BallinaKryesoreKronikë e një trishtimi të paralajmëruar

Kronikë e një trishtimi të paralajmëruar

Nga Namir Lapardhaja

Pasi mbaron mësimi online për fëmijët, shumica e shqiptarëve ndeshet edhe me modelin e funksionimit kryeministror online. Është një ironi e madhe, në fakt, me jetën e shqiptarëve, që të dëgjojnë kreun e qeverisë që merr emër për emër, nga ata që shkruajnë, duke nënkuptuar kështu që nuk ka më asnjë institucion në këtë vend përveç tij. Madje nuk nguron të flasë si ata komshinjtë ziliqarë, që shohin nga dritarja se me çfarë ushqehen njëri apo tjetri që i bën pyetje, duke kritikuar ata që kanë një copë mish apo një birrë përpara, dhe guxojnë ta pyesin.

Tashmë nuk është asnjë turp për këtë qeveri që ministrat ta marrin vesh vendimin e kabinetit ku bëjnë pjesë nga FB personal i kryeministrit apo nga emisione, si në rastin e Arben Ahmetajt që u informua se ishte shpallur fatkeqësia natyrore, teksa bisedonte në emisionin “Opinion”. Nuk është më asnjë sekret se fillimisht vendimet merren në FB-në e kryeministrit, pastaj zbardhen, e pastaj botohen në Fletoren Zyrtare, duke dhënë kështu gjithë piramidën e shtetit prej letre që ka ngritur z. Rama në këto shtatë vite. Madje, kur i duhet, urdhërohet edhe shoku Ruçi, të mbledhë ata deputetë që janë zyrtarisht me PS-në dhe jo zyrtarisht me PS-në, që të votojnë gjithçka që ai ka nxjerrë si ferman sulltani nga Facebook-u i tij.

Rama e nis me një vrull që t’i përgjigjet të sëmurëve, grave shtatzëna, mekanikëve, taksistëve, pensionistëve, emigrantëve, fermerëve. Por nervat nuk e mbajnë dhe u përgjigjet vetëm atyre që kanë pyetje sipas dëshirës së tij, atyre që e shohin si liderin e madh, ndërkohë që të tjerët i i drejton sërish te E-Albania, apo të 127, apo te 129.

Kryeministri Rama shfrytëzoi pasdite dritaren e komunikimit që i vënë në dispozicion gjithë televizionet, për të dhënë “lajmin e mirë” pensionistëve se ish-ministri Ilir Beqaj qenka nxituar, se e ka pasur vetëm nga mendja e tij idenë për kumtin e shkurtimit të pagave dhe pensioneve. Padyshim e ka programuar këtë linçim të mikut të tij, që e ka për këto ditë, ku i duhen më shumë se çdo gjë tjetër duartrokitjet. Pensionistët duhet të shohin te ai shpëtimtarin që ia hoqi nga dora idenë e gabuar Beqajt. Një lojë qesharake, kur edhe çiliminjtë që mësojnë sot online e dinë se nuk ka Ilir Beqaj, apo kushdo qoftë, që të hedhë ide në publik pa kaluar nga tavolina e tij. Thjesht ai testoi dhe ndoshta i doli që do të ishte një protestë që do të përfshinte edhe fanatikët që e kanë votuar atë qorrazi. Madje, me këtë lëvizje, ai shmang edhe çdo kërkesë për rritje pensionesh, pasi ata që e përfitojnë duhet të gëzohen që ia nuk po ua shkurton atë.

Ky komunikim i përditshëm është jo vetëm konfirmimi i shtetit prej letre që ka ndërtuar z. Rama, por edhe kronika trishtuese për të ardhmen e shqiptarëve më këtë qeveri. Ndoshta në ëndrrat e veta z. Rama dëshiron të shkojë drejt zgjedhjeve të vitit 2021, duke i dhënë leje atyre që dëshiron ai që të votojnë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular