BallinaAktualitetRama rrezikon konsensusin për Reformën zgjedhore, zbulohen emailet e shkëmbyera në Këshillin...

Rama rrezikon konsensusin për Reformën zgjedhore, zbulohen emailet e shkëmbyera në Këshillin Politik

Deklaratat e kryeministrit Edi Rama për kushtëzimin e reformës zgjedhore me dy pika të panegociueshme dhe për kufizimin e reformës vetëm tek rekomandimet e OSBE\ODIHR-it, pa marrë parasysh qendrimet e opozotës, ndryshe nga marrëveshja e janarit, i kanë hedhur benzinë zjarrit në Këshillin Politik.

Opozita jo vetëm nuk i ka mirëpritur qendrimet ultimative të kryeministrit, por beson se pas tyre fshihet qëllimi i tij për të shkatërruar konsensusin për reformën zgjedhore.

Të paktën dy emaile të shkëmbyera mbrëmë në grupin e Këshillit Politik e dëshmojnë këtë dhe paralajmërojnë se sot paradite do të jetë një takim i vështirë ai mes përfaqësuesve parlamentarë Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari dhe përfaqësuesve të opozitës Oerd Bylykbashi ( PD) dhe Petrit Vasili (LSI).

Është nënkryetari i LSI-së ai që ka shprehur shqetësimin i pari me një email për anëtarët e Këshillit Politik dhe ekspertëve të huaj që bëjnë pjesë në të. “Është e qartë se ky qendrim publik i kryeministrit është një provokim i rëndë për Këshillin Politik, që minon frymën e konsensusit. Këshilli politik nuk është as zyrë dhe as paradhomë e kryeministrit. Ky kryeministër me rekorde tepër të rënda në manipulimin dhe kriminalizimin e zgjedhjeve në Shqipëri nuk ka asnjë interes për të mbështetur propozimet e opozitës, që pastrojnë zgjedhjet nga shitblerja dhe kriminalizimi.

Nuk mendoj se OSBE – ODIHR janë noterizuesit e propozimeve të njëanshme provokative dhe antikosensuale të Kryeministrit.”- thuhet në komunikimin elektronik që ne kemi siguruar. Petrit Vasili ka kërkuar shtyrjen e mbledhjes, duke e konsideruar mbajtjen e saj një farsë në kushtet kur kryeministri ka paracaktuar rezultatin. Por ajo që mësohet është se opozita nuk do të mungojë në mbledhjen e orës 10.30. Megjithatë, nga komunikimi kuptohet se ka për të qenë një takim i vështirë.

“Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, pas deklarimeve të kryeministrit kryetar partie të tij, është tashmë në kushtet e pamundësisë së plotë të negociimit dhe të mungesës së plotë të besimit e të sinqeritetit politik për të ndërtuar konsensus.Pa qartësuar në nivel politik një situatë të tillë, vazhdimi në këto kushte i punës së Këshillit Politik do të ishte vetëm një peëmbushje e skenarit të Kryeministrit për zvarritjen e procesit të reformës zgjedhore, me qëllim fitimin e kohës dhe vendosjes përpara faktit të kryer e votimit të njëanshëm të kësaj reforme.”- thuhet në emailin e darguar nga Petrit Vasili për anëtarët e Këshillit Politik, duke shprehur keqardhjen që rifillimi i punës me vullnetin për zgjidhje provokohet rëndë dhe shkatërrohet gjithshka me qëllim të mirëpërcaktuar nga kryeministri.

Image

Bëhet e ditur se nga përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri apo nga Rudina Hajdari nuk ka patur asnjë reagim. I vetmi reagim ka qenë ai i përfaqësuesit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, i cili ka mbështetur shqetësimet e ngritura nga Petrit Vasili në lidhje me qendrimet ultimative të kryeministrit që pengojnë konsensusin në Këshillin Politik.

“Vija të kuqe si këto që ka vënë sot Kryeministri Rama në lidhje me dy nga çështjet e nxehta të Reformës Zgjedhore, kur sjellja e tij ka rënduar pikërisht ato fusha problematike, jo vetëm janë krejt pa bazë në rekomandimet e ODIHR, por minojnë qëllimisht procesin politik të Reformës, pikërisht në momentin e rinisjes së saj.” – shprehet zoti Bylykbashi, i cili tregon edhe qëllimin e kryeministrit me reformën zgjedhore.

Image

“Këto qendrime tregojnë qëllimin e maxhorancës për të ecur drejt ndryshimeve të njëanshme në Kod, pas minimit të punës së Këshillit Politik apo akoma më keq, duke shkelur dokumentin e kompromisit të janarit 2020, mbi të cilin bazohet reforma, ndryshimet konsensuale të Këshillit mund të ndryshohen me votën e maxhorancës në Kuvend, pavarësisht angazhimit për mosndryshim të këtyre amendamenteve.

Konsensusi politik është themeli i kushtit të BE për reformën nga Këshilli dhe Kryeministri me këto qendrime vë në pikëpyetje përpjekjet për konsensus që duhet të udhëheqin punën e Këshillit Politik në tre javet në vijim, deri në afatin e dakordësuar të 31 majit”- shkruan Oerd Bylykbashi. Mbledhja e Këshillit Politik nis pas pak minutash në 10.30 dhe pritet me interes se çfarë do të konkludojnë palët.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular