BallinaAktualitetDenoncime në polici nga karantina/ “Burri më shau lavire, u zumë për...

Denoncime në polici nga karantina/ “Burri më shau lavire, u zumë për telekomandën”

Histori nga më të pabesueshmet ndodhin në brendësi të shtëpive, teksa të gjithë shpresojnë që të dalin sa më shpejt nga karantina dhe të vijojnë jetën normale. Një pult televizori mund të kthehet në mollën e sherrit, po jo sherri të lehtë, por nga ata që nuk zgjidhen më as me zë të lartë. Por kërkohet ndihma e policisë. Ose dikush tjetër që kërkon cigare dhe alkool dhe nga nervat thyen dyqanin e mbyllur. Të dyja këto kanë ndodhur në Tiranë.

Gazeta “Si” u interesua pranë policisë për natyrën e denoncimeve dhe kërkesave për ndihmë. Rasti më tipik është ai mes një çifti, të cilët janë përplasur pasi vajza e vogël ka thyer pultin e televizorit; temperaturat e grindjes janë ngritur dhe më pas është kërkuar ndihma e policisë, pasi bashkëshorti ka humbur kontrollin.

Denoncuesja rezulton të ketë qenë edhe më herët e martuar dhe nga kjo martesë, ka një vajzë të vogël. 33-vjeçarja nga Peqini është martuar sërisht me shtetasin U.T. në Kamëz. Jeta në çift nuk ka pasur probleme deri në karantinimin për shkak të Covid-19.
“Jetoj në rrugën “New York” në Kamëz – tha gruaja në policinë e Kamzës. – Punoj në një fasoneri prodhim këpucësh. Jetojmë me qera dhe së fundmi punoja dhe me orare të zgjatura.

Si fillim sherret nisën se u ngushtuam ekonomikisht”. Gruaja rrëfeu në polici se më 10 prill ajo u kthye vonë nga puna dhe kishte parë që i shoqi kishte pirë. “Madje fillloi dhe bërtiste dhe thoshte nuk e duroj dot vajzën tënde, nuk dua ta mbajmë ne këtu. Kur e pyeta se çfarë kishte ndodhur, më tregoi se ishte mërzitur nga ime bijë, pasi duke luajtur, ajo kishte thyer pultin e televizorit”, thotë gruaja që i konsideron nervat e bashkëshortit si qesharake dhe të pajustifikuara. Sipas saj – shton burimi policor i Gazetës “Si”, i shoqi kishte ndryshuar ditët e fundit nga mungesa e punës dhe vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi.

“Ai filloi të më shajë edhe mua të më quajë lavire madje, më tha zhduku”, shton gruaja, e cila ka firmosur denoncimin për dhunën e pashpjegueshme përpara oficeres së policisë V.P. Por se sa e ka rënduar gjendjen psikologjike të disave kjo pandemi, prisni dhe dëgjoni rastin tjetër.

E.C. nga Burreli u shoqërua në komisariatin numër 3 të kryeqytetit për akuzën e shkatërrimit të pronës dhe jo pak, por të pesë autoveturave. 30-vjeçari është pyetur gjerë e gjatë nga agjentët dhe përgjigjjet e tij janë dhënë nën efektin e alkolit. Pasi kanë pritur t’i dalë rakia, agjentët e kanë marrë sërisht në pyetje, pasi dyshonin që mund të kishte ndonjë konflikt të hershëm. Por asnjëri nga këto dyshime nuk u provua. Një nga agjentët që e ka marrë pyetje tregon për Gazetën “Si” se E.C. pasi ka konsumuar alkool në banesë, ka dalë për të blerë cigare në rrugën “Androkli Kostallari”. Pasi ka kërkuar gjithandej dhe kudo ka parë dyqane të mbyllura, nervat e kanë lënë. “Ne pamë një djalë që bërtiste dhe shante për Covidin dhe shante me fjalor ofendues”, tregoi në polici një banor që ka përshkruar se si më pas i riu i acaruar ka qëlluar me grushte makina të ndryshme të parkuara në lagje. Siç rezultoi më pas, kur në vendngjarje mbërritën patrullat, i riu për të shfryrë nervat kishte dëmtuar pesë automjete.

“Pasi shau qytetarët që e shikonin të habitur, 30-vjecari ka thyer pasqyrat e pesë automjeteve”, tregon për “Si” njëri nga agjentët që këqyri dhe mbajti procesverbal të konfliktit mes një njeriu dhe pesë automjeteve.

Çfarë deklaroi i dehuri?
Pasi i ka dalë rakia e shtëpisë, i shoqëruari në komisariat ka pranuar gjithçka. “Isha i dehur, nuk kam konflikte me askënd. Nuk di se si ndodhi, humba qetësinë dhe po bërtisja, por dikush më tha mos e ngri zërin mos bërtit, atëherë fillova të thyeja çdo gjë”, është rrëfyer ai. Policia deklaron për Gazetën “Si” se mori deklaratat e secilit prej pronarëve të mjeteve të dëmtuara, të cilët konfirmuan se nuk kishin asnjë njohje me të shoqëruarin dhe asnjë konflikt me të. Në këto rrethana 30-vjeçari nga Burreli me banim në Tiranë, do të hetohet në gjendje të lirë për shkatërrim prone. /Marrë nga GazetaSi

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular