Ulërima dhe të qara. Ky ishte momenti i trishtë kur familjarët mbërrijnë në morgun e spitalit të Korçës dhe konfirmojnë se trupi i pajetë i 8 vjeçarit që u mbyt në rezervuarin e parkut të Korçës i përket djalit të tyre.
“O bir i nënës, më iku trimi”, vajton një grua e gjunjëzuar mbi tokë që nuk dihet lidhja familjare e saj me fëmijën.
Ndërsa një tjetër familjar e zë nga krahu ta ngrejë dhe ta qetësojë.
Ngjarja e rëndë u regjistrua pasditen e sotme.
“Më datë 14.05.2020, rreth orës 16:05, në lagjen nr.3, në një rezervuar tek “Parku Japonez”, dyshohet të jetë mbytur një fëmijë rreth 8 vjeç (i seksit mashkull)” – njofton policia.
Shërbimet e zjarrfikëses dhe policisë bënë të mundur nxjerrjen nga uji të trupit të pajetë.
Duket se fëmija ka qenë i vetëm, pasi nuk e ka ndihmuar askush derisa ka ardhur policia.
Mësohet se vogëlushi i kishte prindërit e divorcuar dhe është rritur nga gjyshërit.