BallinaIntervistaDrejtoresha në Ministrinë e Arsimit sqaron: A do të mbyllet ky vit...

Drejtoresha në Ministrinë e Arsimit sqaron: A do të mbyllet ky vit shkollor nëse pandemia zgjat? Anulimi i provimeve mbetet alternativa e…

Edhe pse nuk ka një përgjigje të qartë se kur do t’i vijë fundi izolimit në vendin tonë, kjo nuk e ka ndaluar Ministrinë e Arsimit të bëjë plane për rikthimin në shkollë, kurdo që të vendoset. Ekspertët e MAS kanë gati skenarët, se çfarë do të bëhet me nxënësit, që nga përsëritja e dijeve në orët e para të riuljes në banka e deri tek vlerësimi final që do të bëhet në formë të reduktuar.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, drejtoresha e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit, Zamira Gjini zbulon planet dhe udhëzimet e posaçme që do të nxjerrë ministria, varësisht nga data e rikthimit në shkolla. Anulimi i provimeve kombëtare, ashtu siç kanë vendosur disa vende të tjera, për ministrinë, mbetet opsioni i fundit, por nuk përjashtohet mundësia e shtyrjes në rast se periudha e qëndrimit në shtëpi zgjatet përtej çdo parashikueshmërie.

Në kushtet kur shkollat janë “kyçur pa afat” për shkak të pandemisë, a ka një plan Ministria e Arsimit se si do të mbyllet ky vit shkollor?

Sot jemi në kushte kur mësimi në shkolla nuk është i mundur dhe ende nuk dihet data e saktë e hapjes së shkollave. Jemi në situatë të pazakontë, ndaj jemi përshtatur të gjithë të mundësojmë më të mirën. Në varësi të situatës lidhur me COVID-19, ne do të veprojmë për të përcaktuar mënyrën se si do të zhvillohet mësimi dhe provimet kombëtare. Sot, ne si ministri, së pari, jemi fokusuar në përmirësimin e procesit të mësimit në kushte të shtëpisë, nëse situata nuk do të përmirësohet. Do të vijojmë xhirimin dhe transmetimin e orëve mësimore në RTSH dhe mësuesit do të vijojnë komunikimin e përditshëm me anë të platformave të ndryshme me nxënësit e tyre, duke zhvilluar mësimin në kushtet e shtëpisë.

Së dyti, nëse do të kemi një përmirësim të situatës dhe do të duhet të kthehemi nëpër shkolla, po punojmë për hartimin e një plani të detajuar me disa skenarë se çfarë do të bëjmë me nxënësit, nëse ata do të vijnë në shkollë.

Për ta realizuar më mirë të gjithë procesin, do të ketë udhëzime nga ministria, të cilat do të përcaktojnë strategjitë dhe metodat për integrimin dhe rikuperimin e njohurive që lidhen me temat mësimore të periudhave kur shkollat kanë qenë të mbyllura.

Rëndësi do t’u kushtohet dezinfektimit, kushteve dhe higjienës nëpër shkolla. Për këtë po hartojmë udhëzues veprimi për çdo institucion deri në nivel shkolle, në mënyrë që nxënësit dhe mësuesit të ndjehen të sigurt në shkollë.

Kur të rikthehen nxënësit në shkolla (kurdo që të ndodhë) do të rifillohet aty ku e lanë më 9 mars, apo sipas planit mësimor virtual të ndjekur gjatë kësaj kohe?

Për nxënësit nuk do të jetë e lehtë, pasi do të kthehen pas një periudhe me ngarkesë emocionale, stresi dhe pse jo, edhe mësimore. Ata do të kthehen në mjedisin e klasës, shkollës së tyre, por jo njësoj si më parë. Duhet të bëjmë kujdes të gjithë, por specifikisht mësuesit, të cilët do të fokusohen tek ajo çka nxënësve u nevojitet në këtë moment, në këto kushte. Pjesa emocionale dhe mbështetëse duhet të jenë prioritet i punës së mësuesve. Sidomos një rol të posaçëm do të ketë në këtë drejtim shërbimi psiko-social në shkollë, edhe pse ata nuk kanë munguar nëpërmjet katër këndeve të psikologut në çdo faqe zyrtare të Drejtorive Rajonale të Arsimit Parauniversitar. Në sajë të komunikimit të drejtpërdrejtë të psikologëve, deri më 6 prill kanë marrë shërbim psiko-social online 373 nxënës në të gjitha këto drejtori.

Mësuesit do të hartojnë plane javore dhe ditore për të bërë përsëritje dhe përforcim të koncepteve që nxënësit kanë marrë gjatë periudhës kur mësimi është zhvilluar në kushtet e shtëpisë apo edhe të koncepteve që kanë marrë gjatë vitit mësimor, sidomos aty ku vërejnë që nxënësit kanë mangësi. Do të jetë një periudhë që do të ndihmojë mësuesit dhe nxënësit që të takohen dhe të bisedojnë në klasa me njëri-tjetrin për të përsëritur dhe diskutuar njohuritë që kanë marrë. Mësuesit do t’i shfrytëzojnë këto takime, këto orë mësimore, edhe për të realizuar vlerësimin përfundimtar të nxënësve në lëndët e tyre.

Nxënësit dhe prindërit e tyre duhet të jenë të qetë se kthimi në shkolla do të bëhet vetëm kur të jetë dhënë leje nga organet kompetente. Nuk do të ketë mbingarkesë për nxënësit, pasi do të jetë një periudhë rikuperimi që do të na ndihmojë të gjithëve për të vijuar më tej sipas planifikimeve tona.

Duke u ndalur tek mësimi virtual, a keni një shifër të nxënësve që nuk janë përfshirë? Çfarë do të ndodhë me ta?

Dy sondazhe online zhvilluar një në mars dhe tjetri në 4-7 prill 2020, me mësues, nxënës dhe prindër, si dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me ta na kanë ndihmuar që të vlerësojmë se sa efektiv është mësimi në kushtet e shtëpisë, si dhe format dhe metodat e përdorura nga mësuesit. Gjithashtu, duke vlerësuar edhe problemet e nevojat, jemi orientuar drejt politikave dhe strategjive më të efektshme që duhet të zbatojmë në ditët në vijim, duke u fokusuar në të gjitha kategoritë e nxënësve.

Pavarësisht vështirësive dhe kushteve në të cilat ndodhemi, sondazhi i dytë rikonfimon faktin se komunikimi, mësimi online është më i miri i mundshëm që mund të realizohet, në mënyrë që fëmijët të vijojnë me realizimin e njohurive dhe të aftësive që kërkon kurrikula. Ne kemi matur çdo javë përfshirjen e nxënësve në komunikimin online apo me telefon dhe rezulton se deri në 30 mars, rreth 97% e tyre janë përfshirë në këtë komunikim dhe vetëm 9,400 nxënës nuk kanë pasur mundësi komunikimi me mësuesit e tyre.

E rëndësishme është se ne i kemi identifikuar këta nxënës dhe do të punohet rast pas rasti në çdo shkollë, me një plan të veçantë mësimor, duke riparë njohuritë dhe duke u dhënë konceptet themelore më të domosdoshme për kohën që nuk kanë mundur të marrin mësim. Sigurisht që kjo kategori nxënësish është në vëmendjen tonë të veçantë.

Ashtu si mësimi, janë bërë edhe testime virtuale (me libra hapur), çka ka vënë në pikëpyetje vlerësimet.  Sa do të merren ato parasysh? A do të hidhen në regjistër?

Pjesë e mësimit online ka qenë edhe vlerësimi i nxënësit, si një nga komponentët më të rëndësishëm të kurrikulës, i cili është realizuar sipas udhëzuesit të përgatitur nga ministria. Duke qenë në një situatë të pazakontë, duhet të jemi fleksibël edhe në vlerësime. Edhe fëmijët, dhe familjet e tyre kanë përjetuar momente të vështira, ndaj, përveçse përgjigjeve, vlerësohen edhe gatishmëria dhe sjellja e tyre qytetare për të ndjekur mësimin, si dhe sa ata kanë qenë aktivë edhe në kushtet e mësimit online.

Çdo mësues i njeh nxënësit e tij, ndaj dhe i ka përshtatur testet me nivelet e tyre dhe, në përgjithësi, nuk ka pasur luhatje të konsiderueshme në notat e marra në testime. Gjithsesi, këto janë nota orientuese. Kur të kthehen në shkollë, nxënësit do të kenë komunikim të drejtpërdrejtë me mësuesit, të cilët do të bëjnë vlerësimin vjetor të nxënësve sipas një udhëzuesi të detajuar për vlerësimin e reduktuar të nxënësve për këtë vit shkollor. Është mësuesi ai që vlerëson, bazuar në detyrat përmbledhëse që nxënësit kanë dorëzuar, si dhe në monitorimin e veprimtarive të tyre. Pra, vlerësimi i kryer përmes mësimit në kushtet e shtëpisë duhet të kontribuojë për notën përfundimtare, por peshën më të madhe do ta zënë vlerësimet që kanë marrë nxënësit kur shkollat ishin të hapura.

Një frikë e madhe ka kapluar që tani mini-maturantët e maturantët. Si do të bëhet për provimet e maturës?

Zhvillimi i provimeve kombëtare është një çështje e veçantë. Në kushtet aktuale, mendojmë që zhvillimi i provimeve nuk duket se do të pengohet, ndërsa anullimi mbetet opsioni më i fundit për t’u konsideruar. Sidoqoftë, duhet të flasim sipas ndryshimeve të situatës, e cila nuk varet nga ne. Provimi i parë i Maturës është në datën 8 qershor. Pra, kemi gati edhe dy muaj deri atëherë. Nëse situata do të përmirësohet, provimet e Maturës do të zhvillohen në qershor dhe diplomat do të merren në korrik, sipas planifikimit të mëhershëm. Sigurisht, do të ndryshojnë disa kushte mbi mënyrën e organizimit dhe administrimit të provimeve. Kjo do të ishte më e mira. Por nëse do të vijojmë të qëndrojmë në shtëpi, do të kemi një skenar të ri.

Ekzistojnë diskutime të ndryshme dhe në vendet e tjera për sa i përket ndryshimit të datave të provimeve të Maturës Shtetërore. Edhe pse është e vështirë të planifikosh një kalendar të ri me datat e provimeve, për shkak se situata epidemiologjike ndryshon përditë, ne po konsiderojmë disa skenarë, në komunikim edhe me Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA), e cila po përgatit modele testesh për skenarët që kemi menduar paraprakisht. Të gjithë skenarët tanë kanë si qëllim përfundimin e arsimit bazë apo të mesëm të lartë për t’i mundësuar çdo nxënësi kalimin në nivele të tjera arsimore apo në tregun e punës. Çdo skenar do të jetë i mirë-menduar, pasi do të nevojitet edhe dalja apo ndryshimi i udhëzimeve ku do të detajohet çdo veprim që lidhet me provimet kombëtare.

E rëndësishme është që nxënësit e klasave të nënta dhe maturantët të jenë të qetë dhe të vijojnë të mësojnë sikurse edhe nxënësit e tjerë, nëpërmjet formave dhe metodave që mësuesit e tyre po ndajnë me ta, si dhe mësimeve në RTSH. Ata të punojnë sipas programeve orientuese dhe të ndjekin orientimet e mësuesve për të punuar me temat kryesore të provimeve. Maturantët të punojnë me broshurat që ka vënë në dispozicion QSHA, pasi përmes tyre ata do të familjarizohen me natyrën e testeve dhe të pyetjeve që do përdoren në testet e provimeve si dhe do të njihen me modele testesh të viteve të kaluara. Maturantët të kenë parasysh që, në testet që do të hartojë QSHA për provimet e këtij viti, nuk do të përfshihen pyetje që lidhen me temat mësimore, pjesë e programeve që janë trajtuar gjatë kohës së mësimit në kushtet e shtëpisë.

Referuar pyetjes më sipër, disa e kanë cilësuar “brez të djegur” për shkak të boshllëqeve të krijuara në ndjekjen e mësimeve, fillimisht pas tërmetit të 26 nëntorit e tashmë për shkak të pandemisë. Cili është qëndrimi juaj?

Është e vërtetë që brenda pak muajve u përballëm me dy situata që ndikuan detyrimisht edhe në procesin mësimor, por të gjithë së bashku po ia dalim. Ia dolëm të sistemojmë nxënësit e shkollave të dëmtuara nga tërmeti dhe kemi zëvendësuar pothuajse të gjitha temat e humbura gjatë ditëve të tërmetit nëpërmjet mësimit të zhvilluar në ditët e fundjavave.

Edhe në situatën e krijuar nga COVID-19, në kushtet e mbylljes së shkollave, mësuesit po vijojnë me metoda të reja të mësimdhënies, nxënësit po përballen me një lloj të ri komunikimi me mësuesit e tyre dhe me një mënyrë të re të nxëni, ndërsa shumë prindër po e gjejnë veten në rolin e mësuesit duke ndihmuar dhe mbështetur fëmijët e tyre.

Tri herë në ditë, në “RTSH-Shkolla” shfaqen orë mësimore nga mësues të përkushtuar të cilët, edhe në këtë situatë të vështirë, gjetën kohën dhe nuk u shmangën asnjëherë ndaj kërkesës për prezencën e tyre në studiot e RTSH për regjistrim, edhe në kushte të ndalim-qarkullimit për qytetarët e tjerë. Është pasioni dhe profesionalizmi i tyre që sot të gjithë nxënësit kanë mundësinë të ndjekin orë mësimore jo vetëm në RTSH, por edhe në kanalin youtube të MASR. Po ia dalim falë edhe punës së palodhur të mësuesve tanë në çdo cep të Shqipërisë, të çdo profili, në shkolla fshati dhe qyteti, me klasa normale apo kolektive, të mësuesve ndihmës dhe të punonjësve psiko-socialë që janë të gatshëm, të palodhur për të gjithë.

Ky lloj i ri i të punuarit shoqërohet me një sfidë të re për të gjithë mësuesit në fushën e teknologjisë dhe informacionit, por me vlera pozitive në kompetencën digjitale për të gjithë. Sigurisht, nuk është idealja, por në këto kushte që jemi mendojmë që kemi mundësuar një alternativë të mirëpritur. Kjo nuk është një situatë e re vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera. Ne jemi të hapur dhe mirëpresim ide dhe sugjerime nga çdo individ, institucion, organizatë, sindikatë, botues etj. Nisur nga përvojat dhe njohuritë e tyre për të bërë më të mirën për nxënësit dhe mësuesit, në këtë situatë të padëshiruar dhe të papritur për të gjithë. Është moment i rëndësishëm, kyç, ndaj vetëm të gjithë bashkë do të jemi në rregull me veten dhe të tjerët.

Nuk do ta quanim “brez të djegur”, por brez që përjetoi këto fatkeqësi, por që së bashku gjetëm mënyrat për të bashkëpunuar dhe për t’ia dalë mbanë.

Keni një skenar të dytë në rastin më të keq të mundshëm, nëse pandemia zgjat përtej parashikueshmërisë?

Po sigurisht, jemi në një proces dhe po mendojmë çdo skenar të mundshëm për të dhënë alternativa sa më efektive për më të mirën për nxënësit në sajë të punës së mësuesve tanë. Mësuesit, të cilët të ndodhur në kushte të reja të mësimdhënies, me përkushtim dhe pasion jo vetëm po komunikojnë me nxënësit e tyre, por edhe po ndjekin më shumë platforma trajnimi online, duke zhvilluar kapacitetet e tyre profesionale në këtë fushë.

Për të gjitha këto skenare, kemi parë se si po veprojnë edhevendet e tjera të Evropës apo të rajonit të prekura nga pandemia. BESARTA BASHA/PANORAMA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular