BallinaSocialePak psikologji pozitive/Nga Zenel Orhani

Pak psikologji pozitive/Nga Zenel Orhani

Nga Zenel Orhani

Psikologjia pozitive është një fushë kërkimi që ofron dije, njohuri, mënyra e teknika veprimi për njerëzit, që këta të përmirësojnë jetën e tyre dhe të orientojnë problemet e shëndetit mendor në mënyrë produktive. Edhe pse fokusi kryesor i studimeve dhe kërkimeve të psikologjisë pozitive janë faktorët që shkaktojnë depresion psikik dhe çrregullime emocionale, aktualisht po bëhet gjithnjë e më e zakonshme kërkesa për të marrë informacion dhe për të dëgjuar studiuesit dhe profesionistët se çfarë të bëjnë më mirë personat, popujt dhe kombe të tëra që këta të ndjehen më mirë dhe më të sigurt, sidomos në rastet e fatkeqësive natyrore.
Qasja e psikologjisë pozitive ka historinë e saj që nga viti 1998, kur Martin Seligman u emërua President i Shoqatës Psikologjike Amerikane dhe gjetjet e tij lidhen me një ndryshim të rëndësishëm në psikologji, duke rimarrë dhe hulumtuar për një kohë të gjatë, afro 20 vjet, një gjendje të tillë shpirtërore siç është lumturia apo të qenit i lumtur dhe për ta studiuar këtë gjendje shpirtërore në shumë kendvështrime. Në kërkimet që pasuan, pikërisht vlera e marrëdhënieve ndërpersonale dhe arritjet personale(suksesi) ishin dy elementet kryesorë që lidheshin me lumturinë. Më pas, shumë studiues të tjerë iu bashkuan këtij modeli kërkimi, dhe u kuptua se janë këto dy tregues që kontribuojnë në mirëqenien dhe shëndetin mendor të njerëzve. Kjo bëri që Psikologjia Pozitive në vitet që pasuan të zbatohej edhe në fusha te tjera te veprimtarise si në arsim dhe në vendin e punës, por në vitet e fundit ajo është bërë pjesë e rëndësishme edhe e trajtimeve të përgjithshme të shëndetit mendor, në psikoterapi. Kjo do të thotë se specialistët e kësaj fushe siç janë psikologët klinicistë gjithnjë e më shumë e përdorin Psikologjinë pozitive, për të motivuar personin që ai të kujdeset për veten, duke përdorur optimizmin, fuqinë e tij sidomos në rastet kur jeton me një gjendje shëndetësore kronike degjenerative.
Sipas psikologut pozitivist me famë Martin Seligman, lumturia si gjendje pozitive shpirtërore nuk është rezultat i gjeneve apo i fatit të mirë. Realisht, lumturia vjen nga përqëndrimi në anët e forta personale, sesa tek dobësitë dhe, duke punuar me to, individi mund të arrijë të përmirësojë të gjitha aspektet e tjera të jetës së tij. Duke përdorur ushtrime praktike, teste të shkurtra dhe një program dinamik të internetit, Seligman u tregon rasteve të veçanta se si të identifikojnë virtytet e tyre më të larta dhe t’i përdorin ato ndryshe nga më parë. Martin E.P. Seligman në hulumtimin e tij klinik u përpoq të demonstrojë se sa optimizmi e kënaq cilësinë e jetës dhe se si mund të mësohet dikush për ta praktikuar atë. Kështu, duke ofruar teknika shumë të thjeshta, Dr. Seligman shpjegon se si të reduktojmë një zakon për të hequr dorë nga diçka, si të zhvillojmë një stil shpjegues më konstruktiv për të interpretuar sjelljen tonë, si të përfitojmë më mirë nga një dialog pozitiv e të tjera. Ai thekson se këto aftësi mund të ndihmojnë në shpërbërjen e depresionit, në rritjen e sistemit imunitar, në zhvillimin më të mirë të potencialit personal dhe në rritjen e kënaqësisë së jetës që bëjmë. Më tej, ai jep këshilla dashamirëse mbi mënyrën e inkurajimit të sjelljes optimiste në shkollë, në punë dhe në familje, duke theksuar se mësimi i optimizmit është i thellë, praktik dhe i vlefshëm në çdo fazë të jetës.
Psikologjia e emocioneve e sidomos inteligjenca emocionale na mëson se gjendja jonë shpirtërore emocionale është tepër e brishtë dhe delikate. Por, duke u përpjekur për të ruajtur ekuilibrin e saj, ne duhet të kemi parasysh dy kahe që alternohen shpesh me njeri tjetrin. Këto janë: nga njera anë, kahu i ngritur i gjendjes sonë shpirtërore emocionale, që ne e cilësojmë OPTIMIZEM dhe që karakterizohet nga harmonia shpirtërore apo ekuilibri psikik, kënaqësia e jetës, menduarit pozitiv për jetën, për të ardhmen e të tjera. Nga ana tjetër, kahu i ulur i gjendjes sonë shpirtërore emocionale, që ne e cilësojmë PESIMIZEM dhe që karakterizohet nga prishja e ekuilibrit psikik, nga të menduarit negativ ose negativizmi, nga pakënaqësia për jetën, nga zhgënjimi e të tjera.
Diku ditur se optimizmi stimulon pozitivitetin mendor tek individi, një studiuese tjetër e Psikologjisë pozitive, Fredrickson, parashtron të vërtetat thelbësore të optimizmit dhe 10 forma të pozitivitetit: gëzimi, mirënjohje, qetësi, interes, shpresë, krenari, zbavitje, frymëzim, frikë dhe dashuri, të cilat ndryshojë mënyrën se si njerëzit të ndjehen më mirë. Fredrickson mbetet realist në trajtimin e saj dhe siguron dëshmi shkencore për të ilustruar gjetjen kryesore të saj se mbajtja e një raport pozitiviteti prej 3:1 të mendimeve pozitive në raport me emocionet negative, kjo krijon një pikë kthese mes vuajtjes shpirtërore(depresionit psikik) dhe gjetjes së ekuilibrit psikik të humbur. Kjo autore jep këshilla konkrete: një test pozitiv për pozitiven, një mjet për zvogëlimin e negativitetit dhe ngritjen e raportit të pozitivitetit. Megjithëse shumë prej metodave dhe teorive të Fredricksonit do të duken të njohura për disa personalitete të fushave të tjera, baza shkencore e argumenteve të saj dhe burimeve të tjera (shiko www.positivityratio.com në internet) u ofrojnë lexuesve një shans për të eksperimentuar me pozitivitet tek vetja dhe tek të tjerët.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular