BallinaOP EDPËRCAKTIMI I KUFIJVE DETARË TURQI-GREQI NE KONTEKSTIN E NJË KONFLIKTI NDËRKOMBËTAR

PËRCAKTIMI I KUFIJVE DETARË TURQI-GREQI NE KONTEKSTIN E NJË KONFLIKTI NDËRKOMBËTAR

Nga Ermal Xhelilaj

Zhvillimet në arenën politike, diplomatike dhe ushtarake të kontinentit europian janë karakterizuar tradicionalisht nga konflikte ndërshtetërore mbi shtrirjen e juridiksionit kombëtar mbi zona të caktuara detare. Nënshkrimi dhe ratifikimi i UNCLOS-it nga shtetet bregdetare të detit Mesdhe, ka rezultuar në shpërthimin e shumë konflikteve në lidhje me përcaktimin e kufijve detarë. Një prej këtyre situatave konfliktuale lidhur me çështjen e sovranitetit dhe ndarjes së kufijve detarë në detin Egje, është reflektuar dhe në marrëdhëniet Greqi-Turqi, të cilat janë karakterizuar si mjaft të tensionuara gjatë dyzet viteve të fundit. Pavarësisht se këto shtete janë anëtare të NATO-s, mosmarrëveshjet e tyre mbi kufijtë detarë gjatë viteve 1974, 1976, dhe 1986-1987, kanë shkuar shumë afër konfliktit të armatosur. Kriza ndërkombëtare mes këtyre shteteve është karakterizuar nga faza e shkallëzimit, e shprehur nëpërmjet ngjarjeve si deklarata politikanësh, manifestime nacionaliste, demonstrime ushtarake dhe ultimatume nga të dy palët, të cilat kanë ndikuar si pasojë në prishjen e ekuilibrit rajonal të MN, duke rritur ndjeshëm rrezikun e një konflikti të armatosur ndërshtetëror.

Mundësia e një konflikti të armatosur në të ardhmen nuk përjashtohet, veçanërisht nëse kjo situatë kritike krijon lidhje me shkaqe të tjera të natyrës gjeopolitike dhe nacionaliste, të cilat kanë të bëjnë me paqëndrueshmërinë politike në rajonin e Gadishullit Ballkanik. Konflikti ndërmjet këtyre shteteve konsiderohet i rrezikshëm për arsye se përfshin dy probleme kryesore: kufijtë e ujërave territoriale, si dhe të drejtat sovrane mbi shelfin kontinental. Traktati i Lausanne-s (1923), i lejoi Greqisë të zotërojë rreth 3000 ishuj në detin Egje, të populluara kryesisht me grekë, disa prej tyre shumë afër bregdetit kontinental të Turqisë. Me qëllimin për të ushtruar kontroll mbi Ngushticën e Dardaneleve, turqit mbajtën nën sovranitet ishujt strategjikë Gokceada dhe Bozcaada.

Në zbatim të së drejtës zakonore të detit, Greqia dhe Turqia historikisht në detin Egje kanë ushtruar juridiksionin mbi ujëra territoriale me gjerësi deri në gjashtë milje detare. Në vitin 1964, Turqia përcaktoi në detin Egje ujëra territoriale me shtrirje gjashtë milje detare, të cilat përbëjnë rreth 7.5% të hapësirës detare, dhe 12 milje detare në detin Mesdhe dhe Detin e Zi. Greqia, nga ana tjetër, në vitin 1986 përcaktoi ujëra territoriale me gjerësi gjashtë milje detare, të cilat përbëjnë rreth 44% të hapësirës ujore të detit Egje. Këto politika kombëtare kanë ardhur për arsye se një shtrirje e këtyre ujërave deri në 12 milje detare sipas UNCLOS-it, mund ta kthente të gjithë rajonin e Egjeut në ujëra territoriale greke, duke rrezikuar si pasojë që këtë mosmarrëveshje ndërshtetërore ta kthente nga një fërkim politik, në një konflikt të hapur ushtarak.

Krijimi i UNCLOS-it e ndryshoi situatën e regjimit juridik ndërkombëtar të detit për shtetet që zotërojnë sovranitet mbi ishuj të caktuar. Regjimi i ri juridik i detit e rriti vlerën e zotërimit juridiksional të ishujve, të cilët filluan gradualisht të ndikonin mbi zgjerimin e ujërave territoriale ishullore deri në 12 milje detare. Pavarësisht se kufizimi prej 12 miljesh detare konsiderohet ligjërisht i lejueshëm por jo një element juridik i detyrueshëm, Greqia pas ratifikimit të UNCLOS-it filloi procedurat ligjore mbi përcaktimin e ujërave të saj territoriale në 12 milje detare, duke tentuar si rrjedhojë fitimin e sovranitetit mbi 71% të hapësirës ujore të detit Egje.

Rrjedhimisht, ujërat territoriale greke sipas regjimit të ri juridik të pasqyruar në UNCLOS, mund të përfshinin të gjithë rajonin jugor të Egjeut. Lidhur me këto pretendime, Turqia deklaroi se një shtrirje e tillë e ujërave territoriale greke në Egje do të konsiderohej një veprim provokativ, i cili mund të shkaktonte një konflikt të armatosur, duke e konsideruar të drejtën e kalimit paqësor të UNCLOS-it të promovuar nga Greqia në rastin konkret, si një garanci ligjore mbrojtjeje e pamjaftueshme për lundrimin e anijeve turke në Egje.

Të drejtat sovrane të shelfit kontinental turk në Egje konsiderohen të komplikuara për shkak të prezencës të një numri ishujsh grekë në këtë rajon. Në këtë kontekst, grekët deklaruan se të drejtat sovrane të promovuara nga UNCLOS-i mbi shelfin kontinental, duhet t’u jepeshin automatikisht të gjithë ishujve grekë që shtriheshin jashtë ujërave territoriale greke. Problematika këtu qëndron se më shumë se gjysma e ishujve grekë shtrihen jashtë ujërave territoriale greke me gjerësi prej gjashtë miljesh detare. Rrjedhimisht, konflikti detar midis Greqisë dhe Turqisë lidhet pikërisht me prezencën e më shumë se 1000 ishujve grekë që shtrihen prej Samothrakës në pjesën veriore të Egjeut, deri në Ishullin e Rodosit, i pozicionuar në jug të bregdetit turk. Gjykimi i Greqisë është i justifikuar nga Konventat e Gjenevës mbi të Drejtën e Detit (1958) dhe bazuar në UNCLOS-in, të cilat janë nënshkruar nga të dy shtetet e përfshira në konflikt. Turqia, nga ana tjetër, historikisht ka mbajtur qëndrimin se zona në të cilën ndodhen ishujt grekë është pjesë e shelfit kontinental turk, dhe se ishujt grekë nuk zotërojnë një shelf të tyre kontinental. Me fjalë të tjera, prezenca e ishujve grekë jashtë ujërave territoriale duhet të mos merret ligjërisht në konsideratë. Turqia ka paraqitur qëndrimin se deti Egje përfaqëson ligjërisht sipas UNCLOS-it rrethana të veçanta, dhe kërkon një vijë kufitare bazuar në parimin e drejtësisë dhe paanshmërisë.

Lidhur me këtë çështje ekziston një justifikim i aspektit gjeologjik në mbështetje të qëndrimit turk mbi zgjatimin natyror të pjesës kontinentale të Turqisë në drejtim të shtratit oqeanik të rajonit të kontestuar detar, por i njëjti argument mund të përdoret edhe nga pala greke. Greqia ka theksuar se në mungesë të një marrëveshjeje ndërmjet dy shteteve, si dhe nën dritën e rrethanave të veçanta gjeografike dhe ligjore, të cilat justifikojnë përcaktimin e një vije tjetër kufitare në rajonin konkret, ndarja e kufirit detar duhet të kryhet bazuar në UNCLOS, duke aplikuar shtrimin e vijës kufitare të baraslarguar ndërmjet bregdetit turk dhe ishujve grekë. Zbatimi i këtyre kritereve mund të ndryshojë rrënjësisht përcaktimin e kufijve ekzistues të ujërave territoriale dhe shelfit kontinental, duke kaluar nën juridiksionin grek zona të mëdha detare që më parë i përkisnin Turqisë.

Edhe para formimit të UNCLOS-it të dy shtetet janë përplasur politikisht dhe kanë kërcënuar se do të përdorin forcat ushtarake dhe kundër njëra-tjetrës. Kështu, në vitin 1976, si pasojë e dërgimit të një anijeje shkencore turke për studimin e fenomeneve sizmike në një zonë të kontestuar detare të detit Egje, Greqia aktivizoi menjëherë flotën e saj ushtarake duke përshkallëzuar konfliktin. Në këtë këndvështrim, duhej ndërhyrja e e vetë NATO-s, në të cilën shtetet e mësipërme janë anëtare, e cila arriti ta parandalonte konfliktin e armatosur. Incidentet vazhduan përsëri në vitin 1984, ku qeveria greke protestoi si pasojë e veprimeve kërcënuese të pesë luftëanijeve turke kundër një anije ushtarake greke në rajonin detar të Samothrakës. Edhe ky incident me ndërhyrjen e faktorëve ndërkombëtar u arrit të parandalohej në kohë, por në mungesë të marrëveshjes ndërshtetërore mbi ndarjen e kufijve detarë, të dy shtetet do të përfshiheshin në incidente të tjera të rrezikshme gjatë viteve në vijim, të cilat sollën si pasojë rrëzimin e një numri avionësh ushtarak turk dhe grek gjatë manovrave të rrezikshme mbi hapësirat ajrore të kontestueshme mes dy shteteve. Konfliki i mësipërm mes këtyre shteteve u përshkallëzua më vonë edhe për shkak të ekzistencës të rezervave natyrore të naftës dhe të mineraleve në zonën veriore të detit Egje. Kriza politike dhe ushtarake greko-turke mbi përcaktimin e kufjve detarë, edhe pse aktualisht mund të konsiderohet e ngrirë, vazhdon të ekzistojë me përmasa dhe karakter të rrezikshëm edhe në ditët e sotme. Ngjarjet e fundit po tregojnë përmasat reale të e këtij konflkti.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular