BallinaKultureNga Venediku te Shqipëria sot/A i përulet arti pushtetit në çdo kohë?

Nga Venediku te Shqipëria sot/A i përulet arti pushtetit në çdo kohë?

Vepra e Howard Baker “Galaksia, skena nga një ekzekutim” ndjek historinë e një piktoreje veneciane (frymëzuar nga Artemisia Gentileschi), të cilës republika, doxha(Neritan Liçaj) dhe kardinali (Muzafer Zifla) i kërkojnë të bëjë një pikturë të madhe mbi betejën (e pa-lavdishme të) Lepantos.
Kësaj kërkese artisja gjeniale (Olta Daku si Galaksia) e kontroverse e kohës i përgjigjet pozitivisht, por në vend të lavdisë që ata presin të shohin, ajo paraqet gjakun e derdhur dhe jetët njerëzore të humbura, duke ngritur pikëpyetje mbi qëllimet e pasojat e luftës, si mjet për të arritur paqen. Kjo përplasje këndvështrimesh mes piktores dhe porositësve të veprës, që përbëjnë pushtetin e moralin, shënon konfliktin rreth të cilit, Baker ka ngritur veprën e tij dhe Rovena Lule regjinë e saj për shfaqjen në Teatrin Kombëtar tek Turbina. Kisha- pushteti-arti, ose morali, fuqia dhe mendja e lirë.

E lexuar me mesazhet që vepra i jep kohës sonë gjejmë konfliktin pushtet- art që siç thotë Galaksia duhet të jenë përballë jo përkrah. Vepra tregon se mediokrit e kanë më të lehtë të pranojnë edhe punë që nuk mund t’i bëjnë si edhe të përulen e lëpihen për dy groshë më shumë. Mediokrit i duhen pushtetit, por pushteti nuk i do mediokrit çka shpërfaqet në vepër përmes raportit të Doxhës së Venedikut-Liçaj me artistët e rëndomtë (Carpeta i Igli Zarkës) që pranon të bëjë Lepanton pa qenë piktor epik.

Gjenitë kundërshtarë me gjithë problemet që i shkaktojnë pushtetit gëzojnë admirimin e fshehtë të tij.

Shfaqja e Rovena Lules zgjat më se dy orë që nuk peshojnë në durimin e spektatorit. Muzika (e Endri Sinës) që shërben si narratore/lidhëse skenash i jep më shumë peshë shfaqjes. Rolet e karakterit (Ermir Hoxhaj, Xhuliano Brisku, Urim Aliaj, Juxhin Plovishti) e plotësojnë ‘ushtrinë’ e aktorëve në skenë dhe i japin skenave masive një imazh të dëshirueshëm për teatrin shqiptar, që prej vitesh synon shfaqje me pak personazhe që përkthehet edhe me pak buxhet. Skenografia (e Genc Shkodranit) është moderne. Strukturat prej dërrase dhe loja e ndriçimit shërbejnë për të kaluar nga një skenë në tjetrën, duke sjellë natyrshmëri në kalimet nga ‘atelieja’ në burg e më tutje.

foto galeri foto galeri

Personazhi kryesor, ai i Galaksias i është besuar Olta Dakut, prej vitesh një prej aktoreve më origjinale të teatrit shqip. Galaksia duhej të ishte grua fatale, gjeniale, sensuale, joshëse, magjepsëse, tërheqëse- gruaja gjeni që pothuaj ‘rrëzon’ një republikë me një pikturë dhe gruaja që me ndërthurjen e gjenisë dhe lirshmërisë josh këdo. Si e tillë, e adhurueshme e frymëzuese. Do të duhej që secili në publik të dëshironte të identifikohej me të, të rrëmbehej prej saj. Por me një fustan të gjerë që i rri si një rreckë a çizmet gjithë bojë, shtuar lojës së saj aktoriale, ajo nuk është as joshëse, as sensuale, as fatale, aq më pak magjepsëse. Galaksia duket një grua e çfarëdoshme, pothuaj një grua e përgjithshme që kërkon e bën seks por skenat seksuale nuk janë erotike. Ato janë thjesht ‘seks’ skenik.

Kjo grua 46-vjeçare, nënë e 5 fëmijëve, me disa përvoja intime që nga fëmijëria e zbulon në skenë ‘shijen e vërtetë të një burri’. E megjithatë e përçmon këtë burrë e piktor të rëndomtë (Carpeto i Zarkës).

Shumë prej “Galaksive” teatrale që kam shquar këto ditë, ishin pa ‘make up’, me veshje të shkujdesura, po të doni edhe pa gjimbajtëse e me kokë të palarë. Por Galaksia e kësaj shfaqjeje në TK, ngjan një grua e përgjithshme e rëndomtë. Mund të jetë që Rovena Lule e Olta Daku të tillë e kanë dashur këtë personazh.
Kushdo mund të jetë një grua e përgjithshme, e veshur keq, me një llahure si fustan, kushdo mund të jenë një gjeni që vishet keq, mbahet keq e prapë e sfidon pushtetin. Veçse një grua gjeni në mesjetë, një personazh frymëzuar nga Artemisia Gentileschi, që sfidon autoritetin e doxhës e të kishës, pra moralin dhe pushtetin, që realizon një pikturë madhështore për një betejë historike duke treguar atë që fshihet unë e imagjinoj krejt tjetërqysh. E imagjinoj si një grua fatale, që josh edhe padashje doxhën e piktorin, e po të doni edhe kardinalin. E imagjinoj edhe pa make up, edhe pa korse, edhe pa gjimbajtëse, edhe të palarë, edhe të fortë- por gjithnjë më feminile e të rafinuar.
Moskokëçarja e një artisteje që është e ndërgjegjshme që po bën një ‘sulm’ ndaj republikës nuk mund të jetë natyrshmëria e Dakut që ka ruajtur shumë prej vetes në këtë rol.
Përkrah saj Igli Zarka është rioshi i paqartë për veten e të ardhmen, pothuaj i frustruar. Lulzim Zeqja si Prodo ‘me shigjetë në kokë’ në hyrje daljet e pakta në skenë e mban rolin ashtu si Neritan Liçaj që si doxhë i dashuruar me artin e çmon edhe kur nuk e njeh. Ai tregon dhëmbët kur pushteti i kërcënohet e gjen marifetet ta interpretojë edhe një vepër të rrezikshme sipas interesave të tij, qoftë duke sakrifikuar të vëllanë admiral Sufficin (luajtur nga Bujar Asqeriu) që është pikturuar në vepër me duar si kthetra. A nuk është ky pushteti? Rivera e Monda Bulkut, kritikja që shpëton kokën e Doxhës e Galaksias ka ndërhyrjet e duhura në skenë, duke i dhënë ashpërsisë morale e fetare, këshillat e një gruaje të sprovuar.
Tërësia e veprës, elementeve e gjetjeve regjisoriale përcjellin një vepër të fuqishme që flet qartë në Teatrin Kombëtar dhe trajton haptazi pozicionin që duhet të kenë artistët përballë pushtetit. Ç’rastësi. Një vepër që përbashkon luftën e artistëve përballë pushtetit në teatër- shi’- m’u si përplasja për ‘këndvështrimet’ ndryshe mbi godinën historike të teatrit. Baker e ul në tryezë me pushtetin artisten e tij gjeniale. Edhe ne, po ashtu./gsh.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular