BallinaAktualitetPresidenti Meta, shkresë KLGJ-së: Të ndërpritet mandati i Ardian Dvoranit

Presidenti Meta, shkresë KLGJ-së: Të ndërpritet mandati i Ardian Dvoranit

Këshilli i Lartë Gjyqësor është duke shqyrtuar kërkesën e Presidentit Ilir Meta për ndërprerjen e detyrës për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani.

Burime i thanë gazetës “Panorama” se në datën 10 prill, pranë KLGJ-së ka mbërritur një shkresë, me anë të së cilës Presidenti kërkon ndërprerjen e detyrës së Dvoranit, pasi e mban atë në kundërshtim me ligjin.

Aktualisht, kërkesa është duke u shqyrtuar nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës. Ky komision do të vlerësojë të gjitha problematikat e ngritur nga Presidenti dhe më pas, çështja do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit, ku do të merret dhe një vendim.

 

Burime thanë se, ndër arsyet që Presidenti kërkon ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të gjyqtarit Ardian Dvorani është përfundimi i këtij mandati, ndaj tij është ngritur një kallëzim penal, si dhe është i kompromentuar politikisht. Edhe më herët, në komunikimet publike, Meta është shprehur për largimin e Dvoranit nga detyra.

“Dvroranit duhet t’i ndalohet ushtrimi funksionit, sepse është i kapur politikisht”, është shprehur Meta në një nga daljet e fundit për çështjen e Gjykatës Kushtetuese.

PËRPLASJA

Ishte ngritja e Gjykatës Kushtetuese që vuri përballë Presidentin Ilir Meta me kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Përplasje e cila nisi me komunikimet publike, përfundoi në dyert e Prokurorisë e tashmë dhe në qeverinë e Gjyqësorit, KLGJ.

Kjo e fundit pritet të marrë në shqyrtim rekomandimet që do të nxjerr Komisioni i Zhvillimit të Karrierës pas shqyrtimit që do t’u bëjë problematikave të ngritura nga Presidenti. Në 19 nëntor të 2019-ës, Meta do të dorëzonte kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës për Ardian Dvoranin, duke pretenduar se ky i fundit ka “Shpërdoruar detyrën” dhe “Përvetësuar titullin apo detyrën shtetërore”.

Në 35 faqe, Meta argumentonte në atë kohë se kreu i KED ka shpërdoruar detyrën me dërgimin e listave në të njëjtën datë në organet e emërtesës dhe se ky veprim është “veprim i ndërgjegjshëm kriminal”. Më tej, në kallëzim, kreu i Shtetit thoshte se Dvorani e ka shpërdoruar detyrën edhe në mospublikimin e procesverbaleve të mbledhjeve dhe mosmarrja e masave për përmbushjen e kësaj detyre.

Më tej, Meta pretendoi se publikimi në Fletoren Zyrtare të vendimit që i hapte rrugë marrjes së detyrës nga ana e Arta Vorpsit, është një veprim me të cilin kreu i KED ka tentuar të marrë kompetencat e Presidentit të Republikës.

Nga ana tjetër, Dvorani, me anë të një reagimi, e konsideroi kallëzimin si shantazh dhe tha se do të jepte përgjigje në organet kompetente kur t’ia kërkojnë. Kallëzimi, thoshte Ardian Dvorani, bazohet në të pavërteta dhe sjellje që nuk janë kryer prej tij. Më tej, kreu i KED tha se asnjë sjellje e tij “qoftë edhe të pavërtetat e pretenduara nga Presidenti”, nuk përbëjnë vepër penale dhe as ndonjë shkelje tjetër.

“Paraprakisht, për aq sa për momentin më rezulton nga media, mund të shprehem vetëm se ky kallëzim penal, ndër të tjera, bazohet në pretendime për ekzistencën e disa fakteve, sjelljeve dhe veprimeve të cilat janë të pavërteta, por që ndoshta kallëzuesi mendon se kanë ndodhur apo do të dëshironte të kishin ndodhur për motivet që i di ai”, pretendoi Dvorani. PANORAMA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular