Në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme Bashkia e Poliçanit ka ndërmarrë masa të jashtëzakonshme. Me një vendim të Këshillit Bashkiak dhe në bashkëpunim edhe me bashkinë e Skraparit, në hyrje të qytetit të Poliçanit është ngritur një postobllok në të cilin filtrohet çdo person që hyn në qytet.
Çdo person që kalon në këtë postobllok, qoftë edhe ish/banorë të Poliçanit e Skraparit, nqs rezultojnë se kanë ardhur nga jashtë apo nga Tirana, nuk lejohen të jetojnë në Poliçan apo të ikin në Skrapar, deri sa të kalojë pandemia e koronavirusit.
Kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, ka deklaruar se, në këtë situatë të rënduar pandemie nga frika e përhapjes së koronavirusit, qyteti i Poliçanit është më i rrezikuari sepse ka një kontigjent të tillë banorësh që kanë punuar prej 30-vjetësh në Kombinatin e Armëve dhe vuajnë nga mushkëritë e sëmundjet profesionale. “Janë 800 familje që rrezikojnë jetën nga momenti nê moment sepse janë shumë të sëmurë nga mushkëritë dhe në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme ne si bashki morëm dhe masa të jashtëzakonshme”-tha Zotkaj.
Sipas Zotkaj,duke parë rrezikun që i kanoset qytetit nga virusi Covid-19, në Poliçan nuk do të lejohen të hyjnë persona që kthehen nga jashtë, nga Tirana apo nga qytetet e tjera,qofshin këta edhe ish/banorë të Poliçanit. Kryebashkiaku i Poliçanit,Adriatik Zotkaj, ka deklaruar se, edhe pse ky vendim nuk është pëlqyer nga Drejtoria Vendore e Policisë, që sipas tij, në Poliçan nuk ka as mjete, as postoblloqe e as efektivë të mjaftueshëm në Postën e Policisë, bashkia nuk do të tërhiqet nga vendimi i saj, deri në përballimin e kësaj situate të rënduar pandemie botërore. Syri.net