BallinaOP EDPolicimi në komunitet, por a ka komunitet?

Policimi në komunitet, por a ka komunitet?

NGA PËLLUMB NAKO 

Dështimi i radhës që po përvijohet çdo ditë e më shumë edhe këtë vit për Policinë në raport me kultivimin e kanabisit, dëshmon një falimentim shumëdimensional të saj e për rrjedhim, edhe të vetë qeverisë. Kjo e fundit, megjithë angazhimet publike, betimet e përbetimet në tribuna të vetë Kryeministrit për një histori të mbyllur me kanabisin, ka shënuar të njëjtën disfatë lidhur më atë që ai ka deklaruar më shumë se një herë, largimin e Shqipërisë nga harta si vend kultivues i bimës së kanabisit. Maja e ajsbergut të gjithçkaje që ndodh mbeten rastet e gomoneve këtej dhe matanë bregut të detit. E reja me këtë rast është se tashmë janë jo të paktë gazetarët që po zbresin në terren, duke denoncuar parcelat e mbjella kudo, në veri e në jug, përndryshe kultivimi dhe trafiku i kanabisit do të mbetej nën një manipulim shtetëror, ku realiteti do të mbulohej dhe paraqitej si i fryrë nga kazani mediatik.

Por dështimi më i madh i Policisë mbetet ai në raport me komunitetin për të cilin ekziston dhe të cilit duhet t’i shërbejë. E thënë me fjalë mjaft të thjeshta, kjo do të thotë se për çdo parcelë kanabisi të mbjellë, të ruajtur, të ujitur, të korrur apo sasi të magazinuar rezultojnë po aq qytetarë që nuk e kanë informuar Policinë, po aq herë policimi në komunitet ka falimentuar sepse shtetas të shumtë po fshehin aktivitetin antiligjor, duke krijuar një dëm të madh në raport me vlerat sociale të shoqërisë sonë (aq shumë të nënvleftësuara) si dhe në zbatimin e ligjshmërisë. Pra, ligji si mbrojtës i vlerave sociale shkelet masivisht në dritën e diellit.

Mungesa e bashkëpunimit midis popullatës dhe Policisë në këtë rast mund dhe ka shkaqe nga më të ndryshmet, por mbi të gjitha, fakti është se ajo nuk shpreh për asnjë çast besim ndaj institucionit të Policisë e në vazhdim të tij, aspak besim për shtetin. Për asnjë moment nuk mund të ndahet Policia nga shteti, besimi ndaj Policisë mbetet besim ndaj tij.

Kjo atmosferë mosbesimi nuk ka se si të jetë e ndryshme, kur Policia e një vendi si ky i yni mbetet pjesë përbërëse e një shteti me një Kryeministër, i cili nuk qeveris, por sundon. Në histori ka mjaft raste të njohura kur monarkë, perandorë me pushtet absolut kanë qeverisur popullin e tyre dhe nuk e kanë sunduar, megjithëse nuk ishin të zgjedhurit e tij, ndërkohë modeli i vendit tonë paraqet një Kryeministër të zgjedhur (pavarësisht se si) që nuk qeveris, por sundon.

Ky model qeverisjeje e ka të pamundur për nga natyra e ndërtimit të tij që të krijojë ura lidhjeje me popullsinë, pasi është modeli demokratik i qeverisjes ai që krijon komunitet dhe jo sundimi. Komunitarizmi është krijim i një qeverisjeje demokratike dhe mbi të gjitha ka si karakteristikë ndërgjegjen e lartë të anëtarëve përbërës të tij në mbrojtje të vlerave sociale të përbashkëta dhe karakterizohet për përgjegjshmëri ndaj fateve të komunitetit në vetvete dhe të të gjithë vendit. Qeverisja me vlera demokratike gjen gjithë mekanizmat e mundshëm për të tërhequr popullatën në qeverisje duke e përgjegjësuar atë për fatet e vendit, pra duke formuar frymën komunitare. Sundimi bën të kundërtën, ai e kthen popullatën në një objekt për t’u administruar, në pritje të gjithçkaje që ofron shteti. Dhe ky i fundit, nga njëra anë me një Kryeministër që si princ oriental çudibërës paraqitet dhuratë për popullin gjithçka që ka për detyrë të bëjë dhe nga ana tjetër, si baba i rreptë ndryshon pafundësisht ndëshkimin ligjor ku mbizotëron vetëm termi burg, krijon vetëm varësi.

Duke mos qeverisur, natyrshëm Kryeministri i ka kthyer institucionet, sidomos atë të forcës, Policinë, në mekanizma sundimi ku drejtuesit e tyre ndihen të fuqishëm, të paprekshëm, pa llogaridhënie dhe natyrshëm hedhin vështrimin drejt përfitimeve vetjake, tërësisht antiligjore, kriminale. Ndëshkimi për ta ekziston vetëm nëse shkelja bëhet publike.

Pra, aktualisht në vendin tonë nuk ekziston komunitarizmi i përgjegjshëm për fatet e tij, por një popullatë pasive që konsumon vetëm çka ofron shteti, të mira, si ndëshkime. Të parat ngordhin nervin e revoltës, të dytat e humbasin efektin e tyre frenues sepse nuk nxisin përgjegjshmërinë e çdo individi ndaj veprimeve antiligjore. Individi nuk ka më frikë nga shkelja ligjore, kur mendon se mund të fshihet pas masivitetit të shkeljeve, siç është kultivimi i kanabisit. Me këtë rast, edhe drejtësia nuk do të mund t’i fusë të gjithë në burg, ajo do të mbetet përzgjedhëse, simbolike dhe ai që paguan mirë, do të shpëtojë. Thirrjet e ministrit të Brendshëm për heqje dorë nga rruga kriminale, sepse një ditë shteti do t’ua sekuestrojë pasurinë, duken si predikime të një urate në mjedis ateistësh marksistë. Ndërkohë Policia, zotëruese e gjithçkaje që ndodh, zhytet gjithmonë e më shumë në paligjshmëri, duke u dhënë goditjen përfundimtare raporteve me publikun.

Kjo është atmosfera se si po funksionin shteti ynë sot, ndërkohë që kryeplaku i një fshati diku në Skrapar është arrestuar sepse ai nuk kishte raportuar në Polici kultivimin e kanabisit në territorin ku është zgjedhur, po ashtu dy mjekë që arrestohen sepse kanë mjekuar një të kërkuar të rrezikshëm dhe nuk kanë njoftuar Policinë.

Pra, përgjegjësi, ndëshkim ligjor për individët që neglizhojnë detyrimet ndaj Policisë dhe nga ana tjetër, asnjë llogaridhënie e institucionit të Policisë, e drejtuesve të saj ndaj publikut, të cilit i kërkon besim. Asnjë llogaridhënie se përse Kajmakun e kapën mjekët dhe jo Policia. Asnjë masë disiplinore e rëndë për ta për mosrealizimin e impenjimeve të parashikuara në aktet ligjore, siç janë Vendimet e Këshillit të Ministrave lidhur me zhdukjen e kultivimit të kanabisit. Po ashtu, asnjë hetim i filluar kryesisht për drejtues policorë, për të cilët ka akuza publike për implikim në kultivimin e kanabisit. Kur nuk ka reciprocitet përgjegjësish ndërmjet Policisë dhe publikut, nuk ka komunitet. Nuk ka se si të ketë policim në komunitet, kur shkatërrohet komuniteti.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular