BallinaEkonomiBuka, nën kërcënimin e çmimeve të larta dhe burimeve të furnizimit

Buka, nën kërcënimin e çmimeve të larta dhe burimeve të furnizimit

Fabrikat e mëdha të blojës janë përballur me një kërkesë të pazakontë për miell nga tregu i brendshëm, si pasojë e panikut që shkaktoi pandemia COVID-19. Rusia ka kufizuar eksportet në vetëm 7 milionë tonë, të cilat janë ezauruar tashmë. Shqipëria siguroi 54% të importeve të drithërave nga Rusia më 2019, ndërsa operatorët e blojës duhet të gjejnë burime të reja furnizimi këtë vit. Ata pohojnë se, tregu nuk do të ketë mungesa, por çmimet do të jenë më të larta. Konkurrenca nga mielli serb pa standarde është ulur, por industria po vuan rënien e konsumit dhe mbiinvestimet. Pritshmëritë për korrjet e reja ngjallin optimizëm

Blerina Hoxha

Krahas problemeve të brendshme nga konkurrenca, konsumi i dobët dhe mbiinvestimet, industria e blojës këtë vit ndodhet nën presionin e zhvendosjes së burimeve të furnizimit me lëndë të parë (drithëra) për shkak të ndikimit që ka krijuar pandemia COVID-19. Prodhuesi më i madh i grurit në botë, Rusia, në mes të marsit kufizoi kuotat e eksportit në vetëm 7 milionë tonë për këtë vit. Këto kuota teorikisht janë ezauruar dhe kjo ka rritur çmimin e grurit për tonë në këtë periudhë me 15-17%.

Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, tha se, në fillim të pandemisë dhe me aplikimin e masave kufizuese, tregu i brendshëm u përball me një kërkesë të fortë për miell, teksa transporti nga jashtë u përball me vështirësi. Para pandemisë, ngarkesat me grurë nga eksporti realizoheshin për 10-15 ditë, ndërsa tani nga 30-45 ditë.

Ai tha se, kufizimet ruse do të sjellin rritje të çmimeve të miellit dhe nënprodukteve të tij edhe në tregun vendas, por ai e përjashtoi rrezikun për mosfurnizim të rregullt të tregut. Prodhimet e grurit nuk janë ndikuar nga pandemia, por vendet që zotërojnë prodhimin më të lartë janë duke e shfrytëzuar situatën gjeopolitike dhe për të realizuar fitime gjithashtu. Kjo sjellje e prodhuesve të mëdhenj të grurit është nxitur nga rritja e kërkesës për furnizime të mëdha nga vende të tilla si Italia, Turqia, etj., gjatë pandemisë.

Roland Hysi, i cili drejton “Miell Tirana”, tha se kontraktorët e tij kanë rritur çmimet muajin e fundit me 10% dhe në përgjithësi ekziston një stres në furnizime, por gjithsesi ai e përjashtoi se ka mungesa në miell në tregun e brendshëm. Hysi evidentoi si probleme të industrisë konkurrencën e fortë nga tregu i brendshëm, për shkak edhe të mbikapaciteteve që kanë fabrikat e blojës në vendin tonë.

Gjithsesi operatorët më të mëdhenj pohojnë se konkurrenca e pandershme nga importet e miellit serb pa standarde ka pësuar rënie për shkak të kontrolleve më të rrepta të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). Ata pohuan se situata në të ardhura ka qenë më e qëndrueshme në vitin 2019, teksa në vitin 2018, rritjen e më të lartë nga shitjet e kishte fabrika “Bloja”.

 

 

Rezervat kërkojnë investime të mëdha

Krijimi i rezervave me grurë përtej harkut të dy muajve kërkon investime të mëdha dhe likuiditete që asnjë nga operatorët e tregut të blojës nuk i disponon aktualisht, tha Haxhiymeri. Ai tregoi se, në mes të marsit tregu i brendshëm u përfshi nga një panik që u shoqërua me një kërkesë të pazakontë për miell. Fabrikat vendase kishin rezerva të mjaftueshme për të përballuar këtë kërkesë, por ndërkohë krijimi i rezervave të reja për të përballuar një kohë më të gjatë është i vështirë.

Aktualisht fabrikat kanë rezerva deri në dy muaj konsum, teksa importet kanë vijuar me gjithë vështirësitë nga burimet e furnizimit dhe problematikat në transport. “Ne investuam shumë në mars për të përballuar kërkesën e brendshme, ndaj është e papërballueshme për ne që në të njëjtën kohë të investojmë për të krijuar rezerva përtej dy muajve”, tha ai.

54% e importeve të drithërave nga Rusia, embargoja çorienton tregun

Fabrikat shqiptare të blojës po kërkojnë burime të reja të furnizimit me grurë, për shkak se kuotat e lira të eksportit nga Rusia tashmë janë ezauruar. Në vitin 2019, importet ruse zunë 54% të totalit të importeve të drithërave, sipas të dhënave nga INSTAT. Gjatë vitit 2019, importet e drithërave pësuan një rënie me 2,6%. Kjo rënie, sipas operatorëve të tregut, është nxitur nga mbifurnizimet gjatë vitit 2018 dhe nga kërkesa më e ulët në vitin 2019, si pasojë e rënies së popullsisë.

Eksportet nga Rusia shënuan rritje më 2019, duke rritur peshën e tyre në 54% të totalit nga 47% që ishte më 2018. Burimi i dytë më i madh i furnizimit me drithëra është Serbia, importet e së cilës zunë 35% të totalit më 2019, duke shënuar ulje në raport me vitin 2018, kur ato zinin 42% të totalit të importeve.

Tregu kryesor dhe më i rëndësishëm ushqimor në vend, mielli, zotërohet nga Rusia dhe Serbia, të cilat së bashku dominojnë 89,3% të tij sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Në vitin 2019, importet e drithërave ishin 366 mijë tonë. Nga kjo sasi, mbi 199 mijë tonë ose 54% ishin nga Rusia dhe 127 mijë tonë ose 34,8% ishin nga Serbia.

Varësia e lartë e importeve nga Rusia ka krijuar një problematikë të re për fabrikat shqiptare, të cilat janë duke kërkuar furnitorë të rinj. Adi Haxhiymeri tha se, Shqipëria nuk do të ketë probleme me mungesën e miellit në treg, por ai tha se çmimet do të rriten së paku me 15%.

Vitet e fundit, për shkak të çmimit më të lirë, Serbia u bë një burim i madh furnizimi me drithëra i vendit tonë, mirëpo cilësia e grurit serb është e diskutueshme. Sipas mediave vendase, bazuar në shitjen e farës së këtyre varieteteve në prodhimin e përgjithshëm, pjesa e grurit të cilësisë së lartë në prodhimin e përgjithshëm është vetëm 20 deri në 25%. Problemi është se nuk ka ndarje të grurit sipas kualitetit në magazinat serbe. Kur llojet e grurit të cilësive të ndryshme përzihen, rezultati përfundimtar është gruri i një cilësie mesatare ose nën mesatare, raportojnë mediat vendase.

 

 

Qershori, muaji i vështirë

Qershori konsiderohet si muaji më i vështirë për tregun e drithërave, pasi rezervat e vjetra janë drejt fundit, teksa korrjet e reja nuk kanë nisur. Adi Haxhiymeri tha se, qershori do të sjellë rritje të çmimit të grurit në tregun global. Magazinat nuk kanë shumë rezerva për shkak të kërkesës së pazakontë që nxiti pandemia COVID-19. Në muajin korrik nisin korrjet e reja, por çmimi sërish do të jetë i varur nga sjellja e prodhuesve të mëdhenj. Nëse Rusia do të rrisë kapacitetet e magazinimit, do të tentojë të mbajë çmime të larta dhe të vijojë embargon e grurit. Kështu ndodhi edhe para 10 vitesh, kur çmimi i një toni grurë i kaloi të 550 dollarët për shkak se Rusia vendosi masa kufizuese në import.

Korrjet e reja do të stabilizojnë çmimet

Çmimet e grurit u rritën me 6% në tremujorin e parë të vitit 2020. Sipas analizës së Bankës Botërore, për indeksin e çmimeve të mallrave kryesorë, çmimet e grurit u rritën për shkak të prodhimit më të ulët të sezonit të kaluar dhe kërkesës më të lartë që nxiti pandemia më 2020.

Mirëpo ky sezon paraqitet më i mbarë. Prodhimi global i grurit pritet të rritet me 5% këtë vit, në raport me prodhimin e vitit 2019, si pasojë e një sezoni më të mbarë bujqësor në të gjithë globin.

Prodhimi i grurit ka shënuar rritje në të gjithë prodhuesit tradicionalë, si Rusia, SHBA, Kanada, Kazakistan, Ukrainë, të cilat së bashku realizojnë 60% të prodhimit global të grurit.

Ndërsa konsumi global këtë vit parashikohet të rritet me 2% ndaj vitit të kaluar. Banka Botërore parashikon se për shkak se rritja e prodhimit do të jetë më e lartë se rritja e konsumit, rezervat e grurit do të rriten më tej këtë vit, duke ushtruar presion për stabilizim të çmimit me korrjet e reja.

Çmimet e ulëta të importit dekurajojnë prodhimin në vend

Serbia aktualisht aplikon politika të forta që nga prodhimi deri te përpunimi i grurit në fabrika. Sipas një studimi të Komisionit Europian, rreth 80% e fondeve dedikuar bujqësisë shkuan për mbështetje direkte te fermerët gjatë periudhës 2010-2015. Sipas të dhënave në terma relativë, mbështetja direkte për hektarë në vitin 2015 përbënte më pak se 6 euro në Shqipëri, 23 euro në Malin e Zi, rreth 50 euro në Bosnjë dhe Serbi, 60 euro në Maqedoni dhe 67 euro në Kosovë.

Subvencionet serbe, gati 10-fish më të larta, i bëjnë drithërat e tyre më konkurruese në rajonin dhe sidomos me Shqipërinë, e cila i ka subvencionet për këtë kulturë zero. Sipas të dhënave të INSTAT, nga viti 1998 deri në vitin 2017, prodhimi i grurit ka rënë me 30%.

Fabrikat e blojës kishin në plan të ngrinin një skemë mbështetëse për fermerët shqiptarë që të blinim grurin tek ata, por me konkurrencën e importit nuk mund të realizohet, pasi gruri që importohet nga Serbia vjen në Shqipëri me kosto më të ulët se gruri i arave shqiptare.

Ekspertë të Bankës Botërore dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare zhvilluan një studim mbi leverdishmërinë e prodhimeve bujqësore. Duke përdorur metodologjinë mbi analizën e zinxhirit të vlerave, IFC Albania, pjesë grupit të Bankës Botërore, identifikoi së fundmi një listë prej pesëmbëdhjetë produktesh shqiptare, kryesisht frutave dhe perimeve, të cilat paraqiten konkurruese në tregjet rajonale. Në këtë listë, gruri nuk bën pjesë. Studimi identifikoi me leverdi ullirin, bostanin dhe arrorët. Shqipëria ka leverdi të kultivojë këto produkte, për shkak se favorizohet nga kushtet klimatike dhe kërkesa për to në tregjet botërore është në rritje.

Serbia prej vitesh zbaton një politikë shumë të egër subvencionesh për grurin dhe miellin, për të cilën u shqetësua edhe Greqia, Maqedonia, Mali i Zi etj. Po të shkosh në Serbi, diferenca nga mielli në grurë për një ton është 10 euro, ndërkohë që duhet të jetë minimumi 100 euro, sepse përfshihen shpenzime për kostot e punës, ambalazhin, himet etj., shpjegoi ai. Subvencionet në industrinë e miellit kanë pastruar gjithë magazinat e Serbisë, të cilat janë eksportuar në vendet e Ballkanit, kryesisht Shqipëri dhe Kosovë.

Tregu i blojës, nën presionin e konsumit dhe mbiinvestimeve

Bizneset e blojës janë stabilizuar disi nga konkurrenca e pandershme e miellit serb pa standarde, por janë vënë në presionin e rënies së konsumit e për rrjedhojë, fabrikat po punojnë nën kapacitet. Hysaj nga fabrika e “Miellit Tirana”, tha se konsumi i brumërave është në rënie të vazhdueshme për disa arsye, të cilat lidhen me pakësimin e popullsisë dhe ndryshimit të strukturës së saj. Numri shumë më i ulët i lindjeve krahasuar me një dekadë më parë dhe emigracioni lartë i të rinjve ka ndikuar negativisht te konsumi i miellit, thotë Hysaj. Moshat më të reja janë konsumatorë potencialë të miellit, ndaj pakësimi i grupmoshave të reja është shqetësues për industrinë.

Edhe ndryshimi i strukturës së popullsisë që jeton në Shqipëri në favor të moshave të vjetra ndikon negativisht në konsumin e miellit. Ndryshimi i stilit të jetesës dhe aplikimi i dietave me pak brumë nga të rriturit ul në perspektivë konsumin e miellit. Ky profil i ri konsumi po bën që industria e përpunimit të miellit në vend të punojë gjithnjë nën kapacitet. Edhe më parë industria ka vuajtur nga mbiinvestimet. Hysaj pohon se aktualisht, kapacitetet prodhuese të fabrikave të përpunimit të miellit janë 2.5 herë më të larta se nevojat dhe kërkesat e tregut.

Aktualisht, fabrikat e blojës punojnë me rreth 40% të kapacitetit. Sektori vuan nga mbiinvestimet, pasi edhe në ditët më të mira, kapacitetet janë shfrytëzuar më shumë se 70%. Industria ka investuar mbi 100 milionë euro, nga të cilat sipas Unionit të Prodhuesve të Miellit, gjysma e tyre janë kredi në bankat e nivelit të dytë. Ndaj çdo përkeqësim në biznesin e blojës do të reflektohet në kreditë bankare.

Kapacitetet e bluarjes variojnë nga 150 deri në 400 tonë në 24 orë, ku fabrikat punojnë me kapacitet të plotë apo të përafërt gjatë një periudhe kohe të kufizuar në varësi me kushtet e tregut. Fabrikat e vogla deklarojnë një nivel shfrytëzimi nga 40-60%, ndërsa fabrikat e mëdha deklaronin një kapacitet shfrytëzimi që varionte nga 40 deri në 80% në varësi të periudhës.

Shifrat e dhëna nga industria e blojës tregojnë se konsumi i miellit në Shqipëri është 360 gramë në ditë për person, pasi konsumi mesatar i miellit është 400,000 tonë në vit. Sasia totale e miellit që bluhet në një vit është rreth 350,000 tonë, pjesa tjetër është miell importi. Nga 194 fabrika mielli, vetëm 20 kanë kapacitet prodhimi mbi 20 tonë në ditë dhe 60% e konsumit kombëtar realizohet nga 4 fabrika të mëdha. Monitor

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular