BallinaEkonomiNivel rekord historik/Borxhi arrin në 80% të PBB-së që në 6-mujorin e...

Nivel rekord historik/Borxhi arrin në 80% të PBB-së që në 6-mujorin e parë të vitit

Borxhi total publik ka rezultuar në 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) që në fund të 6–mujorit të parë të këtij viti, duke e arritur kështu që tani objektivin vjetor të qeverisë dhe duke shënuar një nivel të lartë historik.

Të dhënat u bënë të ditura nga statistikat e borxhit për 6-mujorin e parë, të publikuara nga Ministria e Financave. Stoku i borxhit arriti në 1.26 trilionë lekë, ose 10.2 miliardë euro, me një rritje prej gati 9% në krahasim me fundin e 2019-s. Në vlerë absolute për 6 muaj, borxhi është rritur me rreth 830 milionë euro.

Rritja e stokut të borxhit ka ardhur në gati 83% nga borxhi i jashtëm, që u shtua me 687 milionë euro, kryesisht si rrjedhojë e eurobondit prej 650 milionë eurosh që u emetua në maj të këtij viti.

Ndërsa borxhi i brendshëm u rrit me rreth 144 milionë euro.

Si rrjedhojë e rritjes së shpejtë të borxhit të jashtëm, pesha e tij arriti në 50.8% të totalit të stokut në fund të 6 mujorit të parë 2020, nga 48% në fund të 2019-s.

Rritja e shpejtë e borxhit publik reflekton huamarrjen e lartë për të përballuar pasojat që ka krijuar në ekonomi pandemia e Covid-19, por edhe uljen e vlerës së Prodhimit të Brendshëm Buto, teksa ekonomia pritet të bjerë më të paktën 4.3% këtë vit, sipas parashikimeve zyrtare.

Në buxhetin e rishikuar së fundmi, financat ulën ndjeshëm parashikimin për të ardhurat, që priten 4% më të ulëta se fakti i 2019-s, ndërsa shpenzimet u rritën me 18% në krahasim me faktin e një viti më parë, si rrjedhojë e fondeve për rikuperimin nga tërmeti, paketave ndihmëse dhe planeve për më shumë investime kapitale. Këto ndryshime shkaktuan një deficit në buxhet (diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve) prej rreth 1 miliard eurosh, që mund të përballohej vetëm duke shtuar borxhin.

Si rrjedhojë buxheti i rishikuar 2020 parashikonte që borxhi të arrinte në 1.27 trilionë lekë deri në fund të vitit, por në fakt, ky plan është ezauruar që tani. Një rritje e mëtejshme e deficitit buxhetor dhe borxhit në 6-mujorin e dytë, nëse do të vazhdohej me planin e shpenzimeve të larta, (teksa të ardhurat për janar-qershor kanë rënë me 14%), do të vinte nën presion financat për pagimin e tij, ose do të detyronte heqjen dorë nga planet për investime kapitale.

Nëse buxheti në muajt në vijim nuk rezulton me suficit (të ardhurat të jenë të paktën njësoj me shpenzimet), atëherë borxhi publik deri në fund të vitit pritet të rritet përtej nivelit 80% të PBB-së. Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular