BallinaOP EDKongresi i Lushnjës Epoka e Re e historisë moderne të Kombit Shqiptar

Kongresi i Lushnjës Epoka e Re e historisë moderne të Kombit Shqiptar

Nga Azgan Haklaj

Kongresi i Lushnjes Epoka e Re e historisë moderne të Kombit Shqiptar.

Çertifikim i Pavarësisë, prolog i qeverisjes demokratike, gurëthemel i parlamentarizmit e shtetit modern shqiptar.

Refleksione me rastin e 100 vjetorit.

Kemi hyrë në Jubileun e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjes.
Është afërmendësh që viti 2020 të mbajë siglën e këtij Kongresi, ashtu siç ishte viti Jubilar i 550 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, Moisiut Tonë Gjergj Kastrioti (Skënderbeu).
Po ta kalojmë nëpër mendje historinë e lashtë e të re të popullit shqiptar vërejmë se në të gjitha etapat historike kur fati i shqiptarëve dhe i Atdheut të tyre është venë në pikëpyetje nëpër udhëkryqet e errëta të historisë, bijtë e Shqipes kanë nxjerrë nga gjiri i tyre personalitete të shquara e mendjendritur të cilët me guxim e kurajo të jashtëzakonshme, me qendresë të paepur, trimëri e vizion kanë ditur ti dalin zot Atdheut e popullit të tyre në beteja homerike e të pabarabarta me armiq të egër e të fuqishëm.
Kështu ka ndodhur në lashtësi kur nxorën në skenën historike Bardhylin, Pirron e Madh,”Pirro Burrin -Pirro Shqiponjën”, Teutën Ilire.
Në kohën e Shtetit të Arbërit me princat Progoni, Dhimitri e Gjini, në Motin e Madh të Arbërit me Kalorësin e Lirisë Gjergj Kastrioti e Besëlidhjen e madhe të Lezhës.
Me Kuvendin e Shën Aleksandrit në Dukagjin të Matit në vitet 1601- 1602, në Kuvendin Ballkanik të Kuçit në vitin 1614 të udhëhequr nga Lala Drekali e kapedan të tjerë të lirisë.
Në kryengritjet kundër Tanzimatit.
Me udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e Lidhjes së Pejës “Me Besa Besë” dhe etërve të Pavarësisë.
Në Kryengritjen e Deçiçit, Kuvendet e Junikut e Shkupit ku u hartua platforma e Kryengritjes së Përgjithshme për shpalljen e Pavarsisë në vitin 1912 në Vlorën historike të Ismail Qemalit.
Të tillë duhet ta shohim dhe Kongresin e Lushnjes në vitin 1920, këtë kryevepër të popullit shqiptar, të patriotëve dhe liderëve politik të tij.
Viti 1920 kur u mblodh ky Kongres ishte një vit i veshtirë e i errët për popullin shqiptar dhe të ardhmen e tij.
Luftërat ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore 1914-1918 e kishin shndërruar Shqipërinë në një shesh betejash për ushtritë ballkanike e ato europiane.
Për një vend të vogël si Shqipëria, i cili kishte vetëm 8 vjet që kishte shpallur Pavarësinë, duke u shkeputur nga nata e gjatë pesë shekullore otomane, i pakonsoliduar në kufijtë e tij politikë, këto vite të para të ekzistencës si shtet ishin një kalvar i vertetë dhe i dhimbshem.
Konferenca e Paqes e Versajës e vitit 1919, me vendimet e saj vulosi fatet dhe kufijtë politik në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore.
U shembën si kështjella rëre nga armët e fitimtarëve Perandoria Gjermane, Austrohungareze, Ruse e Otomane.
Shqiptarët të cilët kishin përjetuar padrejtësinë më të madhe historike në Traktatin e Shën Stefanit, Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Ambasadorëve në Londrër, e cila në vitin 1913 kundër çdo logjike historike, politike e humane ndan në copa trupin e Atdheut duke shkelur me dy këmbët të Drejtën Bazë Ndërkombëtare, atë të vetëvendosjes së kombeve,
Në kurriz të tyre u hartuan Protokolli i Korfuzit 17 maj 1914, Traktati i fshehtë i Ambasadorëve në Londrër 26 prill i vitit 1915, Marrveshja Tittoni – Venuzelos i vitit 1919.
Të gjitha këto kongrese, konferenca, protokolle, traktate, projekte në kurriz të shqiptarëve e ngritën në një nivel të paparë ndonjëherë në kohët e reja ndërgjegjen kombëtare, veprimin politik e diplomatik.
Shqiptarët të ndërgjegjshëm për qëllimet shoviniste të Serbisë, Greqisë, Malit të Zi por dhe endërrat perandorake të Italisë, qëllimi strategjik i së cilës ishte të bënte Adriatikun një domen të vetin dhe ta përdorte Shqipërinë si një kryeurë për pushtimin e Ballkanit, mblodhën të gjitha forcat për ti dalë zot Atdheut të tyre, duke qenë të bindur se ishin ata dhe vetëm ata të cilët në një betejë të vendosur ushtarake e diplomatike duhet tu impononin fuqive të mëdha të kohës të drejtën dhe vullnetin për të jetuar të lirë e sovran në trojet e veta etnike.
Kongresi i Lushnjes u mblodh në një kohë kur shtetet ballkanike Serbia, Mali i ZI, Greqia jo vetëm nuk ishin ngopur nga gjysma e trojeve etnike shqiptare që i morën peshqesh nga Konferenca e Londrës por duke shkelur çdo të drejtë ndërkombëtare, në mënyrë të pabesë e tinzare ju versulën Shqipërisë nga veriu e jugu, lindja dhe përendimi.
Konferenca e Parisit kishte krijuar Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene në vitin 1919 dhe ushtritë e armatosura serbo- malazeze dhe bandat e çetnikëve sllavë të armatosur deri në dhembë sulmuan atëkohë veriun e Shqipërisë ndërsa ushtria shoviniste greke jugun e Shqipërisë.
Ky agresion i ri ngjalli një indinjatë e revoltë të madhe tek populli shqiptar tek patriotët, prijësit dhe liderët e tyre politikë.
Ishte here e parë pas pesë shekujsh që shqiptarët reaguan si komb i bashkuar nën moton:
“Ja vdekje – Ja liri”.
Të ndërgjegjshëm që koha nuk priste patriotët dhe politikanët atdhetarë me në krye firmëtarin e Pavarsisë Aqif Pashë Elbasanin thirrën Kongresin Kombëtar në Lushnje me dt 21 -31 janar 1920.
Lushnja u zgjodh si vend i sigurtë në kushtet kur ushtritë serbe kishin pushtuar Dibrën dhe verilindjen e Shqipërisë, malazezët Shkodrën dhe rrethinat, shovinistët grekë jugun e Shqipërisë, ndërkohë që ushtritë italiane e garnizionet e tyre kishin zaptuar Vlorën dhe Sazanin.
Që në virgjilje të Kongresit patriotët shqiptarë nga të katër anët e vendit kishin damkosur Qeverinë tradhëtare të Durrësit e cila u përpoq të pengonte Kongresin me çdo kusht, e cila vrau delegatin Abdyl Ypin për të krijuar panik e kallur frikë.
Patriotët shqiptarë i bënë thirrje mbarë popullit shqiptarë për tu ngritur në këmbë për shpetimin e Atdheut.
Një veprimtari e dendur politike, patriotike e diplomatike u vu në sherbim të Çështjes Kombëtare.
Personalitetet e shquara kombëtare si Aqif Pashë Elbasani, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Ferit Vokopola, Medi Frashëri, Pandeli Evangjeli, Sheh Ibrahim Karbunara, djaloshi qe ende nuk i kishte mbushur 25 vite Ahmet Zogu, të cilët gëzonin autoritet të madh në popull ndikuan fuqishëm e pa rezerva në krijimin e një fryme të lartë atdhetare dhe në kohezionin e brendshëm politik ngjallën besimin e premisën e sigurtë për suksesin e kësaj ndërmarrje kaq të veshtirë siç ishte rikonfirmimi i Pavarësisë, i tërësisë territoriale, i kufijëve të Shqipërisë Londineze të vitit 1913 dhe çlirimi i territorit nga ushtritë pushtuese sllavo- greko-italiane.
Është momenti dhe detyra jonë të rikonfirmojmë në dritën e historisë rolin e jashtëzakonshëm politik, diplomatik e financiar që luajti Diaspora Shqiptare e kolonitë e saj jashtë Atdheut, shqiptarët e Amerikës, të Bukureshtit e Aleksandrisë, shoqatat patriotike të shqiptarëve të Greqisë dhe arbëreshët e Italisë, të cilët ashtu si në Epokën e Rilindjes e të Pavarësisë u gjendën pranë Atdheut të tyre në ato momente të veshtira historike.
Akti i parë madhor i Kongresit të Lushnjes ishte shfuqizimi i Qeverisë së Durrësit.
Kongresi e cilësoj njëzëri e zyrtarisht atë si një qeveri tradhëtare e të vënë në sherbim të armiqëve tanë.
Delegatët e Kongresit, të cilët përfaqësonin të gjitha krahinat e Shqipërisë vendosën në mënyrë unanime ti bindeshin vetëm vendimeve të Kongresit dhe Qeverisë së dalë prej tij, si i vetmi organ politik e juridik i autorizuar për të vendosur për fatet e vendit dhe të ardhmen e Shqipërisë, si një vend i lirë dhe sovran.
Kongresi i Lushnjes ju bëri me dije fuqive të mëdha vendosmërinë dhe vullnetin e popullit shqiptar për të mbrojtur me çdo çmim çdo pëllëmbë tokë të Shqipërisë dhe për të mos njohur asnjë traktat apo marrveshje të fshehtë apo të hapur që cënon kufijtë territorial të Shtetit Shqiptar.
Vendimet e Kongresit të Lushnjes e vendosmëria e shqiptarëve për të luftuar deri në vdekje për lirinë e të drejtat e tyre kombëtare hodhën në erë të gjitha protokollet, traktatet, konferencat e fshehta, marrveshjet që kishin për qëllim copëtimin e Shqipërisë mes Serbisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Italisë, si dhe shtërroj ëndërrat e elementëve seperatistë, të cilët ishin kthyer në sherbëtorë të bindur të armiqëve shekullorë të Shqipërisë.
Kongresi i Lushnjes përmes akteve juridike krijoj dhe jetësoi Qeverinë Kombëtare të kryesuar nga patrioti Sylejman Delvina, të përbërë nga Mehmet Konica ministër i jashtëm, Hoxhë Kadria ministër drejtësise, Ndoc Çoba ministër financash, Sotir Peçi ministër arsimi, Ali Rizaja ministër lufte, Eshref Frashëri drejtor i përgjithshëm i punëve botërore, Idhomen Kosturi drejtor i përgjithshëm i postave, përcaktoj formën e regjimit dhe sanksionoj formimin e një regjence prej 4 vetash Imzot Luigj Bumçi, Aqif Pashë Elbasani, Abdi Toptani, Dr Mihal Turtulli që përfaqësonin të gjitha besimet fetare, zgjodhi delegacionin për Konferencën e Paqes të përbërë nga Luigj Bumçi, Mehmet Konica, Dr Mihal Turtulli.
Ky kongres celebroj unitetin krahinoro- fetar, si një faktor madhor i pazëvendësueshëm i unitetit kombëtar nën një Flamur e shtet të vetëm.
Kur shprehemi së Kongresi i Lushnjes është ngjarje madhore e Historisë Kombëtare kemi parasysh jo vetëm faktin se ai hapi një Epokë të Re historike, politike, progresive të shtetëformimit shqiptar, por dhe për arritjet madhështore që i realizuan shqiptarët në vitin 1920, të cilat sivjet mbarë Kombi Shqiptar i kremton me krenari plotësisht legjitime.
Në Jubileun e 100 vjetorit nuk mund të mos i konsiderosh fenomenale e madhështore arritjet e shqiptarëve në këtë vit të bekuar të historisë së tyre.
Ata arritën si me magji brenda 12 muajve tre triumfe që ishin kryevepra e tyre shekullore.
Çlirimin me forcat e veta të territorit të Shqipërisë nga ushtritë pushtuese të 4 shteteve të huaja.
Rikonfirmimin në menyrë të pakthyeshme të Pavarësisë të vitit 1912.
Vendosën nën autoritetin e qeverisë të gjithë territorin e vendit.
I hapën rrugën shtetit modern shqiptar dhe institucioneve të tij Kushtetuese.
Viti 1920 është viti kur shqiptarët i treguan Botës mbarë së çfarë është në gjendje të bëjë një popull i bashkuar dhe i vendosur, të paguaj çdo çmim në emër të lirisë së Atdheut dhe të ardhmes së tij.
Kongresi i Lushnjes i hapi rrugën krijimit të një Shteti Demokratik dhe të një Monarkie Parlamentare e Kushtetuese.
Parlamenti Shqiptar që mori jetë në vitin 1921 kryetar i të cilit u zgjodh i famshmi i kohës Aqif Pashë Elbasani ishte tregues i qartë së Shqipëria kishte hyrë tashmë e sigurt e kryelartë në epokën e demokracisë, civilizimit e progresit.
Tempulli i demokracisë pati fatin të kishte në auditorin e tij figura të ndritura historike të denja për Panteonin e Lavdisë së përjetshme si Aqif Pashë Elbasani, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Fan Noli, Pandeli Evangjeli, Medi Frashëri, Ahmet Zogu, Bajram Curri, të cilët do ti kishin zili parlamentet e Francës, Britanisë së Madhe, Austrisë Italisë, apo Kongresi Amerikan.
Në këtë jubile të lavdishëm të 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjes e të veprës së pavdekshme të protagonistëve të tij është momenti të evokojmë kontributin e madh dhe veprën e pavdekshme të një djaloshi trim e vizionar, qendrestar i paepur, i ri në moshë, pa i mbushur 25 vite Ahmet Zogu, i cili me forcat e tij e mori në mbrojtje Kuvendin Historik të Lushnjes në ato kohë të veshtirë të pushtimit të huaj dhe intrigave të seperatizmit të brendshëm.
Duke i njohur meritat e tij në këtë moment vendimtar për fatet e Shqipërisë Kongresi i Lushnjes e emëroi ministër të brendshëm.
Marrshimi i guximshëm e triumfal i Zogut në krye të Qeverisë përmes falangave armike drejt Tiranës që ishte caktuar nga Kuvendi si kryeqytet i Shqipërisë ishte vetëm starti i karrierës së tij brilante politike që do të pasohej si Kryeministër, President e Mbret i shqiptarëve.
Ahmet Zogu ideoj e krijoj Shtetin Modern Shqiptar.
Ai u ba digë e ndalimit për tre dekada të vershimit të Bolshevizmit në Shqipëri.
Sot pas 100 vitesh që na ndajnë nga ky eveniment madhështor na ban me të drejtë krenar përpara Botës së qytetëruar të lirë e demokratike.
Sot pas 100 vjetësh, në këtë vit Jubilar të Kuvendit të Lushnjes është momenti të analizojmë në dritën e historisë, me paanësi e përgjegjësi kombëtare sagën në të cilën ka kaluar shoqëria shqipëtare nën diktaturën komuniste, e cila u instalua me dhunë dhe terror duke huazuar slloganin bolshevik:
“Të gjithë pushtetin sovjetëve”.
Kurse kmerët shqiptarë me parullën:
“Gjithë pushtetin komunistëve”.
Në Kongresin e Permetit 24 – 28 Maj 1944 ata në mënyrë antikushtetuese çmontuan Shtetin Modern Shqiptar dhe në Zgjedhjet e Asamblesë Kushtetuese të 2 dhjetorit të vitit 1945 ndryshuan formën e regjimit dhe instaluan diktaturën e proletariatit.
Të njëjtën gjë bënë para 6 vitesh pinjollët e tyre të cilët erdhën në pushtet të vetëpagëzuar si “Rilindas”.
Ata kanë uzurpuar të gjitha pushtetet, legjislativin, ekzekutivin, prokurorinë, gjygjsorin, pushtetin lokal, pushtetin mediatik, madje po perpiqem të asgjesojnë fjalën e lirë.
Sot në 100 vjetorin e Kuvendit të Lushnjes dhe 99 vjetorin e konfigurimit të parlamentit të vitit 1921 Sulltan Rama, dishepulli i Esat Pashës ka zënë vendin e Sylejman Delvinës.
Ky despot, është regjizor i bandës së “Rilindjes” e skenarëve për ndarjen e Kosovës e Shengenin Ballkanik, thënë ndryshe Jugosllavinë e re, apo Serbinë e madhe.
Ai ka pushkatuar Kauzën Çame.
Ky kusling po ndjek kryekeput një politikë antikombëtare, për interesat e tij utilitare.
Shqipëtarët tashmë Edi Ramën e kanë pagëzuar sivëllau i Filip Petenit, kurse Qeverinë e tij simotër e Vishisë.
Në Parlamentin Shqiptar vegjetojnë deputet kokëkunguj, medioker.
Vendin e korifejëve të vitit 1921 e kanë zënë shitës kastravecash e gjize, zonja që nuk dinë të flasin e lexojnë shqip.
Sot pas 100 vjetësh Shqipëria është përseri në udhëkryq, për shkak të kryeministrit tiran që ka pushtuar të gjitha pushtetet kushtetuese.
Sot pas një shekulli problemi për Shqipërinë nuk janë serbët, grekët, malazezët, italianët.
Problemi është i brendshëm e qartësisht i identifikueshëm:
Edi Rama e partia e tij shtet, mafia kriminale e institucionalizuar që kontrollon politikën, monopoli, kriminal ekonomio- politik, një gangrenë tumorale, metastazat e të cilës kanë pushtuar çdo qelizë të shtetit shqiptar e po e mbështjellin si oktapod edhe shoqerinë shqiptare.
Opozita reale, ekonomia e tregut të lirë, liritë dhe të drejtat e njeriut, fjala e lirë janë denuar me vdekje nga Sulltan Rama dhe Kalifati i tij.
Viti 2020 duhet të jetë vit reflektimi për shqiptarët.
E kjo jo vetëm për të nderuar veprën e ndritur të burrave të shquar të Kombit Shqiptar të cilët 100 vjet më parë luftuan në disa fronte, me agresorët e jashtëm e më kollonën e 5 të separatistëve të modelit Rama dhe triumfuan madhërisht.
Shqiptarët duhet të reflektojnë e të ngrihen në këmbë si një trup i vetëm për të hedhur në greminë Qeverinë satelite të Beogradit, Ankarasë, Athinës, Moskës që ju mban peng prej 6 vjetësh lirinë, dinjitetin, vetë të ardhmen e tyre.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular