BallinaAktualitetKriza e Covid -19/Ilir Beqja: Te shkurtohen pagat e administratës dhe rishikohen...

Kriza e Covid -19/Ilir Beqja: Te shkurtohen pagat e administratës dhe rishikohen pensionet

Bota, dhe për rrjedhojë edhe Shqipëria, nuk ka parë ndonjëherë një situatë të tillë si kjo që po jetojmë këto muajt e fundit. Në kushte të tilla, surreale, mungesa më e madhe është ajo e zgjidhjes së ngërçit shëndetësor dhe atij ekonomik.

Ndërsa për mjekësinë zgjidhjet duken se janë të qarta, vaksina ose kura, për ekonominë nuk ka akoma asnjë kthjellim. Problem është mungesa e “specialistëve”. Duke qenë situatë unike, nuk ka ekspertë që të kenë jetuar zgjidhje tëmundshme. Ndaj, zgjidhjet do krijohen. Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në një analizë, ka propozuar disa zgjidhje të ngërçit ekonomik

Nga ulja e pagave dhe rishikimi i pensioneve, te ndryshimi i sjelljes së bizneseve apo sigurimi i kontratave të qirave. Deputeti i PS-së propozon një dalje mes tkurrjes së shpenzimeve dhe masave afatgjatë për mospërsëritjen e krizës.

 

ILIR BEQAJ

KRIZËN DUHET TA PËRBALLOJMË TË GJITHË BASHKË!

Nesër bëhen 50 ditë nga rasti i parë zyrtar i sëmundjes COVID-19. E ardhmja, qoftë e afërt, qoftë e mesme, nuk duket sesi do të jetë, përveçse pranohet që do të jetë keq, si s’ka më keq, apo do të ketë edhe më keq. Nga njëra anë është sheshimi i kurbës së epidemisë, vaksinimi, imuniteti i grupit. Nga ana tjetër është shëndeti (jeta), ekonomia (pasuria), liria (privatësia). Më tej (ka shumë anë kjo krizë) është deficiti (fiskal, tregtar), borxhi (publik, privat, individ), inflacioni. Por është edhe norma e interesit, hapësira fiskale dhe aftësia paguese (creditwortheness).

Sa më sipër nuk është një listë shteruese, por renditja e gjithë këtyre pyetjeve ekzistenciale dëshmon se sa të papërgatitur jemi gjendur përballë kësaj pandemia dhe sidomos pasojave të saj. Deri më tani, ky i kësaj here duhet të jetë dështimi më i madh i njerëzimit në kohët moderne. Sepse, të paktën kësaj here, sipas mendimit tim, krizën ekonomike e kemi drejtuar vetë.

Nëse vendosëm ne vetë se kur duhet të fillonte kriza dhe me çfarë intensiteti (dhe mirë bëmë sepse vendosëm jetën para ekonomisë), duhet të ishim më të parapërgatitur se kurrë për gjerësinë dhe ashpërsinë e krizës ekonomike. Nëse për SARS-CoV-2 flisnimme hamendësi nisur nga sivëllezërit e tij të mëparshëm të familjes së koronaviruseve, nëse na u desh disa kohë ta zbulojmë në laborator e t’i vëmë emrin, nëse ende kemi disa të panjohura për evolucionin e tij afatshkurtër, në ekonomi duhet ta kishim ditur që në fillim se çfarë pasojash do të sillte lockdown botëror dhe nacional.

E dinim sa do të mbeteshin pa punë, e dinim çfarë mallrash do të ishin me pakicë, e dinim çfarë industrish do të mbylleshin pjesërisht apo plotësisht. Edhe nëse duam të flasim për të drejtat individuale, edhe ato e dinim para vendimmarrjes së lockdown sesa do të duhet të kufizohen. Në mënyrë naive na kërkohen sakrifica në emër të kohës. T’i japim kohë sistemit shëndetësor që të mos kalojë maksimumin e kapacitetit të tij. T’u japim kohë shkencëtarëve të zbulojnë vaksinën.

T’i japim kohë popullsisë të infektohet, me shpresë që pas kësaj të imunizohet. Ata që kanë pretenduar prej disa dekadash të udhëheqin dijen botërore, vetëm po rreken të na tregojnë sesa shumë pyetje duan përgjigje, por përgjigje nuk po merr kush guximin të japë. Opsione, alternativa njëra pas tjetrës, të mirat e të këqijat e çdo opsioni, por rekomandim sipas kontekstit konkret as fare.

Të gjithë po presin vetëm të mësojnë nga gabimet e atyre që guxojnë të parët. Ndërsa ata që guxojnë sot të marrin vendime, duhet të kenë bekimin e të gjithë botës, sepse po na mësojnë, të paktën, cilat janë rrugët e gabuara. Që të mos shpenzojmë energji e të mos humbim kohë. Praktikisht, çdo vend është lënë i vetëm se si të zgjidhë hallin e vet.

Ne jemi një vend i vogël. Ato që i dimë, i dimë. Dimë edhe çfarë nuk dimë. Kësaj here e panjohura është se nuk dimë çfarë nuk dimë. Thënë më thjesht, nuk dimë se çfarë të reje duhet të mësojmë. Për këtë do të kishim nevojë për këshillat e të diturve. Meqë mesa duket nuk do të mund të kemi këshilla në një të ardhme të afërt, atëherë duhet të mbledhim mendjen, të shtrojmë të ndenjurat e të përveshim mëngët se jemi vetëm. Përtej solidaritetit për mbijetesë të mos presim ndonjë gjë nga jashtë. Jo sepse nuk kemi miq e dashamirë, por sepse edhe ata janë njësoj si ne.

Veçse një vendim solemn duhet ta marrim. Vendimet tona nuk mund t’i marrim as duke përdorur krejtësisht çfarëështë krijuar në vend nga breza të tërë (të shesim pasuri e të drejta publike), as duke e transferuar barrën te brezat e ardhshëm. Këtyre të fundit u mjafton halli që po i zë se duhet të jetojnë më së shumti në një botë të panjohur.

Megjithatë, besoj se kësaj here ka një konsensus të gjithëpranuar se zgjidhja e komponentit ekonomik të kësaj krize nuk duhet të përdorë instrumentet e përdorura në krizën financiare 2008–2009. Ajo krizë, veç të tjerash, solli në Europë rrënim të socialdemokracisë së fundshekullit të 20 (socialdemokratë gjermanë e austriakë, socialistë francezë e grekë, të majtë italianë u tretën), solli lulëzim të populizimit dhe thelloi pabarazinë ekonomike.

Kësaj here duhet të jemi tëvetëdijshëm se mungesa e likuiditetit nuk duhet jetë arsyeja apo alibia për të mos provuar një masë apo një tjetër masë të caktuar. Edhe pse kur vjen puna tek ekonomia, shumë hapësirë për shpikje nuk ka. Do të duhet të vëmë në dispozicion qoftë pasuritë tona, qoftë duhet të përshtatim sjelljen shpenzuese. Edhe qeveria, edhe sipërmarrja, edhe familjet. Në pikënisje nuk kemi ndonjë trashëgimi solide. Borxh pa fund, as qeverisë, as bizneseve, as familjeve nuk i jep kush. Edhe nëse do të vendosim të shesim asete publike, jemi në kohën kur askush nuk dëshiron të investojë. Vetëm spekulantë qarkullojnë këto kohë.

Nëse bizneset e quajnë të padrejtë që të përdorin asetet e kompanive të tyre për të monetizuar koston disamujore të fuqisë punëtore, të paktën për vitin 2020, duhet të ndalojmë shpërndarjen e dividendëve. Mungesa në të ardhura fiskale nga mosarkëtimi i taksës mbi dividendin është më pak e ndjeshme sesa financimi buxhetor i pagave të luftës për punonjësit e kompanive.

Një pjesë e mirë e të punësuarve të sektorit privat janë dëmtuar në të ardhurat familjare nga kriza. Po u japim një pagesë mujore modeste ekzistence të financuar nga paratë publike. Ndërsa po me para publike, po vazhdojmë të financojmë 100 % pagat e sektorit publik. Dalin apo nuk dalin në punë. Nuk më duket e ndershme. Nëse duhet ta përballojmë të gjithë bashkë krizën, duhet të marrim përsipër edhe të ndajmë barrën e saj. Një propozim këtu.

Nga 1 maj 2020 deri në 31 dhjetor 2020, të gjithë të punësuarit e sektorit publik, institucione e ndërmarrje, qendrore e vendore, të varura e të pavarura, të paguhen me 90 % të pagës së tyre normale. Por jo më pak se paga minimale në shkallë vendi, duke përjashtuar edhe ata që janë në vijën e frontit të luftës. Paga mesatare mujore në sektorin publik është 63,000 lekë. Të punësuar janë rreth 172 mijë.

Krijojmë kështu një fond rreth 8,7 mld lekë (4,5 mld punonjës buxhetorë dhe 4,2 mld punonjës jobuxhetorë). Po kështu, çdo pension suplementar e shtesë pensioni suplementar (nëpunës i lartë shtetëror, ushtarak në lirim, profesor etj.) për tetë muajt e mbetur të vitit, të marrë 75 % të këstit mujor të muajit prill 2020.

***

Që në ditët e para të bllokimit të detyruar të disa aktiviteteve ekonomike, u konstatuan kontradiktat e para. Të njëjtat që u vunë re edhe gjatë krizës pas tërmetit të 26 nëntorit, por në një pjesë të vendit. Si do të bëhet me rrogat e punëtorëve? Si do paguajmë qiratë? Tërmetet, pandemitë, etj., janë situata të të paparashikueshme. Por, derisa herë pas here ndodhin nuk mund dhe nuk duhet të jetë e paparashikueshme përgjigjja jonë.

Nëse njerëzit menjëherëi drejtohen politikës për zgjidhje, politika duhet të jetë e aftë jo vetëm të japë përgjigje të atypëratyshme të krizës sëradhës, por edhe të krijojë instrumente që administrimi i krizës, kurdo që të ndodhë, dhe i pasojave të saj, të jetë sa më normal. Institucionet publike kanë në planin e tyre financiar vjetor të përfshirë një fond të veçantë brenda shpenzimeve të personelit.

Zakonisht, rreth 60% e shpenzimeve mujore për fond pagash. I bie mesatarisht rreth 5% të fondit vjetor të pagave. Pse të mos jetë detyrim një fond i veçantë për çdo punëdhënës në vend me të paktën 10 punëtorë. Nëse do të ishte 25% e fondit vjetor të pagave do të mbulonte pagat e tre muajve. Ky fond do të përdorej për situata të papritura.

Mund të pranohet që në një situatë të tillë të mos paguhet paga e plotë, por 80% e pagës mesatare të tre muajve të fundit. Jo më pak se paga minimale në shkallë vendi dhe jo më shumë se një shumëfish (5 herë apo 7 herë) i kësaj page. Në këtë rast do të duhet një fond sa 20% e fondit vjetor të pagave apo 4% e fondit vjetor për 5 vjet.

Përsa u përket të drejtave të ardhshme për sigurime shoqërore ato të llogariten mbi pagën minimale për efekt kontributesh të sigurimeve shoqërore. Pagesa për të punësuarit në një rast të tillë të jetë e përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale. Nëse duke filluar nga 1 janar 2021 fillojmë e krijojmë me detyrim njëinstrument të tillëfinanciar (me 4% të fondit vjetor të pagave), deri në dhjetor 2025 e kemi krijuar një rezervë financiare që na mbron deri në 3 muaj nga të papritura që mund të çojnë në pamundësi të pagesës normale të pagave.

Duhet të mbajmë një konsideratë që një mekanizëm i tillë në 5 vitet e ardhshme do të shtrenjtonte me 4% shpenzimet vjetore të personelit. Shpenzimet e sipërmarrjes për krijimin e këtij fondi të jenë shpenzime të zbritshme për efekt të llogaritjes së tatimfitimit. Të mbahen nga një/disa kustod/ë financiarë, sepse kështu edhe cash-in e kemi të garantuar, edhe fondi mund të shtohet edhe duke u investuar e riinvestuar.

Teprica mbi nivelin 3-mujor të pagave të jetë njëmarrëdhënie e lirë midis kustodit/kustodëve dhe sipërmarrjes. Ekzekutimi i përdorimit të këtij fondi të jetë nga një autoritet publike. Diçka e përafërt me sigurimin e depozitave.

Sidoqoftë, sa më sipër, ka si qëllim të nxisë mendimin dhe diskutimin për përdorimin e instrumenteve të qëndrueshme në përballje me befasitë e ndryshme dhe paparashikueshmërinë e tyre. (Fondi i sigurimit shëndetësor dhe fondi i sigurimeve shoqërore e kanë në ligj ekzistencën e një fondi rezervë, të aftë për të përballuar shpenzimet tremujore, paçka se gjithmonë thesari i shtetit për përdorimin e tyre paraqet pengesën e kufirit të deficitit buxhetor). Po qiranë, mese do ta paguaj? Mos e paguaj?! Me të ardhurat e qirasë po shkolloj djalin në Gjermani? Me kursimet e tua? Ç’punë ka shteti të hyjë në marrëdhënie midis privatëve?!

Për të shmangur çdolloj konflikti, duhet bërë rregullimi i nevojshëm ligjor, që në kohë fatkeqësish të shpallura të tilla nga autoriteti kompetent, qiramarrësi nuk ka detyrim të paguajë qiranë, pavarësisht se çfarë është e përcaktuar në kontratën midis palëve. Për të mitiguar këtë risk po bëj dy propozime alternative të njëri–tjetrit. Ose sigurim i detyrueshëm i kontratës së qirasë ose paradhënie e një qiraje tremujore, por jo më shumë se 1 muaj për vit të kontratës së qerasë. E paguar çdo vit sa kësti mujor i kontratës së qirasë. Veç të tjerash do të kishim edhe një rregullim ligjor dhe fiskal të tregut të qiradhënies dhe qiramarrjes. Meqë po flasim për qiranë, duhet të sanksionojmë edhe që në rast se qiraja rregullonbanesën primare të një bërthame familjare, qiradhënësi nuk ka të drejtë të nxjerrë nga banesa qiramarrësin, edhe pse ky i fundit mund të mos paguajë qiranë. Sa më sipër ishin disa ide. Do të ftoja këdo të bëhej pjesë e një kontributi të përbashkët për çfarë, si, kur, me se… Nuk lipset as forum, as grup pune, as bord, as portal. Panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular