BallinaOP EDZgjohu Rini! Eshte epoka jote!

Zgjohu Rini! Eshte epoka jote!

Nga Silvana BEGAJ

Zgjohu Rini! Eshte epoka jote!

Dhe një zë vengon nga lumi,

më buçet, më zgjon nga gjumi,

se mileti po gatitet,

se tirani lebetitet,

se pëlcet, kërcet furtuna,

fryhet Vjosa, derdhet Buna,

skuqet Semani dhe Drini,

dridhet beu dhe zengjini,

se pas vdekjes ndriti jeta

dhe kudo gjëmon trumbeta.

ngrehuni dhe bjeruni,

korini dhe shtypini,

katundar’ e punëtorë,

që nga Shkodra gjer në Vlorë!

Fan Noli

Zgjohu Rini!

Zgjohu edhe pse e di që nuk është mëngjes, edhe pse ndoshta po zgjohesh vonë, përsëri të lutem zgjohu! Ti Rini mund ta bësh absurden të arritshme!

Zgjohu Rini! Zgjohu bashkë me mua! Mos më ler të fle më! Zgjohu dhe shiko që realitetin ti mund ta kthesh në ëndërr dhe kur je zgjuar!

Zgjohu Rini dhe me zgjimin tënd zgjo dhe Shqipërinë dhe rikujtoj që më parë kishte luftëtarë dhe heronj, tani aktorë dhe spektatorë.

Zgjohu Rini dhe kupto që përpjekjet e brezit të prindërve tanë kanë përfunduar në hiç ashtu si përpjekjet e kësaj rinie që po përfundojnë në gënjeshtër.

Zgjohu Rini dhe kupto që liria aq shumë e dëshiruar për ne, aty është thjesht një fasadë.

Zgjohu Rini dhe zgjo dhe gjithë Shqipërinë se duke fjetur ke prodhuar aktorë të zotë dhe i ke quajtur politikanë; aq të zotë sa na paraqesin një realitet i cili na lë në gjumë. Politikanë që mendojnë si bankierë, vetëm për para! Por paraja nuk ka atdhe dhe bankierët nuk kanë patriotizëm!

Zgjohu Shqipëri! E dashura ime Shqipëri! E di! Faji është edhe i imi që fjeta aq gjatë. Harrova që gjumi i gjatë të çon në vdekjen e pashmangshme dhe në një tmerr pa fund.

Zgjohu Rini! Shiko! Në qiellin më të errët gjithmonë ka yje shprese! Unë e di se dielli do shkëlqejë dhe mbi ty Shqipëri!

Zgjohu Rini! Zjarri që ti ke përbrenda është më i fortë se interesat shkatërruese të atyre që të duan në gjumë.

Zgjohu Shqipëri! Zgjohu për mua! Për mua që të tradhëtova dhe të lash në gjumë duke fjetur bashkë me ty. Por, unë u zgjova! U zgjova sepse doja Romën më shumë se Çezarin! Zgjohu dhe Ti!

Se po të zgjohesh ti Rini ndalon lumenjtë, detet dhe liqenet të rrjedhin!

Ah po të zgjohesh ti Rini e Shqipëri! Ku ka forcë që është më e madhe se uragani që ti krijon kur hap sytë dhe zgjohesh!

Zgjohu Shqipëri se hajdutët e mëdhenj po fusin në burg hajdutët e vegjël! Zgjohu Rini se po quhen dinakët të zgjuar!

Zgjohu Rini se ka ardhur koha që gjuhët e vdekura të qepin sqepin dhe ka ardhur koha jote! Kur të zgjohesh të lutem zgjo dhe ata të cilët mendojnë se janë zgjuar! Më beso! Ata janë më të rrezikshëm se ata që janë në gjumë!

Zgjohu se po të vazhdosh të flesh do të jetë akoma më vonë! Por, të lutem! Mos u zgjo për aktrim dhe filma, por për kauza dhe ideale të pastra!

Zgjohu Rini dhe ktheji Shqipërisë shkëlqimin e merituar që na ka bërë krenarë ndër shekuj! Zgjohu dhe kur të zgjohesh mos fli më kurrë, se po nuk u zgjove tani rinia jote do ketë fluturuar larg.

Dhe po të iku rinia e dashur Shqipëria ime atëhere ti nuk do jesh më!

#share
#shperndaje

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular