BallinaRajoniPolicia e Malishevës po iu jep zemër qytetarëve, për ta mundur koronavirusin

Policia e Malishevës po iu jep zemër qytetarëve, për ta mundur koronavirusin

Shkruan: Mihane Hoxha

Kur vendosa të shënoj këtë letër, nuk kërkova nga vetvetja që të thuri fjali të bukura apo fjali akademike. Por, përmes kësaj letre zgjodha rrugën e shpirtit për të falenderuar Policinë e Kosovës, respektivisht Policinë e Malishevës të cilët janë kthyer edhe në motiv, për qytetarët malishevas.
COVID-19 pandemia globale nuk e ka kursyer as vendin tonë, Kosovën. Dhe, vatër e kësaj pandemie deri më tani në Kosovë, rezulton Komuna e Malishevës me 69 të prekur, me një viktimë dhe me disa të shëruar.
Kujtojmë që Komuna e Malishevës, me vendim të Kryeministrit Kurti është futur në karantinë më datë 14 mars, që me paraqitjen e parë të të prekurit me COVID-19. D.m.th., plotë një muaj të izoluar rreth 53.367 malishevas.
Sigurisht, një situatë e tillë nuk është e lehtë, por fatmirësisht po e lehtësojnë puna, vullneti dhe mbështetja (mbi të gjitha morale) duke filluar nga mjekët, shtabi emergjent dhe policia. Mirëpo, kësaj here këtë letër ia dedikoj institucionit të sigurisë, Policisë së Kosovës (Malishevës).
Anipse, Stacioni Policor i Malishevës, ka pak zyrtarë policor në numër, janë duke bërë një punë të jashtëzakonshme në luftimin e kësaj pandemie. Madje, 44 vendbanime të Malishevës po ia dalin t’i mbulojnë duke mbajtur rendin, në mënyrë të dinjitetshme. Me gjithë fokusin në zbatimin e urdhëresave operative në luftimin e kësaj pandemie dhe jo vetëm, Policia e Malishevës, po vlerësohet nga qytetarët e saj për bashkëpunim të mirëfillt, gatshme dhe pozitive karshi kërkesave dhe shqetësimeve të cilat i adresojnë herë pas herëve qytetarët. Sakaq, në raste të shumta Policia e Malishevës, po bën edhe rolin e psikologut, kjo e argumenton që karantinimi po kalon pa incidente (përjashtuar individë të cilët janë ndaluar për mosrespektim të orës policore, por sigurisht është numër i vogël krahasuar me komunat tjera).
Në anën tjetër, përderisa po përmendim një mujorin karantinues të Malishevës, dua të vë theksin mbi orarin 12 orësh të qëndrimit në këmbë të zyrtarëve policor, sakrificë kjo për t’i kontribuar shëndetit të mirë dhe jetës së sigurtë, të qytetarëve. Pavarësisht kësaj, Policia e Malishevës, asnjëherë nuk tregon lodhje. Përkundrazi, në fytyrat e tyre reflekton buzëqeshje dhe dashamirësi.
Ky, pozitivitet nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga fëmijët, duke u nisur nga fëmijët e familjes sime që sa herë shohin nga kopshti ndonjë makinë patrulluese (policore) gëzohen shumë. Madje, mund të them me plotë kuptimin e fjalës është i vetmi gëzim të cilin e përjetojnë në këto kohë izolimi. Kam të freskët zërin e tyre ‘policia, policia’ dhe ato pamjet e duarve të vogla e të njoma që përshëndetnin nga largë makinën policore, që vazhdonte të ecte me një shpejtësi fare të vogël, nëpër rrugët e ngushta të fshatit, me atë shpejtësi të vogël sikur nuk donte të thyente heshtjen e banorëve që dikur ishin shumë të zhurmshëm e punëtor, me atë shpejtësi aq të vogël sikur nuk donin të braktisnin rrugët të cilat shkeleshin dikur nga fëmijë e të rritur.
Në këto momente teksa po qëndroj në shtëpinë time, e ulur pranë një peme e cila sapo ka filluar të zburohet nga e pembja dhe e bradha që këtë pamje mahnitëse din ta bëjë stina e pranverës, po shëtitem nëpër kujtime të shkelura ndër vitesh, dhe herë pas here sikur ngacmohem nga mendimet e kohës. Pra, po e mendoja në gjithë këtë boshatisje të rrugëve, shesheve dhe ambienteve të tjera, a ndihet ndonjëherë e braktisur policia? Në këto momente vetmie dhe nostalgjie kujtova vizitën e para një jave apo më saktë të datës 8 prill, ku Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i shoqëruar nga Drejtori i Operacioneve në PK, Afrim Ahmeti, të cilët morën rrugën për në Malishevë, respektivisht për në Stacionin Policor të Malishevës. Vizita në fjalë, për dikënd ose shumëkënd mund të konsiderohet rutinore, por për Policinë e Malishevës ka qenë motivuese, ndërsa për malishevasit shumë e mirëpritur. Pasi, një vizitë e tillë po realizohej pikërisht në kohë pandemie dhe në ditët më të vështira që po kalonte Malisheva. Andaj, kjo vizitë ka për tu mbajtur mend dhe malishevasit do t’i jenë falenderues dhe mirënjohës gjatë tërë jetës drejtuesit të PK-së, Rashit Qalajt.

Malisheva, për vite e vite ka kaluar nëpër beteja dhe sot kujtojmë histori të lavdishme, ashtu siq kujtojmë e nderojmë dhjetëra dëshmorë. Krahas këtyre, Malisheva, tanimë ka dhe një krenari që mban emrin SAMI THAQI. Heroi Sami Thaqi, është polici i rënë në detyrë, më 28 janar 2020.

Policia e Kosovë, ka për nder që në strukturën e saj ka policë dhe eprorë malishevas, të cilët po japin një kontribut të pazëvendësueshëm nëpër drejtori rajonale.

Ka shumë për tu thënë e për tu bërë, por këtë letër po e përfundoj, me:
E nderuara Polici e Malishevës, kësaj here përmes kësaj letre nuk po ju drejtohem në cilësin prej gazetareje, por po ju drejtohem si malishevase, si bashkqytetare e juaja. Andaj, më lejoni që në emrin tim, të familjes time, farefisit të ju them faleminderit për kontributin e juaj, ne besojmë në ju, besojmë në profesionalizmin e juaj, besojmë në vlerat e juaja. Ne e dijmë kush jeni ju dhe per këtë ju shprehim mirënjohje të thellë. Për ne është e shenjtë sakrifica e juaja qe keni bërë dhe po bëni në çdo cep të vendit, pa ndalur. Ju, Policia e Kosovës vlerë e shtuar, qofshi me shëndet dhe me bekimin e Zotit.

Malishevë, prill 2020

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular