BallinaAktualitetFinancimi i partive, Bylykbashi shpjegon propozimin ligjor të opozitës: Listat? Duhen masa...

Financimi i partive, Bylykbashi shpjegon propozimin ligjor të opozitës: Listat? Duhen masa drastike për shmangien e manipulimit të tyre!

Financimi i partive në zgjedhje, Oerd Bylykbashi shpjegon propozimin ligjor të opozitës dhe ngre shqetësimin e listave: duhen masa drastike për shmangien e manipulimit të tyre!

DEKLARATA E PËRFAQËSUESIT TË OPOZITËS, OERD BYLYKBASHI PAS TAKIMIT TË GRUPIT TË PUNËS PËR REFORMËN ZGJEDHORE

Pikësëpari të shpjegojmë propozimet e opozitës së bashkuar sot. Opozita e bashkuar ka bërë një propozim të një projektligji që rregullon në mënyrë të plotë financimin e partive dhe financimin në zgjedhje. Është qëndrimi i hershëm i yni që duhet të jetë një zgjidhje e vetme e cila garanton që jo vetëm partitë të financohen siç duhet, por edhe transparenca, që është më e rëndësishmja, të jetë e plotë dhe të mos ketë asnjë mundësi për t’u shmangur. Ky është qëndrimi ynë dhe do t’i qëndrojmë maksimalisht në kuadër të kësaj reforme.

Propozimi që bën opozita e bashkuar është një reduktim drastik i financimit që merret nga burimet private, duke çuar në standarde ndërkombëtare në raportin 66% të financimit nga burimet shtetërore dhe 33% nga burimet private; duke vënë një numër kufizimesh të forta në lidhje me ata që mund të financojnë.

Është një risi në propozimin tonë që ata që kanë marrë para nga taksat e shqiptarëve nëpërmjet kontratash publike; tendera, koncesione, ata nuk mund të financojnë. Dhe gjithashtu kush financon subjektet politike nuk mund të marrë për një periudhë të caktuar tendera apo koncesione nga shteti, për t’i shkëputur maksimalisht kapjen e zgjedhjeve dhe partive politike nga oligarkia. Sigurisht që ka masa të tjera që do të pengojnë qartazi që para kriminale apo korruptive të futen në proces zgjedhor.

Ne forcojmë mekanizmat e kontrollit duke rritur në mënyrë shumë efektive, në gjykimin tonë, kontrollin e deklarimit që bëjnë partitë politike të cilat shpenzojnë shifra marramendëse për reklama në televizione apo për elementë të tjerë të fushatës dhe më pas tallen me shqiptarët duke deklaruar shifra të pavërteta. Ky ishte një propozim.

Çështja të tjera që u diskutuan sot është shqetësimi i madh në lidhje me manipulimin me listat e zgjedhësve.

Listat e zgjedhësve manipulohen në mënyrë dramatike nga kryetarët socialistë të bashkive, me urdhrin e qartë që vjen nga Kryeministri për të fituar 800 mijë votat që i duhen Kryeministrit, dhe duke transferuar zgjedhësit, siç keni parë në Durrës, në Kavajë, në Elbasan dhe në qytetet të tjera dhe duke i regjistruar zgjedhësit fantazëm nëpër karabina pallatesh të papërfunduar apo nëpër kontejnerë, apo edhe nëpër lulishte; vetëm e vetëm që kandiadatët që kërkon qeveria socialiste të zgjedhë të jenë ata që fitojnë, duke bërë transferim turistësh zgjedhorë nga një bashki në një bashki tjetër.

Sot kuptuam qartë që qeveria nuk ka asnjë masë që të garantojë që zgjedhësit të votojnë aty ku kanë vendbanimin dhe gjithashtu nuk ka marrë masa që të pajisë të gjithë shtetasit shqiptarë me dokumente identifikimi të vlefshëm për ditën e zgjedhjeve. Shumë shtetasve u ka skaduar tashmë mjeti i identifikimit dhe zgjedhësit në pamundësi ekonomike do të pengohen nga pagesë e papërballueshme për ta për t’u pajisur me dokument identifikimi. Nëse në vitin 2009 qeveria e Sali Berishës bëri maksimumin, duke edhe subvencionuar çmimin, sot çdo gjë i është lënë selektivitetit politik dhe kjo reformë zgjedhore do të përpiqet ta trajtojë këtë çështje.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular