Ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati duke komentuar metodologjinë e re të zgjerimit të Komisionit Evropian thotë se “dekada e katërt e tranzicionit duhet të përmbyllet me Shqipërinë anëtare me të drejta të plota në familjen evropiane”.
Për ish shefin e diplomacisë shqiptare, javët në vijim janë kritike për zyrtarizimin e bisedimeve për anëtarësim ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së.
“Dy vjet pas miratimit të Strategjisë së Zgjerimit të vitit 2018, le të shpresojmë që metodologjia e rishikuar do ta bëjë procesin e pranimit në Bashkimin Europian më efektiv, më të parashikueshëm, më të besueshëm dhe më të prekshëm për qytetarët duke frymëzuar ndryshimet e duhura shoqërore. Javët në vijim do të jenë kritike për zyrtarizimin e bisedimeve për anëtarësim ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së. Ndaj, na duhet të shtojmë forcat e përpjekjet mes nesh, të gjithë aktorëve politikë e shoqëror, për të jetësuar këtë objektiv kombëtar”, shprehet Bushati.
Ai thotë se miratimi i kësaj metodologjie vjen dy vjet pas Strategjisë së Zgjerimit të 2018-tës duke u shprehur se ajo do të jetë kryesisht e aplikueshme për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
POSTIMI I PLOTE
Komisioni Europian prezantoi metodologjinë e re të procesit të zgjerimit që do të jetë kryesisht e aplikueshme për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dy vjet pas miratimit të Strategjisë së Zgjerimit të vitit 2018, le të shpresojmë që metodologjia e rishikuar do ta bëjë procesin e pranimit në Bashkimin Europian më efektiv, më të parashikueshëm, më të besueshëm dhe më të prekshëm për qytetarët duke frymëzuar ndryshimet e duhura shoqërore. Javët në vijim do të jenë kritike për zyrtarizimin e bisedimeve për anëtarësim ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së. Ndaj, na duhet të shtojmë forcat e përpjekjet mes nesh, të gjithë aktorëve politikë e shoqëror, për të jetësuar këtë objektiv kombëtar. Dekada e katërt e tranzicionit, që shkoi përtej çdo parashikimi, duhet të përmbyllet me Shqipërinë anëtare me të drejta të plota në familjen europiane.