BallinaKronikeTritol makinës, çfarë tha pas shpërthimit efektivja e policisë. Fqinjët në panik:...

Tritol makinës, çfarë tha pas shpërthimit efektivja e policisë. Fqinjët në panik: Është bërë si Kandahar

Banesa e një efektiveje të Policisë së Durrësit është sulmuar mbrëmjen e së shtunës me lëndë eksplozive.

Një sasi tritoli është hedhur në oborrin e banesës së saj, por fatmirësisht nuk pati të lënduar. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës rreth orës 22:35, në lagjen numër 17, të qytetit bregdetar, në kohën që familja e efektives Ornela Buruku ndodhej në ambientet e brendshme të shtëpisë.

Persona të paidentifikuar hodhën një sasi tritoli me shpërthim të komanduar në oborrin e banesës së saj, atje ku ndodhej edhe makina tip “Audi”, që ajo përdorte. Fatmirësisht, nga sulmi ka pasur vetëm dëme materiale.

SHPËRTHIMI

Policia bëri të ditur se si pasojë e shpërthimit është dëmtuar makina e Burakut, tip “Audi”. Në vendin e ngjarjes, mbërriti grupi i hetimit dhe ekspertët kundër krimit, të cilët nisën nga puna për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin e autorit dhe motivin e sulmit ndaj koleges së tyre. Mësohet se vetë Ornela nuk ka mundur t’i ndihmojë kolegët e saj të hetimit me ndonjë informacion që do t’u shërbente atyre për të hedhur dritë rreth kësaj ngjarjeje. Ornela ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë konflikt të hapur dhe në këto kushte dyshimet janë se sulmi ka ardhur për shkak të detyrës.

“Nuk kam asnjë konflikt. Rrjedhimisht nuk kam asnjë dyshim se kush mund ta ketë hedhur lëndën plasëse dhe për çfarë motivi. U trembëm shumë, pasi shpërthimi ishte i fuqishëm. Dola në oborr dhe pashë që ishte dëmtuar makina, por për fat të mirë ishin të vetmet dëme. Shpresoj shumë që të zbardhet kjo ngjarje, pasi familja është shumë e tronditur”, mësohet të ketë deklaruar 34-vjeçarja Buruku, e cila ka një karrierë 17- vjeçare në Policinë e Shtetit.

BANORËT

Banorët e zonës thonë për gazetën “Panorama” se kjo është hera e dytë në harkun e pak muajve që në këtë lagje është hedhur lëndë plasëse. Komshiu i efektives ka qenë më i rrezikuar, pasi lënda plasëse ka shpërthyer afër dritares së tij.

“U tmerruam. Ishte shpërthim shumë i fuqishëm. Shpërthim ndodhi një metër larg dritares së dhomës ku ndodhesha unë dhe familja ime. U thyen xhamat, po fatmirësisht nuk u lënduam. Nuk kemi fare siguri. Shtatë muaj më parë, e njëjta gjë i ndodhi komshiut tjetër që kam përballë. Edhe atëherë tritol shpërthyen. Këtu është bërë si Kandahar, si zonë lufte. Nuk di çfarë të them, familja e Ornelës është një familje shembullore. Nuk di çfarë fshihet pas këtij sulmi. Urojmë që Policia ta zbardhi si ngjarje”, shprehet fqinji i efektives.

Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ndërkaq, një grup pune i përbërë nga prokurorë, ekspertë xhenier dhe inspektorë të luftës kundër krimit po heton në dy pista, atë të vendosjes së lëndës plasëse për shkak të detyrës, si dhe pista e ndonjë konflikti të mundshëm me banorët e lagjes.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular