BallinaEkonomiKosova e para në Ballkan për numrin e ndërmarrjeve që operojnë në...

Kosova e para në Ballkan për numrin e ndërmarrjeve që operojnë në Shqipëri

Kosova mban vendin e parë nga vendet e Ballkanit Perëndimor për numrin e ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, duke zënë afro 10 për qind të numrit të përgjithshëm të atyre që operojnë në Shqipëri përgjatë viteve 2016-2018.

Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, hartoi një publikim të veçantë për treguesit kryesorë të ndërmarrjeve me pronësi të huaj dhe të përbashkëta që operojnë në Shqipëri. Ndërmarrjet me pronësi 100 % të huaj përfaqësojnë 65.6 % të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta gjithsej në Shqipëri, ndërsa ndërmarrjet e përbashkëta me mbizotërim të huaj përfaqësojnë 13.7 % të totalit, shkruan Koha Ditore.

Në fund të vitit 2018, numri i ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta u ul me 0.6 %, krahasuar me vitin 2017. Për vitin 2018, peshën më të madhe të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta e japin Italia dhe Greqia me 52.8 % të ndërmarrjeve; 60.6 % të punësimit; 52.3 % të eksporteve dhe 53.2 % të importeve. Në vitin 2018, ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë janë 6.259, ndërsa në fund të vitit 2017 ishin 6.295 ndërmarrje.

Në vitin 2018 ndërmarrjet me origjinën nga shtetet e Bashkimit Evropian zënë 2.5 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej në Shqipëri, dhe 64.8 % të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta. Ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor përfaqësojnë 10.3 % dhe ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e tjera zënë 24.9 % të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta.

Duke iu referuar periudhës nga viti 2016-2018, statistikat në lidhje me ndërmarrjet private me kapital 100% të tyrin dhe ato me kapital të përbashkët të Kosovës që veprojnë në Shqipëri variojnë nga 423-478 ndërmarrje. Në vitin 2016 Kosova ka regjistruar 347 ndërmarrje me kapital 100% në Shqipëri dhe 99 ndërmarrje me kapital të përbashkët. Ndërsa në vitin 2017 numri i ndërmarrjeve të Kosovës me kapital 100% janë 319, ndërsa ato të përbashkëta 159.

Viti 2018 ka shënuar rënie për sa i përket aktivitetit të ndërmarrjeve të Kosovës në Shqipëri, ku janë shënuar 290 ndërmarrje me 100% kapital të tyrin dhe 133 me kapital të përbashkët. Vendin e dytë nga rajoni për numrin e ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta në Shqipëri e zë Maqedonia, ku për periudhën 2016-2018 variojnë nga 100-146 ndërmarrje, pasuar nga Serbia që varion nga 37-56, Mali i Zi nga 14-26 dhe në fund renditet Bosnjë-Hercegovina nga 8-14 ndërmarrje.

Në vitin 2018, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta kanë punësuar 15.6 % të punësimit gjithsej nga 18.7 % në vitin 2017. Përqindja e investimeve të realizuara nga ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta është 25.0 % e investimeve gjithsej të vitit 2018, ndërsa në vitin 2017 ishte 30.4 %.

Në vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova mbulon 2.8 % të punësimit dhe 4.5 % të shitjeve neto.

Për sa i përket strukturës së shitjeve neto për çdo aktivitet të ndërmarrjeve të Kosovës që operojnë në Shqipëri masën më të madhe e zë sektori i tregtisë me 14.4%, ndërtimi me 4%, shërbimet e tjera me 2.1%, transport e telekomunikacion me 0.7%, industri nxjerrëse me 0.1% dhe industri përpunuese me 0.1%.

Në vitin 2018, numri i ndërmarrjeve eksportuese me pronësi kosovare është 34 dhe numri i ndërmarrjeve importuese me pronësi kosovare është 97. Ndërsa ndërmarrjet e Kosovës që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri për vitin 2018 kanë zënë 4.2% të vlerës së eksporteve dhe 2.8% të vlerës së importeve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular