BallinaOP EDOra e Shqipnisë vjen ! Koha ka ndaluar, ora ka ndryshuar

Ora e Shqipnisë vjen ! Koha ka ndaluar, ora ka ndryshuar

Refleksion nga Gentiana Maçi

Ora e Shqipnisë vjen !
Koha ka ndaluar, ora ka ndryshuar.
Është sërish e hënë sot, për të disatën herë. . . në stanjacion.
Zgjohem ngeshëm, pa alarm, pa plan, me dëshirë e pavullnet.
Frymojmë dhe kapemi pas englentisjeve e rutinës së kushtëzuar
Mesa duket, mbas letargjie do na duhen sërish pushime. Nga ato pushimet plot oksigjen, për të rimarrë veten nga makthi qeveri- divano-virusik.
Në frekuencën e një çasti të shfaqet ankthi e të mpaket fryma (thua se të zë virusi) e pyet në eter, me sytë drejtuar diku lart: -edhe sa ?! Po pastaj? Ç’betejë do na duhet të përballim pasi të kalojmë pragun e derës sapo të na thonë: jeni të lirë !
Sa ironike, të marrësh komandën e lirisë, në një vend, që lirinë e ka tabu.
A do këpusim zhurmshëm zinxhirët apo do shastisemi pa ditur nëse duhet ta hedhim hapin, të përqafojmë ajrin e luleve pranverore, të rrokim njerëzit e dashur, e të kërkojmë horizonte të reja?!
O Zoti im ! Kam ndrojën se do na ndodhi si zogu i lindur e rritur në kafaz. Po ta lëshosh, ai ka frikë nga qielli. Ai nuk e njeh atë hapësirë, që është mjedisi i tij.
Liria ! Ç’fjalë, 5 shkronja, një jetë !
Minutat kapiten e ecin më lodhshëm se ne mbase. Ecin gjithësesi. Ora nuk ndal.
Kalendari i pi muajt. Viti shugullon në tramundanat, që krijon.
Minutat, orët, ditët, viti. . .
Sa shumë numra, llogari. Më çahet koka nga këto kalkulime.
Ato, kalkulime, urrejtja ndaj te cilave më shtyu te shkencat sociale.
Jeta ngadalësohet, por nuk ndal. Ne jemi lënda e saj.
Jemi bërthama në fakt, që çel embrionin.
E nesërmja vjen. Mund të jetë pasnesër, mbas një jave a muaji. E sigurt, që mbërrin. Është aq e limituar jeta, sa nuk guxon t’na rrëmbejë shumë kohë.
Duhet të pregatitemi për ta pritur. Le ta konsiderojmë këtë kohë izoluese si një terapi reflektuese.
Sikur e gjitha vetëm të na kishte karikuar qelizat, të na ketë pulsuar pafund gjakun në zemër e tru, që të nesërmen të jemi disi ndryshe, të mendojmë, jetojmë, të duam disi ndryshe, pa kushte.
Ja pra, më duket sikur ka kaluar një orë për kaq pak rreshta. Shoh sahatin . . .
Pak minuta kanë ecur. Akrepat nuk kanë emocione. Ata janë sinkronizuar në mënyrë automatike dhe kryejnë me përpikmëri funksionin e tyre.
Po njeriu, shoqëria, qeveria, sa e kryejnë detyrën funxionale ?.
Të mendosh këtë .
Kjo është lodhëse pra. E kush jam unë, që duhet të vras mëndjen për banalitete milionash e ndjenja të harruara njerëzore.
Këto pesha i përkasin qeverisë dhe beniaminëve të saj ose grupit ciniko-hipokrit.
Unë, veç një zemër jam, që pulsoj në këtë qytet. Kam miqtë e mi të zgjedhur, por jam miqësore edhe me të panjohur.
Kjo nuk më pengon të mendoj, të ndjej, të reagoj.
Se nuk jam robinjë e pagës, se guxoj të ndjej e të flas.
Zoti i di arsyet e zemrës së secilit.
Unë di dhe ndjej gjakun tim.
Po nisem pra, për një udhëtim zemre. Një gjysëm në Shkodrën time e gjysmën tjetër në Itali. Kuptohet, prindërit te Locja dhe motra përtej Adriatikut.
E brenda dy gjysmave dhe në destinacione të tjera dashurish që ekzistojnë apo dhe ato që ekzistonin…
Nuk i kërkoj, më shfaqen, nuk janë larguar kurrë…, herë-herë ç’pluhrosen e trokojnë në pulsin tim.
Udhëtoj, pa këmbë… Ndihem poete, pa botuar asnjë varg poezi.
Oh, ç’fluturim pindarik, që është ky.
Në shtigjet e ngushta e fluide të kujtesës çuditërisht hyhet më kollaj…
S’ka nevojë për kode, as të aplikojë në website qeveritare.
Iluzione jo pak të thyera…, dëshira të mbetura pezull…, ëndrra !
Tani sa mbërrita në bedenat e Rozafës e po ashtu jam dhe në Basilica di Superga (Torino). Të dyja në lartësi, të dyja hapin horizonte, të mbushin mushkëritë me ajër e ta paqtojnë zemrën. Te njëra kujtoj fëmijerinë, tek tjetra më shpie gjysma e zemrës. E vogla e shtëpisë sonë, e cila sot i shërben plot dashuri njerëzve të atij vendi diellor. Atij vendi që e deshi më shumë sesa vendi i vet, atdheu i dytë… Pas pak vitesh do mund të bëhet dhe i pari…
Vazhdoj të endem në këtë ecje eterike, sa në kalldrëm e sa në bar, herë me vështrim nga Buna e Drini e herë nga lumi Po. ( sa ëmbël i vjen dhe emri Po, tamam si një pohim i përjetshëm). Toponimi më i ngrohtë i një lumi.
Shëtis horizonteve, kërkoj, por mos më pyesni se cfarë…
E ja tek ma shkëput shetinë
një degëz mimoze e tharë.
Ajo qëndron përballë meje, janë dhe ca buqeta lulesh të thara që akoma më percjellin dashuri…
Të thara, por jo të vyshkura… jetojnë !
U ktheva, në kornizat e Tiranës.
E ktheva dhe filxhanin e kafes po nuk ja kuptoj gjuhën… Dhe sikur ta kem me nxitim, me një hopth brof në këmbë drejt sirtarëve të kuzhinës. Miell, sheqer, gjalpë, pastaj dhe ca aksesore të tjerë, për të ndjerë kështu dhe për të percjellë nëpërmjet universit, ndenjave, dëshirës, zemrës e mendjes, një aromë ngrohtësie dhe ëmbëlsie tek ato ku më shtegëtoi dashuria e shpirti por dhe përtej…
Në pamundësi të asgjëje tjetër, pa dashur ta grish të tërën as me zërin e një telefonate a me tikun e një mesazhi, zgjedh të hesht e ta përcjell të gjithën me një kek pa shumë harxhe, por plot me dashuri. Ashtu në hapësira pa caqe e pa kufij, tek çdo zemër që e mbaj në zemër, apo kudo që mund të arrijë një aromë shtëpize.
Nuk më lexohet në këto kohë. Gjërat e kushtëzuara apo që duhen bërë për të zëvendësuar diçka tjetër, nuk më ngazëllejnë, as më tërheqin, as më lënë të përqëndrohem. Ç’kuptim ka të bërit e diçkaje pa e ndjerë, pa iu përkushtuar, pa e dëshiruar ?!
Po ec zbathur… kam nevojë të shtegtoj, kam nevojë të harroj, aq sa kam nevojë të jetoj, të ëndërroj, e jo veç të frymoj.
Qëndroj e heshtur mes kujtimeve të së djeshmes dhe dëshirave për të nesërmen. Me sytë nga drita e diellit që do na shkëlqejë të ardhmen, me ngjyrat dehëse të zemrës fluturake e shpirtit të lehtë pëndë.
E nesërmja nuk është thjesht një ëndërr, është një jetë e re që na pret plot gazmend !
Ishin lirike këto rreshta, sepse liria e kufizuar, të bënë utopike ndaj realitetit, që vjen apo presim. Një jetë shqiptare nuk mund të jetë kaq me ngjyra.
Ajo nuk vjen vetiu . Sikurse ndodh në magjitë e përrallave.
Duhet pregatitur me vullnet, përballje dhe pa konformizëm.
Mijëra vajza e gra në Tiranë, kanë fuqinë për t’i dhënë shpresë kohës sot, e tonin e fortë kohës nesër.
Atë forcën e brishtë dhe frymëzuese, që veç femrat e krijojnë.
Koha ka ndaluar. . . Relativ ky pohim.
Ora ka ndryshuar. Saktë krejt.
Ndodhi dje.
Ora e Shqipnisë vjen.

p.s. Luleshurdha, është lulja që të paktën një herë në jetë i kemi fryrë fort, pasi jemi mbushur me frymë plot, teksa mendonim për dëshirën që donim të na realizohej. Çdo frymëmarrje është një mundësi e dytë!,

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular