BallinaEkonomiOSHEE sqaron si do bëhet faturimi referencë për marsin, çdo diferencë do...

OSHEE sqaron si do bëhet faturimi referencë për marsin, çdo diferencë do kompensohet në prill; Ç’ndodh me bizneset e mbyllura

Kushtet e situatës së jashtëzakonshme, me lëvizje të kufizuara e kanë detyruar dhe Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), që të përshtatet për faturimin e energjisë së muajit mars, duke përdorur edhe faturat referencë.

Sipas të dhënave nga OSHEE, për muajin mars, praktikisht do të kombinohet procesi i leximit normal për një numër të konsiderueshëm konsumatorësh, rreth 60-70%, ndërsa për pjesën tjetër, në pamundësi leximi, do të aplikohet një vlerë referuese (gjendje kreditore) që do të ketë referencë marsin e kaluar të vitit 2019. Burimet nga OSHEE thanë se kjo zgjidhje ishte e detyruar, pasi stafi nuk punon me kohë të plotë dhe nuk arrin të bëjë leximin e të gjithë matësave, dhe nga ana tjetër mund të hasin dhe në një situatë të tillë, ku në shtëpitë private mund të mos i hapin dyert.

Por, si do të shmanget që familjari të mos paguajë më shumë apo më pak sesa ai ka konsumuar realisht në mars.

Burimet nga OSHEE sqaruan se leximi i radhës do të bëjë balancën dhe do të dalë diferenca në prill. Pra, nëse familja ka konsumuar më pak në muajin mars 2020, sesa në mars të një viti më parë kur është marrë referenca, atëhere fatura e prillit do të reflektojnë diferencën, duke e zbritur shumën që është paguar tepër. E kundërta, nëse është konsumuar më shumë.

Janë marrë në konsideratë edhe parametrat që e prodhojnë referencën e marsit. Pra nëse abonenti nuk banon nuk do të faturohet dhe kjo do të shihet bazuar dhe në konsumin e muajve të mëparshëm (dhjetor-shkurt). Por, nëse ka pasur konsum në dhjetor-shkurt, edhe marsi do të rezultojë me konsum, që do të balancohet sërish muajt në vijim.

Të dhënat paraprake flasin se për kosumatorët familjarë ka pasur një rritje të konsumit të energjisë në mars, për vetë faktin se kanë qëndruar për një periudhë më të gjatë në shtëpi, e kundërta ka ndodhur me bizneset.

OSHEE tha se çdo lloj ankese do të marrë prioritet 10 ditë për tu zgjidhur, por në çdo rast, leximi i muajit të radhës do të shërbejë për balancim.

 

Si do të veprohet për bizneset

Shumë biznese, si bare, restorante e shërbime të tjera rezultojnë të mbyllura, nga 20 marsi, pas një vendimi të qeverisë, në kuadër të masave për të luftuar përhapjen e koronavirusit, që ka nxjerrë dhe listën e aktiviteteve që nuk lejohen të punojnë.

Për këta biznese, OSHEE sqaron se faturimi do të bëhet për 15 ditë, po me referencë marsin e vitit të kaluar. Njësoj si me familjarët diferencat do të kompensohen muajin në vijim.

 

Rreth 70% do faturohet sipas matësave

OSHEE vlerëson se 70% e abonentëve do të faturohen në bazë të leximit real për muajin mars dhe pjesa tjetër do të ketë faturim referencë. Nëse në prill do vazhdojë e njëjta situatë, do të vijojë krijohet një grafik leximi, por në çdo rast, do të bëhet kompensimi, me shumë apo më pak,në bazë të leximit real të muajve në vijim.

Më herët, kryeministri Rama ka pohuar se është shumë e rëndësishme që energjia të paguhet, pasi kjo mundëson mbarëvajtjen e aktivitetit të operatorit të energjisë, i cili është i detyruar që ta blejë atë. Një lehtësi që u bë ishte falja e kamatëvonesave. Ndërkohë që pikat ku mund të paguhet energjia janë të shumta, nga ato të OSHEE-së, postave dhe kanaleve alternative.

 

Vendimi i miratuar nga ERE

Në kushtet kur masat e marra nga qeveria kanë kufizuar edhe mundësinë e lëvizjes normale për punonjësit e OSHEE, kompania i është drejtuar Entit Rregullator të Energjisë i cili ka miratuar edhe vendimin përkatës mbi të cilin do të kryhet procedura e leximit dhe faturimit në këtë periudhë.

Sipas një praktike të njohur e të zbatuar në shumë vende të tjera, OSHEE do të aplikojë vlerat referencë të konsumit për ato raste kur do ta ketë të pamundur leximin fizik të matësit.
Rreth 70% të abonentëve familjarë do tu lexohet matësi nga ekipet tona në terren. Për 30% të abonentëve të tjerë për të cilët ky proces do të jetë i pamundur, do të aplikohet vendimi i ERE Nr. 58,  dt.26.03.2020 për faturimin me vlerë reference. Vlera e referencës është sasia e energjisë së konsumuar nga abonenti për të njëjtin muaj të një viti më parë, pra Mars 2019. Për këto raste, sqarojmë se në leximin e muajit pasaardhës do të bëhet balancimi, pra sistemimi i faturës. Ky proces do të kryhet automatikisht nga vet OSHEE, pa patur nevojë për një kërkesë/ankesë nga abonentët.
Për subjektin jo familjar OSHEE siguron lexim dhe verifikim të matësit për afro 90% të abonentëve. Për pjesën e mbetur do të aplikohet sërish vendimi i ERE-s për vlerë reference.
Referuar kategorisë njësi shërbimi (si bare, restorante, noteri, etj.), të cilat rezultojnë të mbyllura në zbatim të Aktit Normativ dhe ku nuk është e mundur aksesimi i sistemit të matjes, OSHEE do të aplikojë vlerë referencë zëvendësuese vetëm për ditët që kanë patur aktivitet, pra kanë qënë hapur.
Për shkak të vendosjes së karantinës dhe izolimit të qytetarëve brenda banesave të tyre, konsumi i energjisë elektrike në vend ka pësuar rritje. Rrjedhimisht, sasia e energjisë së konsumuar për muajin Mars 2020 nga një abonent ka pritshmërinë të jetë më e lartë se ajo e një viti më parë.
Në terma konkret, zbatimi i skemës së referencës në faturimin e këtij muaji do të bëjë që këta abonentë të paguajnë një vlerë më të ulët se ajo e konsumuar prej tyre.
Në muajin pasardhës, OSHEE do të mund të kryejë leximin faktik të matësit për këta abonentë dhe do të kryejë sistemimin e faturimit. Në çdo rast, abonenti do të paguajë vetëm për energjinë e cila është konsumuar prej tij dhe që është e reflektuar në matës.
Bazuar edhe në praktikat ndërkombëtare të cilat e zbatojnë gjërësisht faturimin me vlera reference mbi muaj me karakteristika dhe konsum të njëjtë, OSHEE garanton se do të kryejë leximin e konsumit me cilësi dhe standard.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular