BallinaAktualitetGjysmagjeli i paketës ekonomike

Gjysmagjeli i paketës ekonomike

Nga Eno Bozdo

Në raste krizash si kjo që po kalojmë, paketa ekonomike është shumë e ngjashme me një recetë mjeku: duhen përfshirë të gjitha medikamentet në recetë sipas një formule të mirëmenduar. Duhet të jenë aty të gjitha barnat, kombinimi i të cilave sjell mposhtjen e sëmundjes, apo së paku lehtëson simptomat e saj.

Duke qënë se po kalojmë ndoshta krizën më të rëndë ekonomike dhe shoqërore pas Luftës së Dytë Botërore, një recetë e mirëmënduar është ndoshta e vetmja armë që kemi sot në këtë luftë kundër kohës dhe pandemisë sëbashku.

Mjeku si rregull, nuk mund të japë kurrë një recetë gjysmake. Mjeku këshillon që ilaçet duhen marrë të gjitha dhe sipas kohëzgjatjes së përcaktuar në recetë. Nga ana tjetër, një pacient i kujdeshëm, veçanërisht kur sëmundja është e vështirë për tu kuruar, merr gjithmonë një opinion të dytë përsa i përket recetës mjekësore. Një opinion i dytë nuk i bën dëm askujt. Në rastin tonë një opinion i dytë mund të merret lehtësisht. Mjafton të vështrojmë dhe të mësojmë nga vendet e tjera, nga mënyra sesi ata po ndihmojnë ekonominë të përballet me këtë krizë të pandodhur më parë. Ka dy tipare të përbashkëta që spikasin në “recetat ekonomike” të këtyre vendeve: financimi i bollshëm dhe shtrirja e masave ekonomike për të mbuluar çdo aspekt. Së pari, financimi i bollshëm. Vendet e BE-së që po luftojnë më pandeminë kanë vënë në dispozicion shuma që lëvizin nga 6% deri 20% të PBB-së. Përsa i përket vendeve të rajonit, Kosova lajmëroi që do të vërë në mbështetje të ekonomisë së saj 200 milionë euro, apo afro 3% te PBB së saj. Greqia lajmëroi për 10 miliardë euro, apo 5.5% të PBB së saj. Maqedonia do vërë në dispozicion 400 milionë euro apo 3,6% te PBB së saj.

Shqipëria deri tani ka ofruar vetëm 30 milionë euro në mbështetje të sektorit të shëndetësisë, dhe nga 1 prilli do të ofrojmë 170 milionë usd, të gjitha sëbashku këto shkojnë afro 1,3% të PBB-së tonë. Edhe sipas standardit rajonal, jemi ende në pamjaftueshmëri!
Së dyti, masat e marra mbulojnë të gjithë ekonominë. Deklarata e ministrit gjerman të financave Olaf Scholz se “…asnjë biznes gjerman nuk do të falimentojë dhe asnjë punonjës gjerman nuk do të humbë vendin e punës prej pandemisë…” është një “mantra” që po zbatohet në të gjitha vendet e BE-së dhe të rajonit.
Këto dy fakte duhet ta bëjë qeverinë tonë të reflektojë menjeherë për recetën që ka ofruar.
Paketa Rama apo “receta Rama”, qartësisht nuk mbulon të gjithë problematikën dhe shqetësimet e biznesit. Dhe këtu nuk i referohem pretedimeve nga sektorë të ndryshëm të biznesit sepse ato si rregull janë gjithmonë më të ekzagjeruar se mundësitë reale që ka qeveria.
Vetë qeveria nga ana e saj nuk e fsheh faktin se paketa apo “receta” mbulon jo më shume së 50% të problematikës të ngritur nga grupet e interesit. Këto problematika janë shprehur publikisht edhe nga ekspertët e ekonomisë.

Paketa mbulon deri diku biznesin e vogël, të vetëpunësuarit dhe familjet në ndihmë ekonomike. Paketa nuk mbulon biznesin e madh, afërsisht 40 mijë biznese të cilët kontribuojnë 98% në PBB të vendit. Paketa nuk mbulon madje as punonjësit e biznesit të madh kur ne e dimë se shumë shpejt shumica prej tyre do të gjenden të papunë. Paketa nuk i prek fare fermerët, apo më mirë nuk parashikon asnjë instrument nxitës për sektorin bujqësor,
Në analizën e paketës Rama, duhet të kemi parasysh dy kushte thelbësore:

Së pari, që ekonomia të funksionojë duhet patjetër të sigurohet likuiditeti i mjaftueshëm në treg gjatë gjithë kohës së pandemisë. Pra sistemi bankar duhet të ketë rezerva të mjaftueshme likuiditeti dhe se, mbi të gjitha, ky likuiditet duhet patjetër të trasmetohet tek bizneset e vogla dhe të mëdha, apo ndryshe tek ekonomia reale. Në se kjo nuk mundësohet, atëherë paketa nuk funksionin.

Së dyti duhet që, në pamundësi për të mbajtur ofertën ekonomike në nivel të mjaftueshëm, të sigurohemi që kërkesa të mos zbresë poshtë një kufiri të caktuar. Ndryshe do të hyjmë në një cikël ekonomik rënës nga i cili do ta kemi shumë të vështirë për të dalë.

Plotësimi i të dy kushteve nuk është i thjeshtë në situatën kur aktiviteti ekonomik i vendit thuajse ka ndaluar plotësisht. Banka e Shqipërisë në një deklaratë të saj theksoi se do të bëjë gjithcka që likuiditeti në treg të mos mungojë. Banka e Shqipërisë nuk i shpjegoi masat që do të marrë, por pritet që ajo të furnizojë me para të gjitha bankat e nivelit të dytë. Këto banka do të ndodhen shpejt në kushte të vështira përsa i përket likuiditetit për shkak të paaftësisë paguese të biznesit. Për përiudhën tre mujore, ekspozimi i bankave ndaj detyrimeve të biznesit, (principal plus interesa), llogaritet afro 250 milionë euro.

Për të mundësuar këtë, Banka e Shqipërisë mund të operojë disa instrumentë: një i tillë mund të jetë përshëmbull lehtësimi sasior, nëpërmjet blerjes së letrave me vlerë nga bankat e nivelit të dytë. Një instrument tjeter mund të jetë edhe përdorimi i rezervës valutore. Sigurisht ka edhe instrumentë të tjerë. Në fund të ditës ka pak rëndësi instrumenti sesa arritja e objektivit.

Problemi është se me masat e mësipërme, likuiditeti mund të mbërrijë tek bankat, por jo tek biznesi. Urdhëri i përbashkët i kryeministrit dhe guvernatorit për pezullimin e kredive është i pamjaftueshëm. Arsyeja kryesore është që ky urdhër mbetet thjesht deklarativ. Ai e lë vendimarrjen, rast past rasti, në dorë të bankave të nivelit të dytë. Sigurisht kaq mund të bëjë Banka e SHqipërisë sepse ajo nuk ka tagër të ndërhyjë në marrëveshjen direkte bankë-klient.

Në këto kushte bankat nuk kanë asnjë lloj nxitje të pezullojnë kreditë përsa kohë kjo i çon ato vetë në humbje. Vendet e tjera këtë ngërç e kanë zgjidhur duke vendosur fonde qeveritare si garanci për të mbuluar humbjet e bankave të nivelit të dytë. Vetëm kështu bankat mund të konsiderojnë pezullimin e kredive. Bankat janë biznese si gjithë të tjerët dhe duhet të mbrohen ashtu si edhe bizneset e tjera. Por qeveria jonë nuk e ka bërë një gjë të tillë. Qeveria ka premtuar një fond prej 100 milionë usd. Por ky fond është për një tjetër funksion. Ai do të shërbejë si garanci për kreditë e reja që biznesi do të marrë në bankë për të paguar furnitorët, punëtorët dhe shpenzime të tjera.

Po cili biznes do ta bënte këtë? Biznesi do të nxjerrë në rrugë punëtoret për arsye të pamundësisë së pagesave, dhe nuk do të preferojë jo të marrë kredi të re për këtë çështje. Bankat nga ana tjetër nuk kanë asnjë motivim të lëshojnë kredi të reja ndaj bizneseve që janë tashmë të ekspozuar me kredi ekzistuese, veçanërisht në kushtet kur nuk dihet sa do zgjasë pandemia. Pra kjo përqasje nuk ka për të funksionuar. Rezultati do të jetë që kompanitë (që punësojnë në shifra të larta) do preferojnë të pushojnë punëtoret nga puna. Papunësia do të rritet. Të papunët e rinj nuk kanë asnjë mbështetje nga qeveria. Kështu kërkesa do të preket rëndë dhe eknomia do të rrezikojë të kolapsojë shpejt.

Sa mund të jetë kjo shifër? Një llogari e përafërt na tregon se nëqoftësë të punësuarit gjithsej në sektorin jobujqësor janë afërsisht 650 mijë, nga të cilët: 150 mijë janë buxhetorë dhe gjysëmbuxhetorë (pushtet qëndror dhe vendor) dhe rreth 100 mijë janë ata për të cilat paketa ekonomike ofron deri diku mbështetje. Kështu mbeten rreth 350 mijë punonjës pa mbështetje. Supozojmë se afërsisht 20% e tyre (në rastin më të mirë) punojnë në industri të cilat vazhdojnë të funksionojnë, ateherë ne do të kemi një ushtri prej minimalisht 250 mijë të papunësh. Është shifër shumë e lartë kjo për tu lënë pa u konsideruar.

Cila është zgjidhja? Mënyra më e mirë do të ishte ajo që po bëjnë vendet e tjera: para në dorë për çdo të punësuar që humb punën për shkak të pandemisë. Këtë po bën së fundmi edhe Maqedoni e cila do tu paguajë gjithë atyre që do të humbin punën nga pandemia 50% te pagesës reale të tyre.

Supozojmë se qeveria shqiptare i paguan gjithsecilit që humb punën 200 euro si pagesë e drejtpërdrejtë. Sipas llogarive kjo paturë është 50 milionë euro në muaj. Po t`i shtosh edhe pagesat e tjera mujore të paketës së shpallur, fatura shkon afersisht 70 milione euro në muaj. Pra 210 milionë euro për një periudhë 3 mujore. Por le të themi se kjo faturë shkon maksimalisht 250 milionë euro. Kjo shifër është vetëm 2.1% e PBB-së. Përsëri shumë më pak se fondet e Kosovës (3% e PBB-së) apo të Maqedonisë (3.6% e PBB-së). Ja pra që mundësitë janë, por vullneti është zhdukur. Kjo zgjedhje tashmë nuk është më opsionale, por detyrim për tu përmbushur. Ndryshe ne do të mund të kalojmë pandeminë, por do të hyjmë në një krizë ekonomike vërtetë të vështirë.

Përfundimisht paketa Rama është vetëm një gjysmagjel. Dhe si çdo gjysmagjel, jo vetëm që do të lërë shumë shqiptarë pa ngënë, por nuk do të mjaftojë për të ngopur as ata të cilëve u serviret. /BW

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular