BallinaAktualitetShkon në 31 numri i zyrtarëve dhe ndërtuesve të arrestuar në Tiranë,...

Shkon në 31 numri i zyrtarëve dhe ndërtuesve të arrestuar në Tiranë, Prokuroria zbardh detaje nga super-aksioni

Prokuroria e Tiranës ka zbardhur detaje të reja nga megaoperacioni i Policisë së Tiranës, për arrestimin e personave, që dyshohen se kanë lidhje me pasojat e tmerrshme të tërmetit të 26 nëntorit.

Prokurorja Elisabeta Imeraj tha se deri më tani janë arrestuar 31 zyrtarë, ish-zyrtarë dhe ndërtues, që janë përgjegjës për shkatërrimin e shumë banesave në Tiranë.

“Prokuroria e Tiranës më 27 nëntor ka filluar hetimin pas tërmetit, duke u munduar të nxjerrë në pah shkeljet e punonjësve të administratës, por edhe ndërtuesit, që sollën si pasojë nxjerrjen e disa banesave të pabanueshme.

Janë evidentuar 25 institucione, 125 pallate dhe 200 banesa të dëmtuara në Qarkun e Tiranës nga tërmeti i 26 nëntorit. Është arritur në konkluzionin se janë evidentuar dhe identifikuar autorët, që u bënë shkak e pasojë për arrestimet e djeshme, numri i të cilëve ka arritur në 31”, tha prokurorja Elisabeta Imeraj.

Ndër të tjera, Imeraj deklaroi se hetimi do të vijojë edhe në ndërtesat brenda Tiranës që janë konstatuar të pabanueshme.

“Prokuroria ka hetuar në drejtim të identifikimit të autorëve me detyra përkatëse në institucionet shtetërorë që kanë pasur detyrë të dorëzojnë informacionet, për kolaudim ndërtesash, apo të bëjnë një kontroll të atyre për të cilat kanë dhënë lejet e ndërtimit. Është marrë në konsideratë dokumentacioni i çdo banese që është shpallur e pabanueshme, për të parë nëse veprimet kanë qenë në përputhje me ligjin apo jo. Ndaj është ngritur akuza për shpërdorim detyre. Nga dokumentacioni janë zbuluar edhe elementë ku janë pasqyruar të dhëna fiktive të ndryshme nga ato të pasqyruara në realitet.

Ndaj është edhe vepra për falsifikim detyre, dhe së fundi edhe ajo e ndërtimit të paligjshëm. Po hetohen në mënyrë të plotë të gjitha objektet që me akt konstatimi janë nxjerrë të pabanueshme. Janë të shumta në numër, por gjej rastin të falenderoj kolegët për impenjimin e tyre. Konkludimi i hetimeve është bërë për një pjesë të tyre. Falenderoj Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera që kanë ndihmuar në këtë hetim të nisur nga nëntori. Jemi në vijim të procesit për zona të tjera që nuk përfshijnë vetëm Vorë, Kashar, Farkë, por ka një shtrirje për të gjitha ndërtesat në Tiranë që janë konstatuar të pabanueshme”, shtoi Imeraj.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular