BallinaKryesoreKriza e rëndë e likuiditetit që po vjen

Kriza e rëndë e likuiditetit që po vjen

Nga Klodian Tomorri

Që nga fillimi i epidemisë Covid-19, investitorët ndërkombëtar kanë tërhequr mbi 83 miliardë dollarë nga vendet në zhvillim. Ky është eksodi më i madh i kapitalit që është regjistruar ndonjëherë në historinë botërore dhe kaq mjafton për të kuptuar atë se çfarë po ndodh. Pandemia është duke shkaktuar një recesion global të paprecedentë. Vlerësimet paraprake sugjerojnë se ekonomia botërore këtë vit mund të tkurret me 1.5 për qind.

Për të kuptuar përmasat e krizës mjafton vetëm një fakt. Në vitin 2009, pas krizës më të rëndë financiare të 100 viteve të fundit, ekonomia globale ra me 0.8 për qind, ose dy herë më pak nga sa pritet këtë vit. Por përveçse i papreçedentë në përmasa, recesioni i tanishëm është i paprecedentë edhe nga natyra. Bota po përballet me një krizë të trefishte, goditje kërkesë-goditje ofertë dhe krizë likuiditeti. Kjo e fundit është aspekti më i egër i recesionit pandemik.

Me të drejtë shumë qeveri kanë kufizuar aktivitetin ekonomik, për të përmbajtur epideminë përmes distancimit social. Por kjo ngre një problem. Teksa koha ekonomike ka ndaluar, ajo financiare vazhdon të vrapojë. Njerëzit kanë humbur punën, por faturat vazhdojnë të vijnë. Bizneset janë të mbyllura, por u duhet të paguajnë taksat, kreditë dhe kostot e tjera fikse. Kjo është kriza e likuditetit, e cila po ndodh aktualisht kudo në botë, por edhe në Shqipëri. Dhe fundi i kësaj spiraleje shkatërruese është sektori publik, pra buxheti i shtetit.

Në tre muajt e ardhshëm qeveria shqiptare ka nevojë për 700 milionë dollarë për të përballuar shpenzimet e përditshme të sektorit publik dhe angazhimet shtesë sociale që imponon epidemia. Por për të njëjtën periudhë, të ardhurat në buxhetin e shtetit mund të rezultojnë 500 milionë dollarë më pak se plani. Kjo do ta vendosë buxhetin në një situatë të vështirë likuiditeti. Lënë mënjanë numrat e deficitit, kjo nuk është një krizë borxhi, por shumë më keq. Është krizë likuditeti. Në tre muajt e ardhshëm, qeveria do të jetë në vështirësi serioze për të financuar shpenzimet publike.

Në vendet si Shqipëria, qeveritë nuk kanë shumë opsione për të përballuar ngërçet e likuditetit. Largimi i kapitaleve nga vendet në zhvillim është një sinjal që tregon se sigurimi i financimeve në tregjet ndërkombëtare do të jetë thuajse i pamundur. Eurobondi 700 milionë euro, qe qeveria kishte parashikuar të emetonte në maj, tani është një opsion më risk të lartë. Në kohë të tilla, është e vështirë të gjesh para në treg të lirë. Kështu që opsionet për likuditet mbeten dy. Donatorët dhe tregu i brendshëm.

Në fillim të muajit Fondi Monetar Ndërkombëtar akordoi një fond 50 miliardë dollarë për të kredituar me shpejtësi vendet e varfra dhe ato në zhvillim. Shqipëria mund të marrë automatikisht 87 milionë dollarë përmes Rapid Financial Instrument, mekanizmi që përdoret për kreditim nga FMN në këto situata.

Përtej FMN-së, Banka Botërore gjithashtu mund të sigurojë financime shtesë, në formën e mbështetjes direkte buxhetore ose mekanizmit të posaçëm financiar që ka krijuar për epideminë. Së bashku me Bankën e Zhvillimit të Këshillit të Europës, këto tre instiucione mund të sigurojnë në mënyrë të shpejtë të paktën 300 milionë dollarë në formën e granteve dhe financimeve të buta për vend. Ky është opsioni i parë se si qeveria mund të sigurojë para për të financuar shpenzimet e sektorit publik. Opsioni i dytë mbetet ai i tregut të brendshëm.

Me gjasa, qeveriaq do të kërkojë borxh nga tregu i brendshëm duke emetuar letra me vlerë, në lekë ose në valutë. Nëse tregu nuk do të ketë oreks për të blerë bonot e qeverisë, atëherë opsioni më i mirë mbetet financimi direkt nga Banka e Shqipërisë. Prej vitesh, financimi direkt i buxhetit të shtetit nga Banka Qendrore ka qenë një tabu. Pesha e borxhit publik që mbahet nga Banka e Shqipërisë ka rënë nga 35 për qind në fillim të viteve 2000, në më pak se 14 për qind aktualisht. Tashmë ky rregull duhet të përmbyset.

Në situatën e tanishme, Banka e Shqipërisë ka një rol kritik, për të financuar nevojat e buxhetit, por edhe për të injektuar likuditet në sistemin financiar. E para mund të bëhet përmes blerjes direkte të bonove të qeverisë, ndërsa e dyta duke blerë letrat më vlerë që mbahen nga bankat private. Kohët e jashtëzakonshme, kërkojnë masa të jashtëzakonshme.

Kriza e likuditetit sapo ka filluar dhe do të jetë e vështirë. Tani duhet të shpresojmë se burimet e mësipërme do të mjaftojnë për të mbajtur qeverinë likuide. Nëse kriza do të zgjasë përtej tremujorit, atëherë do të vijnë masa të tjera më dramatike.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular