BallinaKryesoreDITARI I KORONA-VIRUSIT/A ka anti-korpe “shpirti shqiptar” ndaj koronavirusit?

DITARI I KORONA-VIRUSIT/A ka anti-korpe “shpirti shqiptar” ndaj koronavirusit?

Nga Ilir Nikolla

Kur ende nuk po i dihet mirë kurba korona-virusit, mjekë e psikiatër nga e gjithë bota kanë tërhequr vëmendjen drejt shëndetit mendor të popullsisë. Rasti i një 19-vjeçareje nga Britania e Madhe, e cila nga ankthi i madh që i shkaktonte përhapja e virusit dhe rritja e mundësive për infektim, iu dorëzua vetëvrasjes, ka bërë xhiron e globit. Për t’i dalë ballë këtij rreziku, në Francë mediat dhe politika po gjejnë strehë tek “esprit français” – shpirtit francez, në Itali, ku kriza është edhe më e rëndë, asnjë ditë nuk mungojnë shembujt mbi solidaritetin italian (emergjencat civile kanë mbledhur deri më tani dhjetëra milionë euro nga popullsia civile), si dhe mbi optimizmin e shprehur me këngë nga ballkonet. Në SHBA presidenti Trump e lexoi temperaturën e kombit amerikan duke shpallur se sido të shkonin punët me virusin, SHBA do ta hapte ekonominë dhe tregun e saj për pashkë (me 12 prill). Në Britaninë e Madhe kryeministri Xhonson ka përcjellë frymën e madhështisë britanike, që do t’ja dalë edhe kësaj here, kurse në Indi, kryeministri Modi i çuditi të gjithë kur e përkëdheli sedrën e bashkëkombasve të tij, duke shpallur se indianët ishin të gatshëm për “karantinën më të madhe në botë”.
Po në Shqipëri? Si ta qëmtojmë shpirtin e shqiptarit, si ta përshtasim atë me krizën e rëndë të korona-virusit, për të nxjerrë rezultatin që na e do të gjithëve shpirti, atë të fitores mbi sëmundjen? Në Shqipëri, secili po përpiqet të përballet me ankthin si të mundet: dikush duke u lavdëruar se ja ka hedhur karantinës së policisë, dikush duke bërë emulacionin e marrë të disave në sektorin e shëndetësisë që e vijojnë punën, edhe pse shteti i ka lënë pa masat minimale mbrojtëse, dhe shumica, duke ju dorëzuar kësaj kohe në shtrëngesë e duke shpresuar, si dikur në kohërat e zisë së bukës, se dalja e gjethit do ta largonte edhe të keqen.
Shembujt individualë janë që të gjithë madhështorë, në minimalistikën e tyre, por asnjëri s’ja kalon sjelljes së marrë të autoriteteve shtetërore. Ato na mbijnë ditë për ditë në televizion për të shpallur lajmin: mos u gëzoni, mos i fërkoni duart, e keqja s’ka ardhur ende. Sentenca shoqërohet me lista gjobëvëniesh dhe me kufizim të lirive individuale. Askush nuk e konsideron apelin e konstitucionalistit italian Emilio Santoro se “mund të qeveriset virusi, edhe pa infektuar kushtetutën”. Në Tiranë evokimi bëhet veç me diktaturën komuniste, dhe kur e kur, edhe me shembullin kinez. Kaq.
Shembujt e tjerë nuk janë për stomakun e shqiptarit. Ai organizëm i terrorizuar nga rreziku i koronavirusit s’ka pse të vuajë nga ankthi, as pse të tmerrohet për të nesërmen e tij. Me një shembull që ja kalon edhe fermës së kafshëve të Oruellit, bashkia e Tiranës njofton se biznesmenëve të Tiranës që ju janë mbyllur qepenat do u falet taksa e hapësirës, çka nënkupton se gjithsesi duhet ta paguajnë taksën e tabelës, qiranë apo edhe pagesa të tjera të përditshme, të cilat pa aktivitetin tregtar në funksionim, në fakt nuk kanë asnjë kuptim.
Autoriteti nuk shqetësohet hiç për ta qetësuar shqiptarin. Ai e terrorizon qytetarin me falimentimin, me gjobat, me urinë që po troket, dhe ç’është më e keqja, me njoftimin e pa din e pa iman, se shtretërit e reanimacionit në Spitalin Infektiv po mbarojnë. Fatmirësisht, tek autoritetet nuk përfshihen mjekët dhe personeli që punon në spitale, të cilët u nënshtrohen të tjera betimeve, që kanë të bëjnë me Hipokratin dhe jo me anëtarësimin në ndonjë parti. Doktor Tritan Kalo e kishte ndjerë shumë fort temperaturën e fortë të ankthit që po rritet në Tiranë dhe lëshonte sot apelin: “Shqiptarë, mos t’ju lëshojë zemra”. Sado apel i ndjerë, është gjithsesi një apel parashtetëror, i cili zhurmohet nga thirrjet shtetërore: “Shqiptarë, e keqja ende s’ka ardhur, s’do kemi vend as në varreza”. Në këtë përballje opinionesh, dihet se cila është viktima, viktimë është shëndeti mendor i secilit prej nesh, prandaj edhe sa herë del në konferencë për shtyp kryeministri, pyetja që më sëmbon është: A ka anti-korpe “shpirti shqiptar” ndaj koronavirusit?

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular