BallinaKryesorePafuqia e Ramës për të mbuluar dorëzimin e tij

Pafuqia e Ramës për të mbuluar dorëzimin e tij

Nga Red Varaku

Që prej formimit të Këshilit Politik, Edi Rama po përpiqet të minimizojë bilancin e fitores politike të opozitës për zgjedhje të parakohshme dhe për të mbuluar dorëzimin e tij, duke tentuar të fitojë kohë, kryesisht nëpërmjet propagandës, por edhe duke sulmuar opozitën, me qëllim përçarjen e saj.

E nisi këtë vit duke shitur në mënyrë krejt të pacipë marrjen e kryesimit së OSBE nga ana e Shqipërisë si sukses të qeverisë së tij, madje sukses të tijin personal, ndërsa takimet si përfaqësues i presidencës së OSBE , po i përdor si makiazh për të dhe qeverisjen e tij të degraduar.

Kjo përpjekje kulmoi me përpjekjen e dështuar për të përfituar kredite nga mbështetja që mori populli shqiptar nga miqtë e tij për fatkeqësinë e tërmetit. Mbështetje të cilën ai tentoi ta shiste paturpësisht si fitore personale të tij.

Një përpjekje tejet e pafytyrë, sepse në fakt rezultoi se bashkë me ndihmën, ai kishte marrë dhe 885 milion euro kredi që shqiptarët do të duhet ta paguajnë në emër të rilindjes vitet në vazhdim, kur thjesht mund të ndërpriste konçesionet që shkonin vetëm në xhepat e disa oligarkëve pranë tij.

Të njëjtën gjë po tenton të bëjë edhe me jehonën që ka gjetur thirrja e Presidentit për të protestuar me dy mars, sidomos pas mbështetjes që deklaroi Opozita për këtë protestë .

Vetë kryeministri dhe të gjithë ‘qentë’ e tij të sulmit duken më të alarmuar se asnjëherë tjetër. Ata i kanë drejtuar të gjitha bateritë mbi Opozitën, me qëllim krijimin e diversionit brenda Opozitës dhe demoralizimin e qytetarëve.

Kjo sepse ai e ka fare të qartë që çdo bashkim i forcave opozitare është kërcënim i madh për qeverinë e tij dhe për të personalisht. Bashkimi i këtyre forcave është mekanizmi i vërtetë që vë në lëvizje rrotacionin e pushtetit në Shqipëri dhe dihet që rrotacioni politik gjithmonë ka ndodhur për shkak të konsumimit deri në degradim të qeverisë si dhe frymës së ndryshimit që shpërthen zakonisht në raste të tilla.

Gjithashtu, ai e ka të qartë se teza e tij që Ilir Meta po tenton t’i vjedhë ‘opozitarizmin’ Lulzim Bashës, është një tezë pa logjikë dhe e konsumuar, por shpresa e tij e vetme për të fituar në zgjedhje është vetëm përçarja e opozitarizmit .

Këto janë sinjale që tregojnë se dy marsi edhe pse thuhet se do të jetë paqësor, do të prodhojë ngjarje që nuk do të përtypen kollaj nga ana e qeverisë, sidomos kur dihet që këtë Mars ai do të japë llogari për përmbushjen e detyrave që Shqipëria mori në tetor si kushte për hapjen e negociatave.

Këto sinjale dëshmojnë gjithashtu që beteja e qeverisë për ta minimizuar efektin e tyre do të jetë e stërmundimshme, por pa efekt, ashtu si çdo nismë tjetër pas radiografisë së ashpër që bënë përgjimet.

Gjithsesi , kjo përpjekje e tij është e kuptueshme po të kemi parasysh se kriza të tilla ku ndodhet vendi zgjidhen vetëm me zgjedhje të parakohshme.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular