BallinaAktualitetAlarmi i OKB dhe Shqipëria/ Rama, më autokrati i epidemisë

Alarmi i OKB dhe Shqipëria/ Rama, më autokrati i epidemisë

Michelle Bachelet, Komisionierja e Lartë për të drejtat e njeriut në OKB ka ngritur shqetësimin se masat anti-covid po përdoren si armë nga liderë autokratë për të shtypur popullsinë dhe cenuar demokracinë.

Në Shqipëri, ka një tejzgjatje të këtyre masave, dhe kryeministri është akuzuar se po e përdor situatën për të rritur pushtetin e tij personal. Në një komunikim me Gazetën MAPO, Arben Imami, Marko Bello dhe Kastriot Islami, konkludojnë, se Edi Rama e ka trajtuar situatën, më keq se çdo autokrat tjetër.

Rregullat tej mase të ashpra në emër të pandemisë COVID-19, dhe zelli i tepruar në zbatimin e tyre i disa liderëve në vende të ndryshme të botës ka vënë në alarm Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Michelle Bachelet, Komisionerja e lartë për të Drejtat e njeriut në këtë organizatë, në një dalje për mediat të hënën më 27 prill tha se masat e jashtëzakonshme për frenimin e COVID 19, rrezikojnë të shkaktojnë katastrofë për sa i përket të drejtave të njeriut.

Bachelet ngriti shqetësimin se në jo pak vende këto masa po përdoren nga liderë autokratë, për të zgjatur pushtetin e tyre, shtypur kundërshtarët, popullin dhe demokracinë.

Masat e emergjencës nuk duhet të përdoren si armë nga qeveritë për të shtypur ata që mendojnë ndryshe, për të kontrolluar popullsinë apo për të qëndruar në pushtet në pafundësi. Ato duhet të përdoren për t’u përballur me pandeminë, asgjë më shumë, asgjë më pak”, u shpreh ndër të tjera komisionerja Bachelet.

Prishja e balancave të tilla, siç janë e drejta e shprehjes apo e tubimeve, apo e drejta e lëvizjes, mund të sjellin dëme të mëdha dhe të pariparueshme”, shtoi më tej ajo.

Një shqetësim të tillë e ngriti para disa kohësh dhe kryetari i OKB, Antonio Guterres, kur tha se autoritetet e disa vendeve po i përdorin masat për të goditur kundërshtarët politikë.

Po Shqipëria? Opozita, por dhe personalitete të shoqërisë civile apo jurisprudencës jo pak herë kanë ngritur shqetësimin se kryeministri dhe mazhoranca po i përdorin këto masa për interesa thellësisht politikë. Prej datës 9 mars e cila shënon dhe ditën e parë të vendosjes së rregullave anti-covid, sipas tyre janë shkelur ato që njihen si: “të drejta natyrore” të njeriut dhe kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes, arsimit dhe pronës.

Është frenuar ekonomia, dhe rregullat ndryshohen pa u mbledhur qeveria e hyjnë në zbatim pa u botuar në Fletoren Zyrtare. Kryeministri Rama, me një votim në parlament vendosi ta shtyjë gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore, deri në fund të qershorit, pra me dy muaj të tjerë. Në lidhje me këtë çështje Gazeta MAPO, ka marrë mendimin e tre ish-ministrave në kohë të ndryshme.

A është e tejzgjatur karantina në Shqipëri, a po shkelen të drejtat e njeriut, dhe a janë të justifikuara të gjitha këto masa në këtë kohë?

Arben Imami, ish-ministër i Mbrojtjes
Ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami, (një nga bashkëthemeluesit e Kushtetutës) në një prononcim shprehet se kryeministri Rama, po e përdor gjendjen e krijuar më shumë se çdo autokrat tjetër.

Rama po e përdor situatën e pandemisë dhe më shumë se ç’do e përdorte, çdo autokrat tjetër. Por, Shqipëria nuk është demokraci, kush mendon se është demokraci e ka gabim. Këtu nuk funksionon asgjë, nuk funksionon shteti, gjykatat, parlamenti. Ndryshohen rregullat në mes të lojës sipas oreksit të kryeministrit”, thotë Imami.

Dhe nuk mbaron me kaq. Sipas tij; “Ai i lejon vetes të përhapë panik, të flasë në emër të shëndetësisë dhe të çdo fushe tjetër. Kush e lejon atë të thotë do ketë 18 mijë apo 28 mijë viktima. E keni parë presidentin Trump? Përgjigjet për koronavirusin ia lë drejtorit të Agjencisë Kombëtarë të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, apo Boris Johnson që del në konferencë me dy punonjës të shëndetësisë, jo ministra, se ministrat janë post politik, por punonjës të shëndetësisë.

Ndërsa ky çfarë bën? Një masë që duhet ta zbatosh në mëngjes, nuk funksionon më në darkë dhe anasjelltas. Ka mendjen si të ndryshojë ligje në parlament, duke futur njerëz në burg për fajin e vetëm se janë prekur nga virusi”, deklaron Imami.

E për sa u përket masave, ai shprehet se ato duhet të ishin marrë më shpejt, dhe duhet të ishin bërë me një strategji të mirëpërcaktuar.

Për sa u përket masave, mendoj se ato duhet të ishin marrë më herët, me një plan të mirëpërcaktuar. Sot gjendemi në një situatë ku nuk funksionon asgjë. Nuk mund të funksionojë një vend po nuk funksionoi ekonomia, dhe ekonomia nuk funksionon duke mbyllur njerëz në shtëpi dhe ulur qepenat e bizneseve. Çfarë do i thuash nesër pasnesër atij tregtarit që me ato të ardhura mban familjen. E dini që kjo situatë rrezikon t’i falimentojë përfundimisht? E dini që për shkak të këtyre masave absurde nuk funksionon pjesa tjetër e shëndetësisë, dhe këtë e di fare mirë sepse kam njerëz në shtëpi që po e vuajnë. Ndërsa ky e ka mendjen se si të marrë ndonjë brohoritje nëpër vox- pope, nga njerëz që s’mendojnë gjatë”, pohon Imami

Marko Bello ish-ministër i Integrimit
Në qëndrim kritik, është dhe ish-ministri i Integrimit, Marko Bello. Teksa flet për deklaratën e zonjës Bachelet ai thotë se shqetësimi i organizatës ka ardhur pasi ka vënë re një zell të tepruar të liderëve, kryesisht autokratë në vendosjen e masave për pandeminë.

Për sa përket Shqipërisë, pa i mohuar masat që ka marrë qeveria, në mbylljen, ekzaminimin e të tjera, kjo tejzgjatje është absurde. Është shkelur rëndë Kushtetuta, me zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, pasi parlamenti mund ta shtyje vetëm me 30 ditë, por e shtyu me 60 ditë. Nga ana tjetër, në këto 30 vjet është trupa e parë parlamentare që vepron si parlament monist dhe votojnë një ligj antikushtetues të diktuar nga kryeministri dhe jo nga ligji themelor, pasi aty nuk ka asnjë nen që e parashikon këtë tejzgjatje. Gradualisht duhet të lirohen qytetarët, të lirohet dhe ekonomia se mjaft e rënduar ishte dhe pa ato masa”, thotë Bello.

Kastriot Islami, ish-ministër i Jashtëm
Kastriot Islami, ish-ministër i Jashtëm shkon dhe më tej. Sipas tij, ky menaxhim masash është si në asnjë vend tjetër, është individual, aprofesional, sekret, antiligjor dhe antidemokratik.

Aktualisht, Edi Rama po përpiqet të forcojë pushtetin e tij autoritar duke keqpërdorur epideminë COVID-19. Ai po bën gjithçka duke iu imponuar shqiptarëve si shpëtimtari i vetëm i jetës së tyre dhe drejtuesi i vetëm i aftë për të menaxhuar me sukses këtë “luftë” me armikun e padukshëm. Menaxhimi i kësaj pandemie është si në asnjë vend tjetër europian, është tërësisht individual e i përqendruar në një dorë të vetme, aprofesional e me symbyllur, i fshehtë e sekret, antiligjor e antikushtetues, antipopullor e antidemokratik, e deri ofendues e arrogant. Edi Rama e ka detyruar një pjesë të popullsisë të futet në izolim ekstrem duke e nënshtruar përmes varfërimit, duke e kërcënuar me humbjen e “pagës së luftës” apo të pensionit dhe duke e kërcënuar me penalitete e veprime policore. Ndërkohë, që të “moshuarit” i ka diskriminuar si grupim duke i detyruar të “mbyllen” e izolohen me urdhër.

Situata është shumë e rrezikshme e duket momentalisht pa zgjidhje se qytetarët, të izoluar në hallet e problemet e tyre janë aktualisht në shumicë indiferentë e të pamundur për të reaguar. Dhe, vendet kryesore e organizmat ndërkombëtarë demokratikë s’kanë vëmendjen e duhur për të penguar këto tentativa e sjellje autoritare që mund të dëmtojnë e shkatërrojnë themelet e demokracisë në Shqipëri”, deklaron Islami. MAPO

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular