BallinaAktualitetHalim Kosova: Si do zgjidhen kandidatët e PD për deputetë e kryebashkiakë

Halim Kosova: Si do zgjidhen kandidatët e PD për deputetë e kryebashkiakë

Prej së hënës, Partia Demokratike ka nisur procesin e identifikimit të kandidatëve të mundshëm për pushtetin qendror dhe atë lokal.

Kryetari i Komisionit të Verifikimit të Figurës në Partinë Demokratike, Halim Kosova, në një intervistë për gazetën “Panorama” u shpreh se pas procesit të identifikimit, kandidatët e selektuar do të duhet të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit, në të cilin ka pyetje për pasurinë, gjendjen e gjyqësore etj.

Sipas Kosovës, komisioni do të shfrytëzojë të gjitha burimet për të verifikuar çdo kandidat. Ndërkohë sipas tij, kontrollet do të jenë periodike edhe nëse kandidatët zgjidhen në poste brenda partisë apo deputetë e me radhë. Ndërsa udhëzimi i PD-së ua njeh të drejtën ish-deputetëve dhe ish-kryebashkiakëve për të mos e plotësuar formularin e vetingut brenda partisë, Kosova shprehet se nga kjo procedurë nuk duhet të shmanget askush. Gjithashtu, Kosova i ka dhënë fund çdo aludimi se ai mund të rikthehet në garën për kryetar bashkie në kryeqytet.

Z. Kosova, Partia Demokratike ka nisur procesin e identifikimit, seleksionimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve për pushtetin qendror dhe atë lokal. Ju jeni drejtues i Komisionit të Verifikimit të Pastërtisë së Figurës së drejtuesve të PD-së dhe kandidatëve për kryetarë bashkie e deputetë. Mund të na tregoni se cili është procesi që po ndiqet aktualisht?

Në mbështetje të nenit 12 të statutit të Partisë Demokratike, aktualisht po zhvillohet procesi statutor i propozimit, konsultimit, seleksionimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave për përfaqësim politik në nivel qendror dhe lokal. Pas seleksionimeve paraprake nga strukturat e PD-së të ngritura për këtë qëllim, nis procedura e plotësimit të formularëve të verifikimit dhe integritetit të individit. Komisioni i Etikës dhe Integritetit të individit është ngritur kohë më parë me porosi të zotit Basha, me idenë që në Partinë Demokratike të mos kenë mundësi të bëjnë pjesë individë, të cilët nesër bëhen pengesë që Partia Demokratike të përmbushë programin e saj në qeverisjen e nesërme. Në gjuhën profesionale, pa frikë do ta quaja vaksinë që parandalon të keqen nesër në pushtet. Formulari i verifikimit dhe integritetit të individit do të përdoret nga Partia Demokratike nëpërmjet Komisionit të Etikës dhe Integritetit, për të mundësuar vlerësimin në mënyrë korrekte të çdo individi që do të shprehë dëshirën për të paraqitur kandidaturën për poste të rëndësishme nën siglën e Partisë Demokratike.kryesia pd

Në gjykimin tuaj, pse është i rëndësishëm një set/kod i etikës dhe pastërtisë së figurës për PD-në? Çfarë risie sjell në spektrin politik shqiptar ky kod?

Në gjykimin tim, nisur edhe nga eksperienca personale në administrim, mendoj se puna në një institucion varet shumë nga figura e atij që e drejton këtë institucion. Kjo është aq e vërtetë, saqë mendoj se çdo institucion merr fytyrën e atij që e drejton. Formulari i verifikimit dhe integritetit të individit do të përdoret nga Partia Demokratike nëpërmjet Komisionit të Etikës dhe Integritetit, për të bërë të mundur vlerësimin në mënyrë korrekte të çdo individi që do të shprehë dëshirën për të paraqitur kandidaturën për poste të rëndësishme, nën siglën e Partisë Demokratike. Vlerësimi i të dhënave do të bëhet nga Komisioni i Etikës dhe Integritetit, i ngritur pranë Partisë Demokratike për këtë qëllim.

Si e vlerësoni mekanizmin e vetingut të brendshëm dhe aplikimin e tij në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave të PD-së për përfaqësuesit në Parlament dhe pushtetin vendor?

Komisioni i Etikës dhe Integritetit të individit është ngritur kohë më parë me porosi të zotit Basha, me idenë që në Partinë Demokratike të mos kenë mundësi të bëjnë pjesë individë, të cilët nesër bëhen pengesë që Partia Demokratike të përmbushë programin e saj në qeverisjen e nesërme. Ne gjuhën profesionale, pa frikë do ta quaja vaksinë që parandalon të keqen nesër në pushtet. Nisur nga ky këndvështrim, vlerësimi i deklarimit të të dhënave personale të individit do të përfshijë si të dhënat e deklaruara nga vetë personi, ashtu edhe duke shfrytëzuar çdo mundësi ligjore qe ka në dispozicion Partia Demokratike për këtë qëllim. Pas përfundimit të pranueshmërisë së deklarimit, çdo individ do të jetë objekt i vlerësimit të vazhdueshëm, i cili mund të përfshijnë rivlerësime dhe riverifikime periodike, për të përcaktuar në vazhdimësi se mbajtja e pozicionit më pas është në përputhje me interesat e vendit e më gjerë.Selia-e-PD

Në çfarë aspektesh kontrollohen kandidatët për deputetë dhe kryetarë bashkie?

Formulari është ndërtuar në bazë të një modeli amerikan, i adaptuar në kushtet tona, për të përmbushur sa më saktë qëllimin e tij. Ky formular përbëhet nga 45 faqe, ku në mënyrë transparente dhe profesionale kërkohen:

– Të dhënat personale

– Të dhënat mbi shkollimin

– Të dhënat mbi eksperiencën në punë

– Të dhëna mbi gjendjen gjyqësore

– Të dhëna mbi ligjshmërinë e pasurisë

– Të dhëna mbi aktivitetin privat, sigurinë dhe pastërtinë e figurës.

Sigurisht që, secili nga këta kapituj ka edhe nënpikat e veta, të cilat në fund japin një tablo të qartë mbi pastërtinë e figurës së individit, si dhe integritetin e tij profesional dhe shoqëror.

Ish-kryetarët e bashkive, ish-deputetët, a do të duhet ta plotësojnë formularin për pastërtinë e figurës?

Realisht nuk është pozicioni im në krye të këtij komisioni që të përcaktoj se kush duhet ta plotësojë atë dhe kush jo. Mendimi im personal është që, sa më shumë individë ta plotësojnë këtë formular, aq më e shëndetshme do të ishte Partia Demokratike. Kjo pyetje më kujton situatën pas shpikjes së vaksinës për Covid-19: për të ruajtur shëndetin e popullatës, vaksinën do të duhet ta bëjnë të gjithë pa përjashtim, apo vetëm një pjesë e saj?!

Si e vlerësoni modelin strukturor midis qendrës dhe degëve në nivel departamentesh dhe sekretariatesh ekzekutive? A e ka përmirësuar koordinimin e aksionit politik, programor dhe modelin e komunikimit zyrtar?

Sipas këndvështrimit tim, problemi kryesor që ka ky vend në përgjithësi dhe që duhet bërë çmos që të mos e kapë Partinë Demokratike për të arritur qëllimet e saj, është fakti që ajo që shkruhet të zbatohet në jetën e përditshme, më e rëndësishme është të verifikohet në vazhdimësi zbatimi i saj në terren. Nga mënyra sesi verifikohen në jetën e përditshme të partisë zbatimi i programeve të saj, pa dyshim varet jo vetëm fitorja në zgjedhjet e ardhshme, por edhe suksesi në drejtimin e vendit nesër

z. Kosova, si e komentoni pikën në udhëzimin e PD-së, që kryetarët e degëve duhet të japin më parë dorëheqjen nëse duan të plotësojnë formularët për të qenë kandidatë për deputetë apo kryetarë bashkie?

Ky është vendim i Kryesisë së partisë dhe sigurisht, për mendimin tim, ka si qëllim parandalimin e konfliktit të interesit. Partia Demokratike për këtë vendim mund të jetë nisur nga eksperienca të vetat në të kaluarën ose modele bashkëkohore në këtë drejtim.

Si duhet të bëhet hapja e PD-së për të maksimalizuar votat e djathta?

Unë mendoj që çdo njeri me figurë të pastër morale, profesionale, të cilin e vlerëson komuniteti ku banon e punon, do të ishte nder i Partisë Demokratike ta kishte në radhët e saj. Në të kundërt, do të ishte dëm i madh për të. Marrja e sa më shumë votave në zgjedhjet e ardhshme nga ana e Partisë Demokratike, për mendimin tim arrihet atëherë kur çdo qytetar, familje apo shtresë në nevojë, të gjejë në programin e PD-së zgjidhje afatgjata për hallet e përditshme. Kur biznesi i madh e i vogël të përkrahet e të shihet si partner në mbarëvajtjen e vendit dhe jo si armik apo objekt për t’u vjelë. Program i PD-së në letër, sado i mirë të jetë, në gojën e atyre që nuk ngjallin besim do të bëhej deri-diku i pabesueshëm dhe e kundërta.

Nga komentet e qytetarëve, ka ende sot prej tyre që duan ta shohin figurën tuaj në krye të Bashkisë së Tiranës. A do rikandidoni ju në bashkinë e kryeqytetit?

Falënderoj çdo koment pozitiv në drejtimin tim. Për mendimin tim personal, është çështje e mbyllur.

Nëse PD-ja nuk vjen në pushtet edhe pas zgjedhjeve të ardhshme, çfarë përgjegjësish duhet të marrë z. Basha? Duhet të dorëhiqet?

Me aq sa e vlerësoj situatën në vend dhe atë brenda Partisë Demokratike, nuk mendoj qe zoti Basha do të vihej në këtë pozicion. Me sa shoh unë, ai po përpiqet maksimalisht si të justifikojë para qytetarëve të vendit besimin pas zgjedhjeve dhe jo si të japë dorëheqje.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular