BallinaAktualitet“Qeveria dështoi në menaxhimin e krizës”, Kreu i Konfindustrise: Dëmi 2 mld...

“Qeveria dështoi në menaxhimin e krizës”, Kreu i Konfindustrise: Dëmi 2 mld $, masat shumë të rënda. Ja çfarë duhet bërë urgjent!

Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, akuzon ashpër qeverinë për menaxhimin e krizës së koronavirusit, duke paralajmëruar se nëse do të vazhdoeht me këtë mënyrë, bilanci do të jetë “shkatërrimtar” për ekonominë kombëtare, bizneset dhe qytetarët shqiptarë. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Buxhuku thekson se qeveria ka dështuar totalisht ta menaxhojë këtë krizë, duke krijuar në mënyrë të paarsyeshme një nga faturat më të rënda financiare në rajon dhe më gjerë, me një dëm që tejkalon 2 miliardë dollare.

Lidhur me këtë situatë, kreu i Konfindustrisë kërkon rikthimin sa më shpejt në normalitet, duke i bërë thirrje qeverisë të rihapë me urgjencë “të gjitha kategoritë e bizneseve, lëvizjen e qytetarëve dhe punën e institucioneve arsimore, shëndetësore”.

Cili është sipas Konfindustrisë bilanci i deritanishëm dhe i pritshëm ekonomik dhe financiar i masave shtrënguese të qeverisë për përballimin e pasojave të Covid-19?

Nëse do të përmblidhja pasojat e deritashme financiare të masave kundër Covid-19 të qeverisë, me një fjalë të vetme do të thosha se janë “shumë të rënda”. Nëse do të vazhdojë e njëjta mënyrë e menaxhimit të krizës edhe në vazhdimësi do të thosha se bilanci do të jetë “shkatërrimtar” për ekonominë kombëtare, biznesin dhe qytetarët shqiptarë. Sipas analizave të Konfindustrisë, që mbështeten në të dhënat parësore zyrtare të raportuara nga vete ekzekutivi, dëmi financiar i përllogaritur ndaj ekonomisë formale kombëtare është jo me pak se 1,2 miliardë dollarë. Ne rast se do të vlerësojmë edhe pjesën informale, dëmi tejkalon 2 miliardë dollarë. Duhet të kuptojmë se fatura financiare e dëmeve rritet jo çdo ditë, por çdo orë dhe minutë në kushtet kur sektorë të gjithë ekonomisë, biznesit, përfshi edhe qytetarët, janë të mbyllura dhe/ose të kufizuara. Unë mendoj se Shqipëria, me mënyrën e saj të menaxhimit të krizës antiCovid 19, ka prodhuar në mënyrë të paarsyeshme një nga faturat më të rënda financiare në rajon dhe më gjerë.

Ju përmendët termin “të paarsyeshme” në menaxhimin e krizës nga qeveria. Si e arsyetoni përfundimin e mësipërm?

Vlerësimi profesional për menaxhimin e një krize humanitare, siç është pandemia Covid-19, duhet të mbështetet në dy tregues. Treguesi i parë është te numri i jetëve të humbura. Treguesi i dytë është fatura financiare, që është prodhuar. Menaxhimi i suksesshëm është kur arrihet optimumi i treguesve të mësipërm. Domethënë, mbrojtja e sa më shumë jetëve, por me kosto sa më të ulët financiare dhe ekonomike. Në këtë drejtim, menaxhimi shqiptar i krizës është i dështuar tërësisht. Pse e them këtë? Shqipëria, fatmirësisht, nuk ka kaluar as në pandemi jo dhe jo, as epidemi, por jemi edhe shumë nën nivelin e një gripi vjetor të zakonshëm. Nëse kemi parasysh valën e madhe të panikut, ngjashmëri mund të kemi vetëm me tragjikomedinë e “mbretit lakuriq”. Dhe jo vetëm Shqipëria me vetëm 10 vdekje/ 1 milion banorë, por gjithë rajoni i Ballkanit dhe Europës Lindore janë më shumë herë nën nivelin e humbjeve të jetës së shteteve të zhvilluara historike të BE. Shtete të tjera si Bullgaria, Gjeorgjia e të tjera janë edhe në shifra më të ulëta sesa Shqipëria. Ndërkohë, masat e ndërmarra nga Shqipëria ishin dhe vazhdojnë të jenë jashtëzakonisht shumë më të ashpra dhe jo përpjesëtimore sesa në shtetet e tjera të Rajonit. Dhe jo vetëm të rajonit, por edhe vetë shteteve të BE-së të prekura shumë herë më rëndë nga pandemia. Domethënë, suksesi në humbjet e papërfillshme të jetës duhet kërkuar të arsye të tjera, që s’kanë lidhje me masat e marra në Shqipëri. Mund të jetë përdorimi nga popullata e rajonit e vaksinave të ndryshme nga ato të vendeve historike të BE-së, sistemi imunitar ndryshe, vjetërsia e moshave etj. Të vërtetën përfundimtare le t’ua lëmë shkencëtarëve. Por fakti që na intereson është se Shqipëria dhe rajoni nuk ka kaluar as pandemi dhe epidemi. Nga ana tjetër, masat shtrënguese kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë jo vetëm vrasëse për ekonominë, biznesin dhe qytetarët, por mjaft herë edhe qartazi, jo profesionale, të dëmshme dhe deri qesharake. Shumë herë më të ashpra se vendet e tjera. Kur të zgjohemi nga kllapia, mund të shikojmë se kemi luftuar si Don Kishoti me mullinjtë e erës. Por nuk ka vend për të qeshur, por për të qarë, se nëse Don Kishoti i ngulte shpatën mullinjve të erës, ne ia kemi ngulur vetes, duke prodhuar një fature kolosale humbjesh financiare, qe do të paguhen me gjenerata. Prandaj them që kemi një dështim spektakolar me pasoja afatgjata në menaxhimin e krizës.

Si e shpjegoni ju dështimin në menaxhimin e krizës?

Në fakt, nuk është se pritshmëria ishte e lartë për të ndodhur e kundërta. Është pak a shumë vazhdim dhe përsëritje e asaj që u shfaq në rastin e tërmetit të nëntorit 2019. Por, përmasat janë shumë më dramatike edhe në vlerën e dëmit të krijuar, edhe në faktin se në rastin e epidemisë, dëmin ia kemi shkaktuar vetvetes. Në shumë raste, nga dobësia institucionale e trashëguar, por në shumë raste të tjera sepse as nuk dimë dhe as nuk duam të dimë. Biles, me sa po duket në vazhdimësi nga mënyra e menaxhimit dhe sjelljes së qeveritarëve. Siç duket, një pjesë e tyre edhe e dëshirojnë një gjë të tillë. Janë kundër kthimit në normalitet. Të gjitha vendimet e bllokimit ose lejimit të aktiviteteve të bizneseve dhe lëvizjes së qytetareve bëhen fakt i kryer. Ose nuk dëgjohet fare zëri i arsyes, ose dëgjohet me shumë vonesë. As zëri i biznesit dhe as i shkencëtareve të shëndetësisë, që nuk i kanë në grupet e tyre menaxhuese. Vonesë, që prodhon pa pushim pasoja financiare, që vetëm shtohen. Të duket sikur u pëlqen të vazhdohet gjendja e panikut psikologjik dhe gjendja e jashtëzakonshme. Mbase është më e lehtë në përligjen e marrjes se fondeve buxhetore prej dhjetëra e dhjetëra miliona eurove dhe përdorimin e tyre pa tenderime normale për dikasterin e mjekësisë, por dhe institucione të tjera. Meqë ra fjala, në këtë pikë kemi dhe një konflikt të pastër interesi, sepse grupi teknik që merr vendimet është i përbërë vetëm me përfaqësues të vetë sektorit shëndetësor, që njëkohësisht janë edhe përfitues dhe përdorues pa gara të fondeve miliardëshe. Menaxhimi financiar i krizës është një dështim i plotë edhe për nga mënyra e konceptimit dhe realizimit. Nga njëra anë, kemi ndihmën më të vogël krahasimore në rajon me vetëm afër 100 milionë euro për shtresat në nevojë, të papunët dhe biznesin. Nga ana tjetër, përdorimi i tyre në mjaft shtylla është i gabuar dhe me njolla të forta subjektivizmi. Ndarja qesharake në biznes “i madh” dhe “i vogël”, përjashtimi i të papunëve jo të formalizuar, procedurat burokratike të rënduara të marrjes së ndihmës, 120% më shumë shpenzime për investime, jo për epideminë në muajin mars 2020 se vitin paraardhës, vazhdimi i pagesës për PPP, koncesione, prokurime që s’kanë lidhje me emergjencën etj., shpjegojnë për sa më sipër.

Cila është kërkesa juaj në këto kushte?

Kërkesa kryesore është kthimi sa më i shpejtë në normalitet. Sa më shpejt të kthehen në normalitet të gjitha kategoritë e bizneseve, lëvizja e qytetarëve dhe puna e institucioneve arsimore, shëndetësore, etj., aq më pak shtojmë faturën shumë të rëndë financiare të krijuar. Mendoj se kthimi në normalitet është në fakt edhe gjëja më e mundshme, që mund të bëjë një shtet tërësisht i dobët dhe jofunksional si Shqipëria. Paketa financiare minimale dhe pagat e luftës dhe ndihmës prej me pak se 100 euro/muaj nuk kanë nevojë për shpjegim për të treguar se në çfarë pike fundore pafuqie të shtetit jemi. Të paktën, bizneset dhe qytetarët duhen lejuar të rigjejnë vetën me mundësitë e tyre sa munden pas tërmetit donkishotesk që vetëkrijuam. Paranojat personale, që përkthehen në krijimin e panikut dhe frikës te qytetarët, për të përligjur dështimin ekonomik në vite qeverisje sipas stilit të ndërtimit të fortifikatave për t’u mbrojtur nga sulmet imagjinare të Natos të kohës së diktaturës, duhen ndërprerë./panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular