BallinaAktualitetRrëmbimi e “zhdukja” e Jan Prengës, shpallen në kërkim edhe 3 shkodranë....

Rrëmbimi e “zhdukja” e Jan Prengës, shpallen në kërkim edhe 3 shkodranë. Kush janë të rinjtë pjesë e “Grupit të Dukagjinit”

Policia ka identifikuar e shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë, të dyshuar si autorë të pengmarrjes së 48-vjeçarit Jan Prenga, i cili dyshohet se ka mbetur i vdekur si pasojë e dhunës ditën kur u rrëmbye.

Burime nga Policia thanë se bëhet fjalë për tre të rinj nga Shkodra, që dyshohet të jenë pjesë e “grupit të Dukagjinit”, shtetasit Aldo Majnishta, 26 vjeç, Ardian Doçaj, 32 vjeç, dhe Artan Doçaj, 36 vjeç.

Me këta persona dyshohet se ka bashkëpunuar edhe një person i katërt, i cili ende nuk është identifikuar plotësisht nga ana e Policisë. Ndërsa sipas të dhënave nga grupi hetimor, ata dyshohet të kenë kryer veprime aktive gjatë pengmarrjes së 48- vjeçarit, mesditën e 17 janarit në Kamzë.

Kamerat e sigurisë që janë analizuar prej ditësh nga oficerët e Policisë, kanë fiksuar lëvizjet e automjetit “Range Rover”, që i është vjedhur ditën e tërmetit të 26 nëntorit këngëtares K.T., që ka udhëtuar nga Kamza drejt Shijakut, në fshatin Pjesë ku ndodhet resorti i familjes Hajri. Pikërisht në këtë vend, humb edhe gjurmimi i makinës, me të cilën u mor peng Jan Prenga, e cila u gjet më pas e djegur në Shkallnur.

KERKIMET PER TRUPIN

Prej disa ditësh, forcat e Policisë kanë rrethuar zonat përreth Shijakut, duke kërkuar vendin ku mund të jetë fshehur apo groposur trupi i pajetë i Jan Prengës. Edhe dje, efektivët kanë vijuar kërkimet deri në një distancë prej afro 4 kilometrash nga resorti “Golden”, në pronësi të të shumëkërkuarit Altin Hajri.

Policia beson se personat që zhdukën kufomën nuk kanë mundur të largohen më shumë se kjo distancë, nisur nga koha që u është nevojitur për t’u larguar e më pas rikthyer sërish në resort. Kështu të paktën rezulton nisur nga përllogaritja e orarit të lëvizjeve fiksuar nga kamerat e sigurisë të sekuestruara në bodrumin e kompleksit luksoz.

Burimet thanë se i arrestuari në Kavajë, Festim Bexhdili, mendohet të jetë njëri nga personat që ka marrë pjesë direkte në “zhdukjen” e pengut. Ai ka vepruar bashkë me një mikun e tij, i cili është shpallur në kërkim nga Policia, por ende nuk është zbuluar vendndodhja e tij. Nga ana tjetër, mësohet se Policia ka shtuar masat e sigurisë në perimetrin ku banon familja e Jan Prengës, në zonën e Bathores. Të njëjtat masa janë marrë edhe për familjen e vëllait tjetër të tij, që nuk rezulton i përfshirë në veprimtari kriminale.

HETIMET

Jan Prenga u rrëmbye mesditën e 17 janarit në rrugën “London” të Kamzës, ndërsa u deshën rreth dhjetë ditë që Policia e Shtetit të reagonte dhe zbardhte ngjarjen. Ndërkohë që Policia, në një deklaratë të dytë për mediat, thoshte se operacioni për gjetjen e Jan Prengës ishte rezultat i punës së tyre, burime flasin edhe për një bashkëpunim me autoritetet britanike, që kanë kapur përgjime të personave që konsiderohen si porositësit e rrëmbimit, teksa flasin në Shqipëri për pengmarrjen dhe një marrëveshje për dorëzimin e një sasie kokaine, në mënyrë që të lirohet Prenga.

Sipas Policisë, ka prova të pakundërshtueshme që Jan Prenga ka humbur jetën gjatë rrugës për në resortin ku do të mbahej peng, megjithatë, për asnjë prej personave të arrestuar për mbajtjen e tij peng, nuk është ngritur akuza e vrasjes. 4 prej të dyshuarve akuzohen edhe për “Armëmbajtje pa leje”.

“Në kuadër të operacionit, gjatë kontrolleve të kryera në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës, u gjetën dhe u sekuestruan 2 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni, 16 aparate celularë, 4 automjete dhe një shumë eurosh”, njoftoi Policia disa ditë më parë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular