BallinaAktualitetVIDEO/Censurimi i deklaratave të deputeteve, si u fshi nga faqja e Kuvendit...

VIDEO/Censurimi i deklaratave të deputeteve, si u fshi nga faqja e Kuvendit në “Facebook” mbledhja e grave ligjvënëse

Përdhunimi i vajzës 15-vjeçare dhe gjithë detajet tronditëse të publikuara në dosjen e përpiluar nga Policia dhe Prokuroria sollën një reagim shumë të fortë edhe në Kuvend. Ishin deputetet socialiste, Vasilika Hysi dhe Mimi Kodheli, të cilat e konsideruan atë një gjë të turpshme dhe se është e domosdoshme ndërmarrja e një nisme ligjore për të zgjidhur situatën.

Kodheli, në fjalën e saj, nuk la pa faj edhe sistemin arsimor, duke thënë se mësueset e ditëve të sotme kanë shumë pak nga imazhi i mësueseve, me të cilat ajo ishte edukuar. Por edhe Hysi nuk ishte më e butë në qëndrimin e saj, teksa u shpreh se nëse nuk bëhet diçka për zgjidhjen e këtij fenomeni, do të ishte më mirë që ato t’i linin mandatet dhe të vazhdonin me punët dhe profesionet e tyre.

Por këto deklarata të forta që ngjallën debat në opinionin publik, u censuruan nga Kuvendi. Nuk zgjati shumë dhe nga faqja në “Facebook” e Kuvendit, ku u transmetua “live” mbledhja, videoja u fshi.

Ky veprim i Kuvendit ngjalli një reagim nga mediat dhe si përgjigje e kësaj situate të krijuar dhe pas interesimit të gazetës “Panorama”, video u ripublikua nga Kuvendi në rrjetin social “You Tube”, por duke i prerë pjesët ku Hysi dhe Kodheli flisnin me tone të ashpra.

DEKLARATAT E DEPUTETEVE QË U CENSURUAN

Mimi Kodheli: Mendoj se duhet të ulemi dhe të hartojmë një paketë ligjore, që do t’u kundërvihen fenomeneve, për të cilat ne sot po flasim. Ne i konsideronim mësuesit si prindërit tanë të dytë. Unë i takoj asaj gjenerate që mësuesja thoshte, ‘Pse ka munguar Mimi sot? Ka pasur temperaturë?’.

Ndërsa zyshat tona sot e kanë mendjen për të bërë të tjera punë. Nuk të del koha të bësh ditarin si zyshë, edhe të lyesh flokët, të blesh buzëkuqe apo minifunde, nuk ka mundësi. Zyshat tona kanë qenë të pamartuara dhe nuk bënin fëmijë, sot nuk kuptohet fare se kush është e martuar dhe kush jo. Lëre pastaj për rojet, që nuk kuptohet dhe nuk kuptohet. Tani do të marrim këtë situatë në dorë apo do bëjmë sikur flasim sa bukur, sa bukur. Tani kam diçka edhe për zonjën Kospiri. A kemi statistika, se pa to nuk mund të shkojmë gjëkundi.

Ju betohem që nuk ka asnjë vend në botë që nuk ka pasur statistika për dhunën në familje. Vetëm ne në Shqipëri nuk kemi, po bukur fort, shyqyr që nuk kemi pasur dhunë.

Shumë bukur. A mund të na e thoni se ku ka më shumë dhunë në familje? Në një qytet të zhvilluar si Tirana apo në një zonë rurale si fshatrat e Kukësit? Ne duhet dhe të ulemi për të krijuar një paketë. Vjen një moment ku një pikë e derdh gotën. Dhe përdhunimi i kësaj vajze nga ai monstër ka derdhur gotën nga barku i secilës prej nesh. Duhet ta bëjmë këtë paketë me mendje të hapur dhe më dashamirësi. Imagjinoni sikur ajo vajzë të ishte e juaja. Larg o Zot, nuk është gjë që gëlltitet.

Vasilika Hysi: Konkretisht, rasti i vajzës 15-vjeçare është një shuplakë për të gjithë ne dhe ajo vjen pas rastit të Kavajës dhe Fierit. Në këtë kuadër do doja të dija se çfarë po bëhet për ligjin e ri për dhunën në familje. Ne kemi dështuar në mbrojtjen e fëmijëve. Ju mund të thoni se jemi shumë mirë, por mua më vjen turp, pasi ne kemi dështuar. Jam shumë e revoltuar, pasi ne vazhdojmë të mblidhemi dhe asgjë konkrete.

Nuk mund të na merret fytyra për gjëra që nuk i kemi dhe nuk i bëjmë ne? A mund të bëni një model? Si mundet që policia komunitare në Babrru nuk shikon parullat që shkruheshin me emrin e asaj vajze në mure? Çfarë do të ndodhte nëse do të ishte vajza e një punonjësi sigurie në atë zonë ose një nga fëmijët tanë?

Do kishim bërë namin. Çfarë do të bëjmë me shkollat për të identifikuar të gjitha viktimat apo ato që mund të rrezikohen. Dhe në këtë kuadër le të bëjmë një nismë konkrete, ose hajde le t’i lëmë mandatet dhe të vazhdojmë me punët tona.

 (VIDEO E PLOTE E AKTIVITETIT KU JANE CENSURUAR FJALIMET E DEPUTETEVE TE PS, TE CILAT FOLEN PER PERDHUNIMIN E
15-VJECARES NE BABRRU)

 

 

 

 

 

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular