëshme

Si e shihni vitin 2020 për Shqipërinë. Ne lamë pas një vit të ngarkuar me krizë e tension. A mendoni se do te ketë zgjidhje të krizës politike këtë vit?  A do të ketë zgjedhje të parakohshme?

Krasniqi: Do të duhet të ketë, megjithatë asnjëra nga dy palët politike nuk po i kërkon dhe as i ka në prioritetet e veta. Mazhorana do të shtyjë ditët e muajt në pushtet, opozita nuk është e përgatitur dhe nuk po arrin ta kthejë fluksin kritik ndaj qeverisë në mbështetje për të. Fakti është se në vitin 2019 debati ishte në lidhje me legjitimitetin e qeverisjes dhe legjitimiteti fitoi, zgjedhjet lokale u bënë, qeveria i mbijetoi krizës dhe parlamenti i mbijetoi shpërbërjes. Tani nuk kemi më debat legjitimiteti, por funksionaliteti. Të gjithë e shohim se as parlamenti, as qeveria dhe as pushteti lokal janë janë funksionalë dhe i gjithë sistemi i qeverisjes është në ngërç. Ndaj kërkohej zgjidhje politike. Në politikë ka vetëm një zgjidhje, kalimin drejt zgjedhjeve të parakohshme për të rivendosur balancat politike dhe për tu dhënë jetë e energji institucioneve që dalin prej tyre. 2020 këtë duhet të ketë objektivin kryesor. Elementët e tjerë, si kryesimi i radhës i OSBE, menaxhimi i pasojave të tërmetit, etj, janë të rëndësishme, por nuk e zëvendësojnë dot nevojën jetike të vendit për demokraci funksionale dhe mirëqeverisje. Së fundi, Gjykata Kushtetuese pritet të japë vlerësimin për zgjedhjet lokale dhe për nismën e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit. Në varësi nga këto vendime do të orientohet edhe një pjesë e mirë e
axhendës politike 2020.

-Si e parashikoni ecurinë ekonomike të vendit në vitin që kemi nisur duke pasur parasysh ngadalësimin ekonomik të 2019-ës e duke i shtuar kësaj edhe koston e rëndë të tërmetit?

Krasniqi: Sa herë kemi mandate të dyta të një qeverie kemi pasur stanjacion ekonomik, edhe sepse ekonomia dhe të ardhurat përqendrohen në një klientelë të kufizuar të pushtetit dhe bie niveli i konkurrencës dhe i ideve të reja. Situata aktuale po përballet edhe me dy faktorë të tjerë që kanë impakt negativ ekonomik. Vendi është në krizë prespektive në raport me BE dhe si i tillë nuk është atraktiv për investime të huaja të qëndrueshme dhe së fundi, pasojat e tërmetit të nëntorit do të jenë afatgjata. Pas fazës së parë të ndihmës emergjente procesi i rindërtimit dhe normalizimit do të kërkojë shumë kohë, buxhet të ri dhe do të shoqërohet me pasoja sociale, si emigrimi, papunësia dhe rritja e kriminalitetit. Për të gjitha këto arsye, 2020 pritet të jetë një vit më i vështirë ekonomik sesa 2019 dhe kjo pritshmëri do të duhet ti bëjë organet vendimmarrëse, – Qeverinë e parlamentin, shumë më efektive dhe vizionare për t’u përballur me thellimin e
krizës.

-Ndoshta i vetmi lajm i mirë para mbarimit të vitit 2019 ishte ecuria e ngritjes së institucioneve të reja të Drejtësisë. Po çfarë realisht presim të ndodhë me “drejtësinë e re”, sa premtuese është kjo reformë për një shoqëri që lëngon nga korrupsioni me skandale që konsumohen para syve tanë. A mund të presim nga këto institucione të reja një luftë ballore ndaj këtij fenomeni duke nisur me “peshqit e mëdhenj”?

Krasniqi: 2020 pritet të ketë lajm kryesor dosjet e SPAK dhe reagimin e kësaj strukture ndaj pritshmërive të larta publike për hetimin e gjykimin e politikanëve e zyrtarëve të lartë të korruptuar. SPAK ka gjithçka duhet, një ligj të vecantë, kompetenca të gjëra, mbrojtje
kushtetuese, mbështetje ndërkombëtare, mbështetje publike dhe vepron në një vend ku pjesa më e madhe e kastës politike është e korruptuar. Ata vetëm duhet të kenë vullnet të zbatojnë ligjin dhe të marrin përgjegjësi. Pjesa tjetër e reformës në drejtësi nuk do të ketë më headline vettingun, por plotësimin dhe funksionimin e institucioneve të reja si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Inspektorin e Lartë. 2020 do të përballet edhe me vendimet e para të Gjykatës së Strasburgut për animimet ndaj procesit të vettingut. Nga kjo vendimmarrje mund të ketë impakt e gjithë kurba e reformës në drejtësi. Në aspektin e të drejtës do të krijohet boshllëk i ri në sistemin e prokurorisë dhe gjykatave, sidomos në nivelet e apelit si dhe gjykatës administrative, gjë që kërkon ndofta edhe ndërhyrje të reja ligjore për të eliminuar praktikave të gabuara të konstatuar deri më tani në jetësimin e reformës në drejtësi.

-Çfarë mund të presë Shqipërisë këtë vit në aspektin e integrimit europian? Kemi përpara samitin e Zagrebit. A mendoni se do te ketë rrethana të reja dhe do të çelen negociatat e anëtarësimit?

Krasniqi: Nuk pritet ndonjë ndryshim i madh. Edhe nëse Franca e Holanda ndryshojnë qëndrim, për Shqipërinë pothuajse nuk ndryshon asgjë për sa kohë ne jemi të ndërgjegjshëm se kemi një listë të gjatë detyrash dhe standardesh, për të cilat nuk jemi ende gati për tu përballur me to.
Vendimi i Samitit të Zagrebit është më shumë gjeopolitik dhe BE do të duhet të korrektojë
politikat e saj ndaj rajonit të Ballkanit. Por, përtej kësaj, ne si shtet kemi shumë më tepër për të korrektuar, përfshirë nevojën të jemi një ministër të jashtëm full time në post, të kemi qeverisje e demokraci më funksionale, të kemi rezultate në shtetin e së drejtës dhe ta shohim prespektivën integruese jo në aleancat e përkohshme e personale në Beograd e Ankara, por tek adresimi strategjik euro-atlantik.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular